Opinion/Aktualitet

Qëndrimet anti shqiptare dhe disekuilibri anti amerikan dhe anti atlantik i qeverisë hungareze

Nga Shaban Murati

Metafora për Hungarinë si Kalë Troje i Rusisë në NATO dhe në BE është e vjetëruar tashmë dhe kryqtari Viktor Orban po vepron si ushtar i posaçëm i Rusisë në prapavijat e NATO-s dhe të BE. Qeveria e kryeministrit Orban e ka shkallëzuar kryqëzatën e saj antiamerikane dhe antiatlantike në të njejtën gjatësi vale me strategjinë e agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

Në 4 maj kryeministri Orban ndërmori një sulm të ashpër direkt kundër qeverisë së SHBA, që shënon një rast të pashembullt në historinë e marrëdhënieve normale midis dy shteteve, që kanë marrëdhënie diplomatike, pa le më mdis dy shteteve anëtare të aleancës ushtarake të NATO-s.

Në fjalimin e tij të 4 majit Orban arriti deri atje sa që të akuzojë qeverinë amerikane të presidentit Bajden si shkaktare të agresionit ushtarak rus në Ukrainë: ”Po të ishte president presidenti Trump, nuk do të kishte luftë në Ukrainë. Kthehu presidenti Trump, na jep neve paqe”.

Është e paimagjinueshme që kryetari i qeverisë së një shteti anëtar të NATO-s të arrijë deri në atë kuotë të ulët logjike sa që fajin e agresionit ushtarak rus dhe të pushtimit rus të Ukrainës t’ia veshë qeverisë së presidentit Bajden. Dhe as në përralla nuk mund të shkojë fantazia aq lart në qiell, sa që të thotë kryeministri se po të qe Trumpi president Kremlini nuk do të shkaktonte luftë në Ukrainë. Është një shtrembërim skandaloz i së vërtetës për agresionin aktual rus në Ukrainë, që e justifikon agresionin rus dhe që e nxjerr të pafajshëm Putinin dhe Rusinë për ndërhyrjen ushtarake të tipit nazist në Ukrainë.

Është një logjikë e mbrapshtë, që justifikon të gjitha krimet dhe masakrat barbare, që ushtria ruse ka kryer dhe po kryen në tokat e pushtuara ukrainase. Madje Orban u tregua më katolik se Papa, sepse Putini ka akuzuar NATO-n si shkaktare për invazionin ushtarak rus në Ukrainë, kurse kryeministri hungarez akuzoi direkt qeverinë e presidentit Bajden, sikur ajo e ka fajin për luftën në Ukrainë.

Retorikën agresive proruse të shefit të qeverisë e vazhdoi në të njejtin tonalitet ministri i jashtëm filorus Peter Szijjarto, i cili në 5 maj sulmoi “SHBA që në mënyrë të qartë po e shtyjnë Hungarinë në luftë”.

Në një situatë të tillë alarmante diplomatike dhe politike, ku kryeministri, ministri i jashtëm dhe gjithë qeveria hungareze akuzojnë SHBA për agresionin ushtarak rus në Ukrainë, nuk shtrohet më pyetja se “ku po shkon Hungaria?”, por del pyetja se “çfarë do të bëhet me Hungarinë në NATO?”. Orban ka krijuar situatën absurde të pandodhur kurrë më parë në NATO që një shtet anëtar bëhet aleat me agresorin rus dhe jo me shtetet anëtare të së njejtës aleancë ushtarake.

Hungaria e Orbanit e ka ndjekur politikën antiatlantike filoruse edhe në planin ushtarak qysh me fillimin e agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Qeveria e kryeministrit Orban ka refuzuar që të  bashkohet me qendrimet dhe vendimet e NATO-s për t’i dhënë ndihma ushtarake popullit ukrainas për t’u mbrojtur dhe për të përballuar agresionin e pushtuesve rusë.

Qeveria e kryeministrit Orban ka refuzuar të lejojë kalimin në territorin hungarez të  ndihmave ushtarake të vendeve të NATO-s për popullin e Ukrainës. Në të njejtën kohë qeveria e Orbanit në mënyrë skandaloze ka lejuar karvanet ushtarake ruse që të kalonin nëpër Hungari dhe të furnizonin me armë të sofistikuara makinën  ushtarake të Serbisë. Qeveria e kryeministrit Orban ka bllokuar zhvillimin e takimeve në nivel të lartë të komisionit NATO-Ukrainë.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Shihet qartë që retorika antiamerikane dhe antiatlantike e kryeministrit Orban shoqërohet me veprime direkte antiatlantike, të cilat dëmtojnë interesat strategjike të vetë Aleancës Atlantike.

E gjithë dinamika e agresionit ushtarak rus në Ukrainë evidenton se Hungaria është shndrruar në  një aleat efektiv të Rusisë agresore dhe në një kundërshtare dhe armike defacto e NATO-s, Në datën 12 pril 2023 ambasadori amerikan në Budapest, David Pressma, deklaroi se “Qeveria hungareze vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe mbështet makinën ruse të luftës në forma të ndryshme ekonomike”.

Pra Hungaria po mbështet makinën ruse të luftës dhe kjo vjen nga një shtet, që vazhdon të mbajë kartën e anëtarsisë në NATO dhe në BE. Kemi një kundërvënie të hapur hungareze me detyrimet si shtet anëtar, me përgjegjësitë dhe me sistemin e vlerave, që mbështet NATO. Në 5 maj “Washington examiner” theksonte se “Orban tregoi se ai nuk është aleat i besueshëm për Amerikën”.

Dhe kuptohet se përderisa nuk është aleat i besueshëm në NATO për Amerikën, ai nuk mund të jetë i besueshëm për asnjë shtet tjetër anëtar të NATO-s, përfshirë edhe Shqipërinë. Sepse ai ka zgjedhur kampin antiperëndimor dhe është bërë aleat i besueshëm vetëm për Rusinë dhe për Serbinë. Është vërtete skandaloze që në kohën që SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione të ashpra diplomatike dhe ekonomike për Rusinë dhe për zyrtarë të lartë të saj, ministri i jashtëm hungarez Peter Szijjarto ka shkuar për vizita në Moskë pesë herë që nga nisja e agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

E fundit ishte në 11 prill 2023, ku ministri i jashtëm hungarez takoi dhe zhvilloi bisedime në Moskë me zyrtarë të lartë rusë, të cilët janë nën sanksione nga SHBA dhe nga BE. Theksojmë se gjatë kësaj kohe të agresionit ushtarak rus në Ukrainë ministri i jashtëm hungarez nuk ka takuar asnjëherë ministrin e jashtëm të Ukrainës, shtetit fqinjë që është viktimë e agresionit  rus.

Hungaria e Orbanit ka qenë promotore e mbrojtjes së interesave të Rusisë edhe në BE, ku ka dalë kundër sanksioneve të vendosura nga BE ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë. Në 21 mars 2023 Hungaria vuri veton dhe bllokoi deklaratën e përbashkët të BE për urdhërin e Gjykatës Kriminale Ndërkombëtare për arrestimin e  presidentit rus Vladimir Putin si kriminel lufte për krimet në Ukrainë.

Dy ditë më vonë në 23 mars qeveria hungareze me vendim e refuzoi zbatimin e urdhërit të Gjykatës Ndërkombëtare në territorin e Hungarisë dhe deklaroi se qeveria nuk do ta arrestojë Putinin nëse hyn në Hungari.

Në rezonancë me strategjinë ruse të destabilizimit të vendeve të NATO-s dhe të BE dhe njëkohësisht me rivendikimet territoriale ruse për Ukrainën dhe shtete të tjera të Europës Lindore, edhe kryeministri Orban ka nisur një fushatë rivendikimesh të befasishme territoriale ndaj shteteve fqinjë. Kështu në datën 5 maj Orban doli dhe u ngrit me pretendime teritoriale ndaj Ukrainës, e cila po përballet me agresionin dhe pushtimin rus, dhe deklaroi se Ukraina “është territor i lashtë hungarez”.

Rivendikime të habitëshme territoriale kryeministri Orban ka bërë edhe ndaj bregdetit kroat. Nxjerrja e pretendimeve teritoriale të Hungarisë ndaj shteteve të NATO-s apo të BE është ndihmesë për strategjinë ruse të provokimit të sherreve dhe të konflikteve në Europë.

