Bota

“Putini shkon në Alaskë për të “blerë” pëlqimin e Trumpit“/ Eksperti polak paralajmëron: rreziku i manipulimit është real

Gjatë takimit të tij me Presidentin amerikan Donald Trump në Alaskë, Vladimir Putin pritet të përpiqet të ledhatojë liderin amerikan dhe “të fitojë pëlqimin e tij” duke bërë disa propozime që i shërbejnë interesave të Rusisë.

Sipas Daniel Szeligowski, shef i Programit për Evropën Lindore dhe kryeanlist për Ukrainën në Institutin Polak për Çështjet Ndërkombëtare (PISM), Moska do të synojë të fitojë kohë për çështjen e armëpushimit dhe të shmangë sanksione të reja.

“Edhe nëse Trump arrin një marrëveshje me Putinin në Alaskë, kjo nuk do të thotë që Ukraina ‘do të pranojë automatikisht apo mund të detyrohet ta bëjë këtë’,” – theksoi Szeligowski për Ukrinform.

Ai parashikon se takimi do të fokusohet kryesisht në një diskutim të përgjithshëm për kornizat e një zgjidhjeje politike, dhe nuk e përjashton mundësinë që Trump të arrijë njëfarë përparimi në çështjen e armëpushimit.

“Mendoj se ka një shans për të arritur një armëpushim të pjesshëm, megjithëse kjo nuk do të thotë se do të zbatohet. Mua më duket se kjo është ajo që duan si Ukraina, ashtu edhe Evropa. Putini gjithashtu do të duhet t’i ofrojë Trumpit diçka, në mënyrë që presidenti amerikan të kthehet me një rezultat konkret,” – u shpreh ai.

Sipas tij, një nga ofertat e mundshme të Putinit mund të jetë ndalimi i sulmeve ajrore, në këmbim që Trump të premtojë se do të bindë Kievin të pranojë të ashtuquajturin memorandum rus nga Stambolli si bazë për bisedimet e paqes.

Lexo më shumë  Lufta kundër korrupsionit, BE-ja miraton ligjin bazë

Szeligowski nënvizon se Rusia synon disa objektiva: të fitojë kohë për të shmangur sanksione të reja, të ruajë iniciativën në front dhe sidomos të fitojë simpati nga Trump.

“Pikërisht për këtë Rusia nuk është shumë e interesuar për një armëpushim të plotë… Por për rusët është më e rëndësishme të fitojnë favorin e Trumpit, ndaj duhet t’i ofrojnë atij diçka. Një mundësi është ndalimi i bombardimeve ajrore, pasi goditjet ukrainase janë më të dëmshme për Rusinë,” – tha ai.

Nga ana e saj, Ukraina është e interesuar për një ndalim të plotë të luftimeve dhe jo vetëm për një armëpushim në hapësirën ajrore, ku Kievi ka arritur fitore të dukshme.

Eksperti polak paralajmëron se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk do të jetë i pranishëm në takimin Trump–Putin dhe nuk do të ketë “filtra” shtesë si sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio, diplomatët amerikanë apo liderë europianë që e njohin mirë logjikën e Kremlinit.

“Kjo është arsyeja pse ky samit po mbahet – për të manipuluar Trumpin pa këta filtra,” – theksoi Szeligowski.

Ai shton se Putini nuk rrezikon shumë politikisht nga ky takim:

“Putini shkon atje për ta qetësuar Trumpin. Nga këndvështrimi rus, debati për sanksionet ka shkuar shumë larg. Prandaj ai duhet të tregojë fleksibilitet. Përfitimet politike për të janë të vogla, por kjo vizitë gjithashtu i lejon Rusisë të hedhë poshtë argumentin se Putini është i izoluar.”

Szeligowski nuk e përjashton mundësinë që, pas takimit, Trump t’i propozojë Ukrainës një armëpushim mbi bazën e argumenteve të Moskës, duke paralajmëruar se nëse Kievi nuk i pranon, kushtet mund të jenë më të këqija pas një muaji.

“Por nuk mund të përjashtojmë as mundësinë që Putini ta nervozojë Trumpin,” – tha ai.

Takimi mes dy presidentëve do të mbahet më 15 gusht në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson në Anchorage, Alaska. Nisma për këtë samit, gjatë vizitës së të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff në Moskë, erdhi nga pala ruse. Në qendër të Anchorage janë planifikuar protesta një ditë para dhe gjatë samitit.

Lexo më shumë  Gjermania vendos në funksion mburojën kundër raketave balistike

Më 13 gusht, Presidenti Trump dhe Zëvendëspresidenti JD Vance do të zhvillojnë një takim virtual me presidentin ukrainas Zelensky dhe liderë të disa vendeve evropiane.

YouTube player