KryesoreLajme

Qeveria serbe ia përfundon mandatin Igor Popoviqit, disa ditë pasi ai pranoi fajësinë

Qeveria e Serbisë ka bërë të ditur se ia ka përfunduar mandatin Igor Popoviqit, i cili mbante pozitën e ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën. Vendimi duket se është i vlefshëm prej 13 gushtit, por aty nuk janë ofruar më shumë arsyetime.

Popoviq ishte i angazhuar në sektorin për mbrojtje juridike në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Ky vendim është marrë disa ditë pasi ai e ka pranuar fajësinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Dënimi prej gjashtë muajsh burgim, i marrë më 8 gusht, i është zëvendësuar me gjobë prej 3.000 eurosh, dhe ndalim të hyrjes në Kosovë për dy vjet.

Lexo më shumë  Ndalohen e më pas lirohen 6 të rinj serbë në Jarinjë me materiale nxitëse

Ndonëse ai e ka pranuar fajësinë në gjykatë duke thënë se nuk i është ushtruar presion, Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka thënë të nesërmen se Popoviq e ka nënshkruar marrëveshjen me prokurorët në Kosovë “nën presion dhe pa vullnetin e tij”.

Autoritetet e Kosovës e kanë hedhur poshtë këtë pretendim.

Ai është ndaluar nga autoritetet e Kosovës më 18 korrik, pas një fjalimi që ka mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit, përgjatë së cilit e ka përshkruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.

Lexo më shumë  Miratohet në parim projektigji për çmimet tavan

Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nuk do të tolerojnë që të fyhet dhe përdhoset historia dhe lufta e udhëhequr nga UÇK-ja.

Rruga Press

YouTube player