Lajme

Qendra e emigrantëve në Gjadër – Eurodeputetët: Vizitë shumë e turpshme, s’na lejuan të futeshim

Një delegacion i anëtarëve të Parlamentit Europian deklaroi se u pengua të kryente një inspektim të plotë në qendrën e ndalimit të emigrantëve në Gjadër, e cila administrohet nga autoritetet italiane. Eurodeputetja e grupit të të Gjelbërve/EFA, Tineke Strik, e cilësoi vizitën “shumë zhgënjyese dhe të turpshme”, duke akuzuar stafin e qendrës se krijoi pengesa gjatë inspektimit. Sipas saj, delegacionit nuk iu lejua hyrja në zonat e paraburgimit, nuk mori informacion nga stafi dhe nuk iu dhanë përgjigje për pyetjet e ngritura.

“Ne nuk morëm asnjë të dhënë dhe nuk na u lejua të shihnim kushtet në qeli”, u shpreh Strik, duke shtuar se disa prej të ndaluarve me të cilët arritën të komunikonin kishin shqetësime për procedurat e azilit dhe mungesën e një zgjidhjeje për situatën e tyre.

Lexo më shumë  E pazakontë/ Mbi 200 milionë më shumë në depozitat në euro gjatë majit në Shqipëri

Delegacioni vizitoi edhe qendrën e përpunimit të emigrantëve në portin e Shëngjinit, e cila, sipas marrëveshjes Itali-Shqipëri të nënshkruar në vitin 2023, shërben për regjistrimin e personave të shpëtuar nga anijet italiane në Mesdhe, ndërsa qendra e Gjadrit përdoret për shqyrtimin e kërkesave për azil dhe ndalimin e personave që presin riatdhesimin.

Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka deklaruar më herët se qendra e Gjadrit funksionon si territor italian, ndërsa policia shqiptare është përgjegjëse vetëm për sigurinë e perimetrit. Qendrat e emigrantëve në Shqipëri kanë qenë vazhdimisht objekt debatesh dhe sfidash ligjore. Pas vendimeve të gjykatave italiane që bllokuan disa transferime, objekti në Gjadër përdoret kryesisht si qendër ndalimi për personat që janë në pritje të deportimit. Sipas të dhënave të publikuara, që nga mesi i qershorit aty ndodheshin rreth 620 persona.

Lexo më shumë  Gjykimi në Hagë, Serwer: Jam penduar që kam mbështetur krijimin e Dhomave të Specializuara

Vizita e eurodeputetëve vjen në një kohë kur Bashkimi Europian ka miratuar rregulla të reja për kthimin e emigrantëve, të cilat parashikojnë mundësinë e ngritjes së qendrave të kthimit jashtë territorit të BE-së. Kritikat ndaj modelit Itali-Shqipëri, megjithatë, vijojnë të mbeten të forta nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe një pjesë e eurodeputetëve.

Rruga Press

YouTube player