Lajme

“Pus e shtëpi”: Ndotja e naftës në Kuçovë lihet jashtë kontrollit

Prej dy vjetësh, asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka ushtruar kontroll mbi gjendjen mjedisore dhe ndikimin e ndotjes së puseve të Albpetrol në shëndetin e banorëve, ndërsa pellgjet e serës në oborret e shtëpive të banorëve sa vijnë e rriten.

Nadire Rogozi jeton në lagjen “Postbllok” në hyrje të Kuçovës. Si shumë familje të tjera që ngritën shtëpitë pas viteve ‘90 në këtë zonë, edhe Rogozi bashkëjeton me një pus nafte në oborr.

Para shtëpisë së Rogozit është krijuar prej vitesh edhe një pellg me naftë, që fryhet sa herë që pusi vihet në punë. Sipas saj, gjendja është më keq përreth një pusi të dytë që gjendet pas shtëpisë.

“Ata para një viti-dy, nuk i linin kështu. Tani nuk e di çfarë kanë! [Punëtorët] vijnë e pastrojnë një herë në 2-3 muaj pusin, por s’e heqin këtë serën, përtojnë për serën,” thotë gruaja.

Rogozi shton se shpesh është detyruar të blejë zhavorr për të izoluar pellgun, i cili në mungesë të pastrimit vijon të përhapet.

Halli i saj është edhe i shumë familjeve të tjera në Kuçovë.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari, banorët ankohen vazhdimisht për rrjedhjen e naftës, e cila për shkak të ndërtimeve pa kontroll për vite me radhë, ndodh shpesh shumë pranë shtëpive.

Rrjedhja e puseve të Albpetrolit shkakton prej vitesh probleme të rënda mjedisore në Kuçovë.

Sipas dy raporteve të  vetëmonitorimit mjedisor të bërë nga Albpetrol në vjeshtë dhe dimër të vitit 2019, të cilat BIRN i mori nga kompania publike përmes një kërkese për të drejtë informimi, ujërat sipërfaqësorë të zonës ishin të ndotur me hidrokarbure, fenole dhe një sërë elementësh të tjerë ndotës.  Raportet e përgatitur nga ECCAT Sh.p.k thekson edhe praninë e një sërë gazrave ndotës, por nuk bën me dije nëse ato ishin brenda apo jashtë normave të lejuara.

Pavarësisht riskut të lartë ndotës të industrisë së nxjerrjes së naftës dhe rrjedhjeve të saj të dallueshme me sy pranë shtëpive apo në përrenjtë e zonës, BIRN mësoi se këto dy raporte monitorimi ishin kontrollet e fundit të bëra në zonë.

Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Albpetrol i thanë BIRN se prej fillimit të vitit 2020 nuk kishte pasur kontrolle, duke paraqitur si arsye mungesën e logjistikës, COVID-19 dhe dështimin e një tenderi. Ndërsa Instituti i Shëndetit Publik tha se nuk kishte bërë monitorime për ajrin dhe ujin në zonë dhe nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me problemet shëndetësore të banorëve.

Jashtë kontrollit

Një pus nafte pranë një fushe të korrur në të dalë të Kuçovës. Foto: Vladimir Karaj.

Kuçova është zona më e vjetër e nxjerrjes së naftës në Shqipëri. Pusi i parë është hapur në vitin 1928 nga shoqëria italiane, AIPA, ndërsa shfrytëzimi filloi në vitin 1934. Një pjesë e mirë e puseve të zonës, përfshi disa brenda qytetit, punojnë ende me teknologjinë e viteve 30’.

Agjencia Rajonale e Mjedisit, ARM, për qarqet Korçë, Elbasan, Berat,  i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se Albpetrol në Kuçovë kishte gjithsej 1623 puse, nga të cilat 950 janë aktivë dhe ndodhen në territorin e bashkisë Kuçovë dhe bashkisë Dimal. Nga puset e bashkisë Kuçovë, rreth 500 ndodhen në zonën urbane të qytetit, rreth 50 në njësinë administrative Perondi dhe pjesa tjetër në njësinë administrative Kozare, ku era e naftës në ajër bëhet edhe më e theksuar sesa në qytet.

ARM tha gjithashtu se kishte ngritur një grup inspektimi më 1 prill, i cili gjeti se “në një pjesë të puseve që administron Albpetrol sh.a. u konstatuan ndotje të ngurta/të lëngëta”. Sipas inspektimit, Albpetrol pretendoi se perimetri i ndotjes ishte pronë e pusit të tyre.

Në një përgjigje të dytë për BIRN, ARM e mori në mbrojtje kompaninë publike të nxjerrjes së naftës, duke e justifikuar me infrastrukturën e vjetër.

