Lajme

Qeveria e Kosovës tregon detaje nga takimi i Brukselit: Serbia s’ishte e gatshme ta nënshkruajë propozimin e BE-së

Një ditë pas takimeve në Bruksel, Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media ka dhënë detaje nga diskutimet me palën serbe dhe ndërmjetësit. Sipas komunikatës së Qeverisë, Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por se nënshkrimi është refuzuar nga Serbia.

Njoftimi thekson se është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë. Aty thuhet po ashtu se edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin. Në takimin trilateral, u dakordua që teksti i Propozimit të BE-së të mbetet i pandryshuar, edhe pse Serbia ende nuk është treguar e gatshme për ta nënshkruar. Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet në njoftim.

Sipas Qeverisë, teksti i dakorduar është “mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre”.

Lexo më shumë  SPAK ‘zbërtheu’ bandën e Suel Çelës! Arrestohen Xhino dhe Marsel Roka, dy vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit

“Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *