Qëlloi dy herë më armë drejt 25-vjeçarit që po vraponte, zbardhet dëshmia e efektivit të ‘Shqiponjave’
Është zbardhur dëshmia e punonjësit të Policisë, i cili ka qëlluar me armë 25-vjeçarin Klodjan Rasha në zonën e Laprakës në Tiranë. Efektivi është shprehur se i ka bërë thirrje disa herë të riut që të ndalonte, por nuk ka pranuar, dhe për këtë shkak e kanë ndjekur.
“Isha turni i tretë dhe isha në punë. Ishim për patrullim në zonë, e kemi parë duke lëvizuar jashtë orës policore, përveç kësaj na ngjalli edhe dyshime. I komunikuam që të ndalonte por nuk pranoi, nisi të na kërcënonte. Teksa u përpoqëm ta ndalojmë, ai vrapoi. Kam njoftuar fillimisht sallën, dhe më pas e ndoqëm nga pas duke i bërë vazhdimisht thirrje që të ndalonte”, mësohet të ketë deklaruar efektivi i Shqiponjave.
Ligji i Policisë së Shtetit e parashikon qartë se efektivi qëllon me armë vetëm në rast se ka një rrezik nga personi përballë, dhe gjithnjë duhet të qëllojë në pjesët e poshtme të trupit. Ndërkohë që ndaj Rashës është qëlluar me dy plumba, një në kokë dhe një në pjesën e shpatullës, që i kanë shkaktuar vdekjen.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha, nga punonjës të ‘Shqiponjave’. Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Tiranës ka ngritur një grup hetimor, nën drejtimin e prokurorit Ardjan Braho, i cili po heton nëse punonjësit e Policisë e kanë tejkaluar funksionin e tyre.
Efektivi i ‘Shqiponjave’ që ka qëlluar mbi Rashën aktualisht ndodhet i shoqëruar në ambientet e drejtorisë së Tiranës, ku pas ngjarjes është marrë në pyetje për disa orë nga prokurori dhe një Oficer i Policisë Gjyqësore.
Hetimet janë në vijim dhe për shkak të se ngjarja është sensitive grupi hetimor ështe shumë i rezervuar për dhënie të detajeve në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit. Pritet që efektivit që ekzekutoi Klodian Raxhën ti komunikohet arresti për dyshime se nuk ka kryer veprimet e duhura në ngjarjen e sotme.
Rruga Press raportoi më herët se janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën përreth ngjarjes, përfshirë edhe në servisin që gjendet pak metra larg vendit ku është ekzekutuar 25-vjeçari dhe një bar kafeje.
Kamerat e servisit kanë qenë të fikura dhe nuk kanë kapur asgjë. Burime bëjnë me dije se janë vetëm disa pamje të një biznesi në afërsi të Kupolës, e cila ka kapur disa sekuenca të lëvizjes në ndjekje e sipër me shpejtësi të të riut nga efektivët e policisë.
Efektivi i policisë shtetasi N.H që ka shtënë në drejtim të Rashës kishte dy javë që ishte transferuar në repartin “Shqiponja”. Më parë ka shërbyer në Komisariatin nr. 5 në Kamëz. Burimet ndërkohë bëjnë me dije se efektivët “Shqiponja” nuk kanë patur kamera trupi të instaluara.
Sa i takon të riut, për të cilën Policia u kujdes të njoftonte në rrugë jozytare se kishte qenë një person me precedentë penalë të mëparshëm, fqinjët dhe familja pretendojnë të kundërtën, duke thënë se ai ishte shumë i sjellshëm, dhe nuk ngacmonte akënd në lagje.
Ndërkohë xhaxhai i Klodianit, Hasan Rasha teksa foli në emrin e familjes, tha se nipi i tij ishte një person që kishte pasur më herët probleme me shëndetin mendor, për të cilat dhe ishte mjekuar, ndërsa dha bindjen e plotë se nuk kishte pasur armë as me vete dhe as në shtëpi. Ai kërkoi që ngjarja të zbardhet sa më parë nga ana e Policisë, ndërsa u shpreh i bindur se nipi i tij nuk ka drejtuar armë në drejtim të punonjësve të Policisë.
Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se Rasha ka marrë 2 plumba, një në kokë dhe një në shpinë, që nuk ka lidhje asesi me veprimin e Policit për ta neutralizuar atë. Policia dhe SHÇBA po kryejnë hetime në lidhje me rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që efektivi që ka qëlluar në drejtim të 25-vjeçarit për momentin ndodhet i ndaluar.