KryesoreLajme

Publikohet videoja e ambulancës që dërgonte armë në veri të Kosovës për anëtarët e Mbrojtjes Civile, për të cilën foli Alicia Kearns

Deputetja britanike, njëherësh edhe Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns tha sot se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovës përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse. Ajo tha se për këtë KFOR-i britanik është në dijeni.

Pas deklaratës denoncuese të Kearns, u publikua në Twitter një video nga mediaThe Geopost, ku duket një ambulancë në Mitrovicë që ndalon pranë disa personave. Në video duket se ata komunikojnë me shoferin e ambulancës, e cila më pas vazhdon të ecë. Sipas The Geopost, personat aty janë anëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’, e shpallur së fundmi organizatë terroriste nga Republika e Kosovës.

Lexo më shumë  Në Beograd rikthehen zyrtarisht Sllobodan Milosheviç dhe Vojisllav Shejshel!

“Ambulanca serbe në veri të Kosovës bartë armë ditën kur u hodh bombë në një ndërtesë zgjedhore në Mitrovicë. Në video duken po ashtu edhe anëtarët e ‘Mbrojtjes Civile’, të udhëhequr nga tashmë i burgosuri i njohur si Llune”, shkruan The Geopost.

Kujtojmë se e ashtuquajtura “Mbrojtje Civile” është shpallur organizatë terroriste në Kosovë, anëtarët e të cilës janë në kërkim për krime të rënda, deri në akte terroriste. Kjo është një prej bandave kriminale, tashmë organizatë terroriste, me të cilat regjimi i Vuçiqit e ka mbajtur të paralizuar veriun e Kosovës dhe përmes të synon të shkatërrojë shtetësinë e Kosovës, me qëllim për të shkuar deri te marrja e atij territori, sipas modelit të Republikës Serpska në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ata ishin organizatorë të dhunës kundër trupave të KFOR-it, duke lënë të plagosur 30 prej tyre.

©Rruga Press

YouTube player