Lajme

Pse vazhdojnë paguhen 29 euro/toni ende për inceneratorin e Tiranës?

Afera e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës është një nga më të mëdhatë në 30 vitet e fundit.

Shumat janë të frikshme. Një kontratë koncesionare që ishte jo më pak se 300 milionë euro të ardhura për kompaninë koncesionare nga shteti shqiptar, nga qeveria, nga Bashkia e Tiranës. Më pas 180 milionë euro të tjera që duhet të ishin investime të kompanisë, disa qindra mijëra euro të tjera që vinin nga biznese private.

Sipas vetë deklarimeve të kompanisë në QKB janë jo më pak se 25 milionë euro në vit të ardhura, me një fitim rreth 7 milionë euro. Pra, me rritjen e numrit të popullsisë dhe me llogaritë e ekspertëve janë rreth 1 miliard euro në 30 vite.

Kjo e llogaritur sipas vlerave të përcaktuara nga një kontratë koncesionare, por edhe atyre të papërcaktuara.

Çfarë janë vlerat?

Tek e para është 29 euro/ ton. Këtu është dhe debati. Sipas kontratës koncesionare dhe planit të investimit në 2-3 vitet e para duhet të kishte gati deri në 100 milionë euro investim, të cilat mungojnë. Sot jemi 6 vite pas kontratës koncesionare. Landfilli dhe inceneratori i Tiranës janë sekuestruar nga SPAK-u, por incenerator në Tiranë nuk ka.

Plan zbatimi nuk ka. Kompania vetë pranon në deklarimet e saj publike se, investimi nuk është më shumë se 30 milionë euro.

Pra, nuk ka bërë as investimin e plotë të vitit të parë sipas kontratës koncesionare. Vlerat për të cilën janë llogaritur të ardhurat që merr kompania nga shteti shqiptar, nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës është 29 euro/ton për mbetjet.

Ndërkohë që incenerator nuk ka. Pse duhet të paguhen 29 euro ku incenerator nuk ka?

Vlera e dherave

Dherat kanë një vlerë të padeklaruar në kontratë. Ka çmime të ndryshme, 400 lekë të rinj për rreth 4 euro për metër kub dhera dhe 8 euro metër kub për mbetje inerte, ku vlerat dyfishohen dhe këto paguhen nga qytetarët, nga personat që blejnë apartamentet apo investojnë për një shtëpi të re pasi çdo lloj ndërtimi ka një kosto shtesë.

Lexo më shumë  SPAK në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe UKT/ Sekuestron disa procedura

Për dherat, të cilat i kanë të nevojshme bizneset e ndërtimit për mbushje sërish ato që shkojnë dhe i paguajnë nga gropat që hapin, duhet të shkojnë dhe t’i blejnë prapë me një çmim tjetër, që shkon afërsisht dyfish.

Kjo kosto është e papërcaktuar, por që, në fakt, në bazë të të dhënave zyrtare të kompanisë koncesionare, ka shkuar 50-60 milionë euro në gati 6 vite.

Pra, gati e njëjta vlerë afërsisht që merr kompania koncesionare e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës nga qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës është e njëjtë me atë që merr nga bizneset private.

Pse duhet të paguhen 29 euro/ton?

Kontrata koncesionare thekson se ka landfillim, përpunim, incenerim dhe duhet të kushtojë 29 euro. Por incenerator në Tiranë nuk ka.

Siç e kemi theksuar në bazë të planit të investimit në 3 vitet e para duhet të ishin mbi 100 milionë euro investime, në dy vitet e para janë të paktën 70 milionë euro dhe vetëm në vitin e parë vetëm 40 milionë euro.

Por këto nuk kanë ndodhur. Kontrata e tregon qartë. Studimi e tregon qartë. Plani i investimit mjaft i qartë.

Kompania vetë pranon që ka investuar vetëm 30 milionë euro në njoftimet e saj publike dhe nuk ka një investim të plotë sipas kontratës. Por kjo është diçka tjetër.

Pse duhet të paguajë shteti apo qeveria shqiptare apo Bashkia e Tiranës 29 euro/ ton, ndërkohë që atje nuk ka incenerator.

Cila është arsyeja? A do të ndërtojë shteti shqiptar incenerator? A do ta zhvillojë qeveria shqiptare biznes-planin e dërguar nga kompania koncesionare e themeluar nga Klodian Zoto, ku pas fshihet Mirel Mërtiri, sipas SPAK-ut, si truri i inceneratorëve?

A do ta zbatojë qeveria shqiptare projektin e investimit me 29 euro/ton, sipas të cilit duheshin siguruar edhe 128 milionë euro, investim për ndërtimin e tij?

Incenerator s’ka. Kompania pretendon që ka investuar rreth 30 milionë euro, duhen afërsisht rreth 88 milionë euro investime.

Lexo më shumë  2009-2023, Shqipëria me nivelin më të ulët të disbursimit të fondeve për kapitalin njerëzor në rajon

Qeveria shqiptare do të investojë 88 milionë euro për inceneratorin e Elbasanit? Prandaj po merr 29 euro/ ton?

Cila është arsyeja që duhet paguar sërish kjo shumë?

E në rast se do të investohet projekti nga qeveria shqiptare, do të financohet prej saj, kush do ta marrë?

Mos vallë ky është një skenar që shkon prapë te gjurmët e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit? Mos vallë duan të mbajnë gjallë skemën e aferës së inceneratorëve duke mbajtur çmimin 29 euro/ton?

Qeveria duhet të paguajë vlerat, por kur vetë Farudin Arapi si administrator i inceneratorit të Fierit thekson se, vlera për landfillim është 12 euro, nuk ka pse të priten fatura 29 euro kur incenerator nuk ka dhe kur investim për incenerator nuk kryhet dhe nuk ka një biznes-plan, por vazhdojnë hetimet nga SPAK-u, të cilat mund të zgjatin dhe vendimi i gjykatës mund të zgjasë jo pak.

Qeveria do të ndërtojë incenerator me 29 euro për ton dhe do të financojë apo do të paguajë 12 euro dhe do bëjë landfillim derisa të kemi një vendim nga drejtësia shqiptare.

Vlera 29 euro/ton në momentin kur inceneratori mungon ngre mjaft dyshime se tentakulat e aferës së inceneratorëve dhe paratë e tyre mund të rikthehen prapë te Mirel Mërtiri, te Zoto dhe të tijtë.

Ky është një dyshim jo vetëm i arsyeshëm, por që kërkon një përgjigje të shpejtë nga institucionet shtetërore shqiptare, pse paguhet më shumë se dyfishi i landfillimit ku incenerator nuk ka, ku biznes-plani i investimit nuk është kryer.

Dhe shteti apo qeveria nuk thotë a do ta ndërtojë me paratë e veta inceneratorin e Tiranës dhe a do të respektojë një kontratë koncesionare, e cila në fakt ishte një aferë korruptive e filluar në Elbasan, që shkon në Fier dhe përfundon në Tiranë./ CNA

Rruga Press

YouTube player