Qeveria e Kosovës miraton sanksionet ndaj Rusisë
Qeveria e Kosovës ka miratuar sanksionet e saj kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këto sanksione janë marrë duke iu bashkëngjitur vendeve partnerë, si SHBA-ja dhe BE-ja.
Kurti ka thënë se reagimi i Kosovës ndaj pushtimit rus në Ukrainë, duhet të shihet edhe si mesazh i orientimit politik dhe diplomatik të saj.
“Sot ditën po e fillojmë duke iu bashkëngjitur partnerëve tanë, në kundërpërgjigje ndaj agresionit ushtarak të Rusisë duke miratuar një pako të sanksione ndaj saj. Nuk është hera e parë që Kosova i vë sanksione federatës ruse. Kjo Rusi që po shohim sot nuk është një Rusi e re dhe një paralajmërim se nuk dëshiron të jetë një Rusi e re. Prandaj përgjigja e botës perëndimore dhe demokratike duhet të jetë e unifikuar dhe e vendosur. Reagimi jonë i menjëhershëm dhe i parezervë ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia duhet të lexohet edhe si mesazh i qartë i orientimit politik dhe diplomatik”, ka thënë Kurti në fjalën e tij para kabinetit qeveritar.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se sanksionet përfshijnë sanksionet ekonomike dhe financiare të vendosura nga Këshilli i BE-së, dhe SHBA-ja, derisa ato përfshijnë ngrirjen e aseteve të bankave ruse dhe ndalimin e transitit të individëve rus në vendet që i zbatojnë sanksionet.
“Sanksionet ekonomike dhe financiare nga këshilli i BE-së dhe SHBA-ja: Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i qasjes së tyre në tregje financiare dhe masa të tjera restriktive që shenjtërojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politike të përfshirë në marrjen e vendimit për invadimin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”, ka thënë Gërvalla.
Rruga Press