Lajme

Qeveria ndan 3.2 milionë euro për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari”

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që të nis procesi i shpronësimit të pronave rreth stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë me qëllim të rinovimit dhe rikonstrukturimit të tij, projekt për të cilin ka ndarë 3.2 milionë euro.

Zëvendësministri i i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Avni Zogjani tha se kanë pranuar kërkesë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të bëhet shpronësimi i këtyre pronave me qëllim që stadiumi “Adem Jashari” të rinovohet dhe të kalojë nga kategoria 2 në kategorinë 4 sipas rregullave të UEFA-s.

“Departamenti i shpronësimit, më datën 21.06.2023, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pranuar shkresën numër 3374/23, kërkesë për shpronësim, stadiumi olimpik “Adem Jashari” Mitrovicë ku është kërkuar shpronësimi i pronave sipas tabelës së bashkangjitur në vendimin aktual. Bazuar në projektin për përmirësimin e infrastrukturës sportive që nga kategoria 2, të ngritet në kategorinë 4 sipas rregullores së UEFA-s, me qëllim të plotësimit të kushteve dhe kritereve për zhvillimin e lojërave në përputhshmëri me rregulloret dhe ne veçanti me kornizës ligjore të UEFA-s dhe FIFA-s.”, ka thënë Zogjani.

Lexo më shumë  Dëshmitë e krimit: Kosova bëhet me muze të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Ai tha se janë plotësuar të gjitha kushtet që kjo kërkesë të miratohet dhe të fillojë puna për shpronësimin e pronave që i nevojiten stadiumit olimpik në Mitrovicë.

“Departamenti i shpronësimit, pas përfundimit të procedurave dhe kontrollimit në aspektin teknik dhe juridik të kërkesës ka konstatuar përmbushjen e kushteve ligjore të nenit 3,4, 8 dhe 44 rë Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme dhe kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të nxjerrë vendim me të cilin miratohet shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës për shpronësim për interes publik për realizimin e projektit të rinovimit të stadiumit olimpik në Mitrovicë.”, tha Zogjani.

Lexo më shumë  Konjufca: 28 Nëntori është data më përbashkuese e kombit tonë

Vendimi ka marrë mbështetjen edhe të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve e cila ka ndarë 3.2 milion euro për realizimin e këtij projekti.

Ministri i kësaj ministrie, Hekuran Murati, deklaroi se ky buxhet do të hap dyert për fillimin e punës në stadiumin “Adem Jashari”

Pas këtij vendimi, do të vazhdohet me dëgjimin publik dhe konsultimin me pronarët e këtyre pronave që duhen shpronësuar për realizimin e këtij projekti.

Rruga Press

YouTube player