“Duhet të  theksojmë  se tubacionet, kolektorët, depozitat apo dhe pajisje sipërfaqësore të  puseve janë  tejet të  amortizuara (gati 100 vjeçare),” thuhet në përgjigje.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

ARM po ashtu këmbënguli se ndotja ishte e trashëguar në vite dhe ishte vetëm sipërfaqësore, por pranoi se ata nuk mund të kontrollonin ndotje në ajër apo ujë, pasi institucioni nuk ka pajisje dhe staf të specializuar për të siguruar këtë informacion.

Ndërkohë, Agjencia pranoi se nuk ka kryer kontrolle në zonë në dy vitet e fundit.

“Për shkak të COVID -19  dhe mungesës së  logjistikës nuk ka kryer inspektime,” thuhet në përgjigje duke iu referuar viteve 2020 dhe 2021. Ndërsa një kontroll i planifikuar në fillim të vitit 2022, sipas ARM, nuk ishte miratuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, AKM. Drejtoresha e AKM, Arta Dollani nuk iu përgjigj një e-maili për arsyet e mosmiratimit të kontrollit në këtë zonë me probleme.

Banorët që jetojnë pranë puseve, si Nadire Rogozi, thonë se ndotja është e vijueshme dhe se ishin detyruar të investonin vetë për të ndaluar zgjerimin e pellgjeve të serës.

“Dhjetë apo 15 herë e kam hedhur vetë zhavorrin se thotë kështu ai: ‘s’erdhi pusi te ti, erdhe vetë,’ thotë Rogozi.

Banorë të tjerë që refuzojnë të identifikohen për shkak të probleme me banesat ende të palegalizuara thonë se ndotja sa vjen e rritet.

“Kjo ndotje është rritur këto vite. Tubacionet rrjedhin… Atëherë nuk bënte vaki të rridhte. Edhe ndonjëherë që ndodhte, gjatë shkarkimit, e merrnin me lopatë, e izolonin, kurse tani s’bëhet muhabet fare se është tubacioni shumë i amortizuar,” thotë një 65-vjeçar nga Kozara që kërkoi të ishte anonim.

Përveç ARM-së, që pranoi se nuk kishte bërë inspektime në zonë, edhe Albpetrol duket se nuk ka kryer më raporte vetëmonitorimi prej vitit 2020.

Dy raportet e fundit që përfshijnë periudhën Gusht 2019-Janar 2020, i nxjerrin ujërat e kanaleve kulluese të tokave bujqësore pranë pikës së stacionit qendror, të ndotura me hidrokarbure, fenole dhe disa metale të rënda.

Sipas raportit, “kjo tregon që në këto ujëra ka ndikim edhe aktiviteti”. Raporti rekomandon Albpetrol-in që të “mënjanohet çdo shkarkim me karakter teknologjik” dhe “të bëjë injektim në puse, të ujit që del nga vaskat e dekantimit” apo të pajisë punonjësit me mjete për djegien e gazrave.

Albpetrol nuk vuri në dispozicion raporte të vitit 2020, ndërsa i tha BIRN se “në vitin 2021 nuk është kryer vetëmonitorimi mjedisor sepse procedura e prokurimit publik u anulua”. Për vitin 2022, Albpetrol tha se “janë në procedura prokurimi”.

Për shkak se puset naftënxjerrëse të Kuçovës ndodhen edhe mbi akuiferin e Beratit, i cili përdoret për furnizimin me ujë të pijshëm të disa familjeve të këtij qarku përmes puseve të ujit, BIRN pyeti për gjendjen e ujërave të këtij akuiferi Shërbimin Gjeologjik Shqiptar.

Njësoj si institucionet e tjera, Drejtoria e Hidrogjeologjisë së këtij shërbimi vendosi në dispozicion të dhëna të vitit 2019.

“Bazuar vetëm në analizat fiziko-kimike për stacionet e ujit të pijshëm të monitoruara për periudhën 2016-2019, rezulton se akuiferi i Beratit nuk ka ndotje të ujërave nëntokësore të shkaktuara nga industria e naftës,” tha drejtoria e Hidrogjeologjisë.

Megjithatë, Drejtoria e Hidrogjeologjisë njofton se në laboratorin e tyre nuk janë kryer analiza pesticide, bakteriologjike dhe të PAH (një grup kimikatesh që gjenden dhe në naftën bruto), të cilat janë tregues për cilësinë e ujërave dhe kanë një ndikim të lartë në shëndet.

Pus e shtëpi

Një pellg sere është krijuar pranë një pusi në Kuçovë. Foto: Vladimir Karaj.

