Lajme

Publikohen disa nga pikat e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët

Agjencia për Media dhe Informim publikoi këtë të martë disa fakte mbi protokollin mes Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, nënshkruar dje nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni në Romë.

Konkretisht neni 3 i kësaj marrëveshje përcakton se Italia merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse.

Marrëveshja parashikon se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve (neni 4).

Po ashtu, kufiri maksimal do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë (neni 4).

Lexo më shumë  Konjufca: Dhuna ndaj grave nuk luftohet vetëm me institucione

Italia përballon çdo shpenzim për migrantët e strehuar përfshirë çdo kosto të kujdesit shëndetësor dhe çdo kosto tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare (neni 6).

Po ashtu, në marrëveshje përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit/mbrojtjes.

Në përfundim të procedurave, pala italiane kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria (neni 9).

Në daljen e përbashkët për shtypin në Romë me Kryeministren Meloni, Rama u ndal tek borxhi që Shqipëria i ka Italisë, popullit dhe institucioneve italiane për atë që kanë bërë për shqiptarët që nga dita e parë që refugjatët e viteve ’90 arritën në Itali. “Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”, u shpreh ai.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Ndërsa Kryeministrja Meloni vlerësoi marrëveshjen se pasuron miqësinë midis dy kombeve në partneritet strategjik me njëri-tjetrin. Meloni shtoi se Shqipëria, jo vetëm që konfirmohet një mike e Italisë, por edhe e BE. “Edhe pse nuk është formalisht pjesë e BE, por është kandidate për hyrjen në BE, sillet, ka një qasje sikur të jetë tashmë një vend i BE”, tha Meloni.

Rruga Press

YouTube player