Bota

Putin guxon dhe tremb Londrën, Marina britanike në kërkim të nëndetëses spiune ruse në brigjet irlandeze

Një operacion zbulimi dhe ndjekje, ku një anije luftarake dhe një helikopter të Marinës Mbretërore britanike kërkonin një nëndetëse ruse, është zhvilluar në brigjet irlandeze.

Sipas Irish Examiner, e cila i referohet burimeve nga ushtria irlandeze, nëndetësja ruse fshihej në bregun vetëm pak metra larg hyrjes së Cork Harbour dhe ishte nisur me një mision spiun për llogari të kreut të Kremlinit, Vladimir Putin.

Ngjarja dramatike nënujore ndodhi gjashtë muaj më parë dhe dyshohet se qëllimi i misionit rus ka qenë që të studioheshin nga afër dobësitë në krahun perëndimor të mbrojtjes britanike.

Thuhet po ashtu se nëndetësja shoqërohej nga një anije civile e regjistruar në Rusi, e cila ofronte “mbikëqyrje sipërfaqësore”. Burimet për median irlandeze po ashtu kanë zbuluar se një helikopter britanik në errësirë të plotë hodhi pajisje hidrolokatore në ujë.

Lexo më shumë  Vazhdon arrestimi i gazetarëve të pavarur në Rusi

Menjëherë pas kësaj, një fregatë anti-nëndetëse e Marinës Mbretërore dyshohet se mbërriti në zonë për të monitoruar lëvizjet e nëndetëses ruse dhe ndoqi në çdo hap kërcënimin e mundshëm.

Edhe pse më shumë sesa provokuese, kjo lëvizje e Rusisë me nëndetësen e fshehur në kufirin bregdetar prej 12 miljesh, nuk ka shkelur asnjë ligj ndërkombëtar.

Por burimet ushtarake kanë zbuluar se ngjarje të tilla në bregdetin irlandez po bëhen të zakonshme. Ata sugjerojnë se Rusia po punon për të gjetur dobësi të mundshme në sistemet e mbrojtjes britanike, pasi zbuluan se Mbretëria e Bashkuar është e pambrojtur në kufijtë e saj ujorë me Irlandën.

Sakaq, edhe Marina e Republikës së Irlandës nuk ka aftësi sonar, që do të thotë se ato janë më pak të afta të zbulojnë në mënyrë efektive kërcënimet hyrëse nënujore.

Lexo më shumë  Imazhet satelitore që tregojnë dëmet në bazën ajrore ushtarake ruse – pas sulmeve nga Ukraina

Irlanda po ashtu nuk zotëron avionë luftarakë për të monitoruar as Tu-95 të epokës sovjetike, pasi avionëve ekzistues u mungon shpejtësia dhe lartësia për t’iu afruar atyre ruse.

Zbulimi i kësaj ngjarje vjen në një kohë kur ofensiva e Putinit në Ukrainë ka rritur frikën rreth cenueshmërisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe pjesës tjetër të infrastrukturës kritike të mbrojtjes të Evropës.

Në një hetim të përbashkët nga Danimarka, Finlanda, Suedia dhe Norvegjia në prill u zbulua se Rusia po përdor anije civile për të mbledhur informacione në Detin e Veriut. Ata gjurmuan dhjetëra anije kërkimore dhe peshkimi ruse që kaluan pranë fushave të naftës dhe gazit, fermave të erës, paneleve të energjisë dhe zonave të stërvitjes ushtarake.

Rruga Press

YouTube player