KryesoreLajme

Qeveria nuk paguan sigurimet e punonjësve të saj, borxhi ndaj ISSH arrin në 200 mln euro

Një nëpunësi publik që është në administratë, shteti nuk i paguan sigurimet. Detyrimet e prapambetura të administratës qendrore arritën në 6.7 miliardë lekë në fund të muajit maj 2023, teksa 1.6 milionë euro ishin sigurime shoqërore të papaguara në kohë, raportohet nga ministria e Financave. Edhe të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se borxhi ndaj sigurimeve shoqërore është duke u rritur me ritme të shpejta vitet e fundit

Qeveria shqiptare nuk paguan sigurimet për punonjësit e administratës qendrore. Ministria e Financave raportoi se detyrimet e prapambetura të administratës qendrore arritën në 6.7 miliardë lekë në fund të muajit maj 2023, teksa 2.8% e shumës, rreth 160 mln lekë apo 1.6 milionë euro, ishin sigurime shoqërore të papaguara në kohë. Pra, një nëpunësi publik që është në administratë shteti nuk i paguan sigurimet, teksa paga e tyre vjen e para në radhë në të gjithë hierarkinë e pagesave kudo në botë, si në sektorin publik dhe në atë privat.

Lexo më shumë  Prrenjasi kundër bashkimit me Librazhdin, banorët kundërshtojnë reformën territoriale

Sipas Monitor, borxhi ndaj sigurimeve shoqërore është duke u rritur me ritme të shpejta vitet e fundit, referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në fund të vitit 2022 stoku i këtij detyrimi arriti në 20,5 miliardë lekë, rreth 200 mln euro me një rritje 48% në krahasim me vitin 2028 ku stoku ishte 13.8 miliardë lekë. Në vend që të frenohet, ky borxh po zgjerohet me shpejtësi nga viti në vit, duke vënë në vështirësi arkën e sigurimeve shoqërore, por edhe pensionet ne të ardhmen.

Me qindra persona në moshë pensioni orvaten gjyqeve për vitet e munguara të sigurimeve, edhe pse i kanë paguar kontributet rregullisht, e madje në shumë raste kanë punuar në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.

Lexo më shumë  “Protestat kundër qeverisë kanë tronditur Shqipërinë” Gazeta amerikane: Policia u përplas me protestuesit para Parlamentit

Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një inspektimi në skemën publike të pensioneve gjeti se 94% të detyrimeve ndaj ISSH zotërohen nga sektori privat dhe kryesisht biznesi i madh me mbi 63% të shumës dhe pjesa tjetër nga biznesi i vogël. Entet publike zotërojnë rreth 6% të totalit të detyrimeve. Detyrimet e akumuluara, që duhet të shkonin për llogari të arkës së Sigurimeve Shoqërore kanë krijuar efekte negative të shumëfishta. Ndaj në kushtet e mos-pagesës së sigurimeve, buxheti i shtetit duhet të subvencionojë nga taksat e përbashkëta skemën e pensioneve për të kryer pagesat për përfituesit aktualë. /syri.net/

Rruga Press

YouTube player