Publikohet raporti preliminar për të vrarët, të zhdukurit me dhunë dhe të vdekurit si pasojë e luftës
Është lansuar raporti i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), i cili përmban listën preliminare të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe personave të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë. Lista preliminare përfshin në total 13.227 të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekurit si pasojë e luftës. Prej tyre 12.230 deri në qershor 1999, e 997 pas kësaj periudhe.
Ndërkaq të ndara në lista, 11.408 persona kanë humbur jetën si rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të luftës – vrasje, ekzekutime, masakra, bombardime dhe forma të tjera të dhunës. Kjo përbën 86.2 për qind të totalit.
Lista preliminare: https://lista-ikkl.rks-gov.net/?f=2
Të zhdukur me dhunë janë 1578. Në këtë listë hyjnë personat fati i të cilëve mbetet i pazbardhur dhe për të cilët ekzistojnë prova të besueshme se zhdukja lidhet me rrethanat e luftës.
Të vdekur si pasojë e luftës janë 241 persona. Në këtë listë hyjnë personat që kanë pësuar plagë ose pasoja të drejtpërdrejta të luftës, të cilat kanë shkaktuar vdekjen gjatë ose pas përfundimit të luftës.
Raporti i dokumenton se në grupmoshën nga 0 deri në 17 vjeç janë 1.047 fëmijë të vrarë, 94 kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa ende nuk dihet për fatin e vendndodhjen e 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë.
Pjesa më e madhe e viktimave janë dokumentuar në periudhën mars-qershor 1999. Gjatë muajve mars dhe qershor të atij viti, u vranë 9.948 njerëz, që përbëjnë rreth 81.3% të të gjitha viktimave të dokumentuara në këtë raport.
Fushëveprimi i këtij raporti, ose i kësaj liste, është i kufizuar vetëm në tri kategori. Do të thotë, në këtë listë, ose në këtë raport, paraqiten informatat për numrin dhe detajet e personave të vrarë, personave të zhdukur me dhunë, dhe personave të vdekur si pasojë e luftës.
Përfshirja vetëm e këtyre tri kategorive nuk nënkupton se ato përbëjnë tërësinë e viktimave të luftës në Kosovë, por kategoritë e tjera do të trajtohen në faza të tjera të veçanta të dokumentimit.
Periudha kohore që trajtohet në këtë raport, ose në këtë listë, është periudha e luftës, 1 janar 1998-20 qershor 1999, dhe periudha e pas luftës, prej 21 qershorit 1999 deri në 31 dhjetor 2000.
Në listë janë të përfshirë ato viktima, që kanë lindur, kanë jetuar, ose kanë pasur vendbanim në territorin e Kosovës në kohën e luftës, kanë pësuar plagë, vdekjeprurëse, ose janë zhdukur në territorin e Kosovës në rrethana të ndërlidhura drejtpërdrejt me luftën, kanë humbur jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e plagëve të marra gjatë luftës, dhe bazuar në dokumentacionin e verifikuar, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjet e luftës në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se raporti do të përditësohet me të dhënat e reja që do të pranojë Instituti.
“Nuk ka drejtësi pa të vërtetën, nuk ka shërim pa drejtësi, dhe nuk ka qëndrueshmëri pa kujtesë. Ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të shtrenjtë të lirisë që e gëzojmë së bashku. Raporti përfaqëson njerëz jetë, familje dhe histori të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi dinjitet dhe përgjegjësi”, ka thënë ai në ngjarjen e lansimit.
Rruga Press