Një nga specifikat e fushës së naftës së Kuçovës është afërsia dhe ndërthurja e puseve me qendrat e banuara. Sipas rregullave, një pus nafte duhet të zotërojë një sipërfaqe nga 650-900 metra katrorë, por këto parametra nuk zbatohen gjithmonë në Kuçovë. Brenda qytetit ka puse nafte edhe pranë pallateve që janë ndërtuar 50 vjet më parë.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Por më e theksuar ndërthurja është në fshatra, ku puset e naftës janë shpesh brenda oborreve të shtëpive, të cilat janë ndërtuar pas viteve ’90.

“Gjithë zona perëndimore e Kuçovës është puse-banesa, puse-banesa,” thotë kryetari i Bashkisë së Kuçovës, për të cilin është një shqetësim ngrirja e procesit të legalizimit të këtyre banesave.

Ai thotë se në dy takime që janë bërë për këtë çështje, Bashkia Kuçovë, ka propozuar që të bëhet një ndryshim në ligj në mënyrë që sipërfaqja totale rreth secilit pus të mos preket, por forma e saj të përshtatet, në mënyrë që edhe qindra shtëpi që janë ndërtuar në këto zona, të mund të legalizohen.

Ngërçi i kësaj situate ndikon në rezervimin e banorëve dhe pronarëve të shtëpive në Kozarë për të folur rreth shqetësimeve që shkakton afërsia me puset e naftës që rrjedhin vazhdimisht. Puset nuk janë problem vetëm për mjedisin apo shëndetin, por edhe për sigurinë fizike të fëmijëve të tyre, pasi disa prej tyre janë të parrethuar.

Ata banorë që pranojnë të flasin për problemet shëndetësore nuk pranojnë të identifikohen.  “Po qe nga shëndeti, ne jemi të tërë të sëmurë nga ndotja. Ndotje e paparë! Do për fëmijët, do për ne, moshën tonë,” thotë një 65-vjeçar i lindur në Kozarë.

“Sëmundje kemi ne, por se nga i kemi nuk e dimë,” thotë një tjetër banor i Kozarës, që po ashtu kërkon të jetë anonim.

Mjeku Guxim Llangozi i qendrës shëndetësore Havaleas i komunës Kozarë thotë se ai vetë nuk mund të dalë në përfundimin sesi ndikon mjedisi i kësaj zone në shëndetin e banorëve, pasi për këtë duhen studime. Por ai pranon se në zonën që mbulon ka “goxha raste” me astmë bronkiale. “Nisur dhe nga bisedat me mjekë alergologë, zonat naftëmbajtëse kanë goxha raste me astmë bronkiale,” tha ai.

Megjithatë, Instituti i Shëndetit Publik nuk kishte të dhëna mbi gjendjen e ujit apo ajrit të zonës dhe shëndetin e banorëve.

ISHP i tha BIRN se nuk ka kryer aktualisht monitorim të cilësisë së ajrit dhe ujit në zonën naftënxjerrëse të Kuçovës dhe nuk i përgjigj pyetjes mbi gjenden shëndetësore të banorëve në zonë.

Përveç problemeve me shëndetin e banorëve, puset e naftës ndodhen gjithashtu pranë tokave bujqësore, që ujiten nga kanalet e atyshme. Bazuar në vetëmonitorimet e Albpetrol, ujërat në kanalet kulluese rezultuan me prezencë të hidrokarbureve dhe fenoleve.

Erald Shushari, drejtor i kabinetit të bashkisë i tha BIRN se studimet mungojnë edhe për efektet e ndotjes së tokës bujqësore apo për ndikimin që shkakton ndotja në fruta-perimet që prodhohen.

“Të gjitha tokat që janë afër puseve, janë ndarë me “7501”-shin. U janë dhënë fermerëve si toka që mund të mbillen dhe është çikë e vështirë t’u thuash atyre “mos e puno tokën, se është e ndotur…” tha Shushari.

Banorët thonë se produktet bujqësore që kultivohen aty shpesh shkojnë për eksport dhe deri tani nuk kanë pasur probleme, pavarësisht pellgjeve të naftës në afërsi të tokave të tyre.

Një naftëtar me 45 vite përvojë, i cili ende punon për Albpetrol dhe kërkoi të mbetej anonim, thotë se ata nuk i kishin mundësitë për të mbyllur rrjedhjet për shkak të mungesës së personelit dhe amortizimit.

“Ti do thuash “mos e lër të rrjedhë”, por ajo do dy punëtorë, ne jemi një,” tha ai.

Naftëtari thotë se një tjetër problem ishte edhe mënyra se si menaxhohej kompania.

“Shtohen inxhinierat andej nga ndërmarrja në Albpetrol, jo të vijnë të punojnë këtu, me duart në serë,” tha ai. “Këtu janë të paktë ata që punojnë. Fryhet administrata. Fryhen kontrollet,” përfundoi ai./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *