Opinion/Aktualitet

Që Rama të mbetet i pahetueshëm

Nga Enton Abilekaj

Në pritje të Kongresit të 8 dhjetorit, është e qartë se askush në atë që quhet Partia Socialiste, nuk e ka idenë se çfarë do të ndodhë. Pritet vetëm komunikimi live i liderit absolut për të marrë vesh çfarë do ndodhë me jetët e dhjetra apo qindra njerëzve me pushtet. Një ankth i pangjashëm edhe me atë të komunizmit, kur vendimet, edhe pse personale, diskutoheshin në byro përpara se t’i komunikoheshin popullit.

Kjo nuk është e re, ashtu si nuk është e re as përpjekja e Edi Ramës për ta deklaruar veten lider liberal, që kundërshtohet nga bashkëpunëtorët dhe shumë herë pranon mendimin e tyre. Kjo fabul bajate, e përsëritur me bashkëpunëtorë që, megjithëse nuk kanë asnjë fuqi për të shmangur linçimin publik që Lideri u bën në çdo Asamble dhe Kongres, paskan fuqi të kundërshtojnë idetë dhe vendimet e tij, nuk bind askënd, por shërben për të kuptuar ushtrimin e pushtetit të Ramës jashtë PS-së, aty ku ai bën sikur është i pafuqishëm.

Prej kohësh Kryeministri bën sikur nuk ka komunikim me asnjë institucion të Drejtësisë së re dhe veçanërisht me SPAK. Për ta rrëzuar këtë pretendim, nuk ka fakte direkte. Arrestimet e kontrolluara, që bëhen pas shkarkimeve, imuniteti i çuditshëm i të preferuarve të Ramës, si në rasin e Ilir Beqjas, apo vetë paprekshmëria e Kryeministrisë (ku përfshihen të gjithë punonjësit nga Kryeministri deri te korrieri) ndaj hetimeve, janë të mjaftueshme për ta përgënjeshtruar, por, më shumë se të gjitha këto, vlen ajo që po ndodh në Parlament.

Lexo më shumë  Kur do ketë Tirana guximin t’i kujtojë Athinës gjenocidin grek në Shqipëri në 1914?

Kryeministri, jo vetëm që refuzoi të drejtën Kushtetuese të opozitës për Komisionet Hetimore, por ka hartuar një ligj anti- Kushtetues që i shndërron komisionet hetimore në surrogatot e prokurorive të rretheve, pa asnjë kompetencë dhe pa asnjë efekt. Pavarësisht se opozita kishte çuar propozimet e veta, maxhoranca caktoi Ermonela Felajn për të bërë një ligj që u jep fund komisioneve hetimore në Parlament dhe ia heq opozitës edhe mundësinë e vetme për të mos qenë fasadë demokratike. Protestës së zjarrtë të opozitës i përgjigjet me kërcënimin e Taulantit se do i dënojë me 5 vjet burg, kundërshtimit të opozitës i ka nxjerrë Gardën, që është më ë madhe në numër se deputetët, krizës i ka nxjerrë ligjin për asgjësimin e rolit të opozitës, vetëm që të mos hetohet nga Komisionet Hetimore, pavarësisht se nuk është hetim penal.

Ky reagim i ashpër që tregon panikun që ka ndaj hetimit nga Parlamenti, tregon fare mirë se si do të reagonte Edi Rama nëse do të hetohej nga SPAK. Ky reagim ushtarako-policor në mes të Parlamentit dhe në sytë e gjithë publikut vetëm për të mos u hetuar nga Parlamenti, e bën të thjeshtë të kuptohet reagimin ndaj një mundësie sado të vogël që një prokuror i SPAK, të lëshonte një fletë-thirrje, apo një OPGJ i BKH-së të shkonte në Kryeministri për të marrë në pyetje këdo prej punonjësve. Kur ai në praninë e kamerave, nën vëmendjen e mediave më të mëdha të Botës, ambasadave dhe zyrave diplomatike të Perëndimit është gati të bëjë Juntë në Parlament për të mos u hetuar, është e lehtë të imagjinosh se çfarë do bënte me një prokuror të SPAK, i cili, pa praninë e kamerave dhe jashtë vëmendjes së publikut, medias, apo diplomatëve, të tentonte të kryente detyrën për procedurën e miratimit dhe pagesave të Inceneratorëve.

Lexo më shumë  Bushati: Telefonata e Ramës ndaj medias italiane, si thirrja e një kapo bande

Zjarri dhe Garda në Kuvend, nuk nxjerrin lakuriq vetëm mungesën totale të të drejtave të opozitës, jo vetëm inekzistencën e pushtetit Parlamentar që është pushteti i parë në Republikën tonë, por edhe mungesën totale të shpresës se Drejtësia do të funksionojë si Pushtet i pavarur, apo mund të kontrollojë sadopak Ekzekutivin, pushtetin e të cilit e ka vetëm Edi Rama. Nëse Pushteti Ekzekutiv, që në fakt është pushteti personal i Edi Ramës, kontrollon 2 pushtetet e tjera, nuk ka as kontroll, as balancë, as demokraci./Dosja.al

Rruga Press

YouTube player