Bota

Putini po “ia këput krahët” Prigozhinit, drejtuesit të mercenarëve Wagner, pasi shfaqi ambiciet për pushtet

Vetëm pak javë më parë, themeluesi i Grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, ishte një yll në ngjitje, në sferën ruse.

Luftëtarët e tij ishin një forcë shtytëse pas kapjes së qytetit ukrainas Soledar, duke shënuar fitoren e parë të Rusisë në shumë muaj.

Prigozhini kishte qenë i zëshëm në mediat sociale si për të promovuar grupin e tij mercenar, ashtu edhe për të kritikuar ashpër Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe udhëheqjen e saj ushtarake, dhe kishte spekulime se ai po përpiqej të kapë një punë zyrtare.

Por tani duket se presidenti rus, Vladimir Putin ka ndërmarrë hapa për të lënë mënjanë themeluesin e grupit mercenar dhe për të kërkuar që ai të zbusë kritikat.

Sergei Markov, një ish-këshilltar i Kremlinit, i cili mbetet pranë autoriteteve, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Kremlini kishte marrë një premtim nga Prigozhini se ai nuk do të krijonte lëvizjen e tij politike apo të bashkohej me një parti politike pa udhëzim nga autoritetet ruse.

Lexo më shumë  Ukrainasit nisin 100 mijë dronë drejt trupave ruse: “Po na djegin, ju lutem na ndihmoni”

Markov, i cili e përshkroi Prigozhinin si jashtëzakonisht konfrontues, tha se ai besonte që Vladimir Putini kishte mbajtur një takim me themeluesin e Grupit Wagner muajin e kaluar dhe i kërkoi atij të ndalonte kritikat publike ndaj drejtuesve të lartë.

Markov tha se nuk i dinte detajet e plota se kush tha çfarë në takim, por beson: “[Mesazhi] është se ne do t’ju japim burime ushtarake, por mos u përfshini në politikë tani për tani”.

Takimi nuk u shfaq në faqen e internetit të Kremlinit, por u konfirmua nga të paktën një pjesëmarrës tjetër, i cili postoi në lidhje me të në mediat sociale.

Javën e kaluar, Prigozhini tha në një intervistë se ai kishte “zero” ambicie politike – dhe është vërejtur se ai ka zbutur kritikat ndaj Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

“Pozicioni i bllokut politik (të Kremlinit) është që të mos e lejojë atë të hyjë në politikë. Ata kanë pak frikë prej tij dhe e shohin atë si një person të papërshtatshëm,” shtoi Markov.

Lexo më shumë  Britania premton 3 miliardë funte në vit ndihmë për Ukrainën

Ndërkohë, gjatë fundjavës, një kanal me ndikim në mediat sociale i lidhur me Wagnerin publikoi atë që dukej si një dokument udhëzues i lëshuar për mediat shtetërore nga Kremlini.

Dokumenti dukej se i këshillonte gazetarët të mos përmendnin Prigozhinin apo Grupin Wagner, por të përdorin fjalë të përgjithshme për të përshkruar forcat e tij.

Dokumenti nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, kurse mediave shtetërore nuk u lejohet që të bëjnë publike letra të tilla këshilluese.

Dmitri Alperovitch, me origjinë ruse, i cili është kryetar i thinktank-ut amerikan, Silverado Policy Accelerator, tha se ndjente që hapësira e Prigozhinit për manovrim po zvogëlohej.

“Ylli i Prigozhinit ka humbur shkëlqim. Ai e kishte tepruar me kritikat e tij ndaj elitave të ushtrisë dhe të tjerave,” tha ai.

“Tani, krahët e tij janë duke u prerë.”

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *