Pyetja e gabuar nga Daniel Serwer
Nga Hysamedin Feraj
Pyetja e profesor Serwerit, mbrojtës afatgjatë i drejtësisë, të konkretizuar në rastin tonë, “çka do t’i jepni Serbisë” mbase është shtruar që të marrin përgjigjen e duhur keqdashësit dhe të paditurit. Përndryshe, pyetja është esencialisht e pakuptimtë.
■ Detyrimi me i dhënë diçka dikujt lind kur:
1. I është marrë borxh ose hua diçka;
2. Kompensohet për një padrejtësi, që i është shkaktuar, dëm apo faj që është bërë ndaj tjetrit;
3. Ka kryer ndonjë punë të kërkuar nga ne dhe/ose në favorin tonë:
4. Për hir të detyrimit moral për bamirësi dhe mëshirë përgjithësisht.
■ Cili prej tyre është rast që i krijon Kosovës detyrimin me i dhënë diçka Serbisë?
Pra, cila është premisa që e bën të kuptimtë atë pyetje?
Sepse nëse premisa është e pabazuar, atëherë vetë pyetja që e merr atë për të vërtetë dhe ngrihet mbi këtë besim, është e rreme, domethënë e pakuptimtë, sepse arsyetimi është logjikisht i pavlefshëm. Dhe inkoherenca logjike është tipar i atij që më gjuhën e përditshme quhet budallëk.
Duke pasur parasysh qëndrimet e profesor Serwerit, pyetja e tij nuk ka qenë budallaqe, pikërisht kur ka pasur synim sjelljen në diskutim të premisave, vetëm nga pranimi i të cilave pyetja mund të bëhet e kuptimtë. Ndoshta për profesor Serwerin ka qenë e rëndësishme që dikush të marrë përgjigjen e duhur e në dorë të parë për ato premisa, jo për pyetjen direkte.
■ Gjithsesi:
1. Kosova nuk i ka marrë asgjë borxh as hua Serbisë. Pavarësia nuk iu dha Kosovës, as borxh as hua nga Serbia.
2. Sipas Gjykatës së Drejtësisë, pavarësia e Kosovës nuk përbën padrejtësi, shkelje të ligjit ndërkombëtar, rrjedhimisht as nuk shkakton dëm padrejtësisht dhe as nuk përbën ndonjë faj;
3. “Puna” e vetme që ka bërë Serbia është agresioni, gjenocidi dhe grabitja, as të kërkuara as të provokuara nga Kosova, por të kundërshuara nga Kosova. Me asnjë moral, kush mbrohet nga sulmi nuk hyn në borxh ndaj agresorit edhe nëse agresori pëson ndonjë dëmtim.
Nëse kërkesa për pavarësi konsiderohet provokim dhe ftesë për agresion, atëherë bie ndesh logjikës së çdo koncepti për moralitetin.
4. Bamirësia është detyrim i përgjithshëm dhe i pashmangshëm moral, por nuk cakton tjetrin konkret ndaj të cilit realizohet ai detyrim. Zgjedhja për kë do të realizohet bamirësia i mbetet bamirësit.
■ Mirë që në atë kontekst injorance, dhe mbase ligësie, profesor Serwer me sa duket qëllimisht ka dhënë rast të diskutohen premisat e asaj pyetjtje dhe pakuptimësia e saj.
©Rruga Press