Lexo më shumë  𝐊𝐮𝐫 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚 𝐟𝐥𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐠𝐣𝐮𝐡𝐞̈𝐧 𝐞 𝐚𝐫𝐦𝐢𝐤𝐮𝐭: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐚𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜𝐞̈ 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐧

Hungaria po promovon edhe politikën e izolimit të Europës, duke tundur flamurin e fondamentalizmit kristian dhe duke afishuar si devizë qeveritare krijimin e “Europës kristiane”, që duhet të dëbojë miliona emigrantët dhe popujt e tjerë, që jetojnë e punojnë në Europë. Në datën 8 maj, siç njofton media hungareze “Budapest time”, ministrja e drejtësisë e qeverisë hungareze, Judit Varga, shpalli se “qeveria punon çdo ditë për një Europë kristiane”. Është një platformë dhe objektiv racist i një shteti anëtar të BE dhe të NATO-s, i cili merr papritmas flamurin mesjetar të kryqëzatës fetare në shekullin 21.

Nuk e has këtë politikë të turpshme qeveritare në asnjë shtet tjetër të BE. Është shprehje e një filozofie politike mesjetare dhe e një misioni përçarës dhe destabilizues në mes të Europës, gjë që në fund të fundit i intereson vetëm Rusisë për të krijuar turbullira në kontinentin europian.

Në këtë histeri antiamerikane dhe antiatlantike tërheq vëmendjen edhe histeria antishqiptare e qeverisë hungareze. Në datë 24 prill 2023 Hungaria votoi zyrtarisht kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Ishte një akt dhe veprim anormal për çdo shtet serioz. Së pari, kemi një absurditet diplomatik dhe juridik. Nuk mundet kurrë një shtet të dalë kundër anëtarësimit të një shteti tjetër në organizatat ndërkombëtare, nëse ka marrëdhënie diplomatike me atë shtet dhe e ka  njohur si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare.

E drejta e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare është pjesë e pandarë e njohjes së një shteti si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare. Budapesti harron se e ka njohur Kosovën si shtet  pavarur dhe refuzon pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Në mënyrën më skandaloze ministri i jashtëm hungarez zgjodhi ta njoftojë veton e Hungarisë kundër Kosovës qysh në janar të këtij viti në prani të ministrit të jashtëm serb, çka tregonte se qeveria hungareze po shkelmonte normat e marrëdhënieve ndërkombëtare për hatrin e Serbisë.

Së dyti, kemi një goditje të hapur nga Budapesti të interesave të kombit shqiptar, të Kosovës dhe të Shqipërisë. Një shpjegim mund të jetë se qeveria e Orbanit i bën një shërbim të posaçëm qeverisë së Vuçiçit në pretendimet e saj territoriale mbi Kosovën. Shpjegimi tjetër më realist mund të jetë që Hungaria i bën shërbim Rusisë, e cila ka interes strategjik që të mbetet i pazgjidhur konflikti midis Serbisë dhe Kosovës, sepse me këtë mënyrë Moska siguron ndërhyrjen dhe praninë e përherëshme në Ballkanin Perëndimor.

Hungaria shtet anëtar i NATO-s bëhet aleate jo me Kosovën dhe as me Shqipërinë, anëtare e NATO-s, por me Serbinë, armike e NATO-s, mbi të cilën NATO, përfshirë edhe Hungarinë, në vitin 1999 ndërhynë ushtarakisht që ta shpëtonin Kosovën nga agresioni kriminal serb. Është me të vërtetë qendrim i pakuptueshëm që ndaj goditjes së pabesë hungareze në Strasburg nuk reaguan as Prishtina, dhe as Tirana. Sidomos Shqipëria, që është anëtare e NATO-s, dhe e cila detyrohet nga Neni 5 i Traktatit Atlantik që t’i shkojë në ndihmë Hungarisë në rast se ajo sulmohet për shembull si në 1956 nga Rusia, duhet të reagojë me forcë në NATO, dhe në çdo forum diplomatik.

Tirana nuk mund  të  mbyllë sytë përpara realiteteve, që ndryshojnë të marrëdhënieve dypalëshe. Hungaria e Viktor Orbanit nuk është më Hungaria e Janosh Huniadit. Është një Hungari e bërë njësh me Serbinë, armiqësore ndaj interesave shtetërore dhe kombëtare të të dy shteteve shqiptare. /gazetadita.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *