Lajme

PSE U EKZEKUTUA GAZETARI NEBIL ÇIKA, KORRENSPODENTI SHQIPTAR I “REUTERS”?

Vrasja e korrespondentit të “Reuters” dhe New York Times, Nebil Çika, bashkë me 13 intelektualë të tjerë.. Kur Tirana po priste marshin e komunistëve që do të zbrisnin nga malet për të marrë pushtetin…. Historia tragjike e çiftit simpatik në kryeqytetin e viteve ’40, publicistit dhe përkthyesit të spikatur Nebil Çika dhe italianes Elssa Martineli.  

Nga Luljeta Progni

Disa të panjohur, të armatosur, u shfaqën në portën e shtëpisë së Nebil Çikës, natën e 12 nëntorit të vitit 1944. Ishte kohë darke. Nebili bashkë me të shoqen, Elsa Martinelli dhe kunatin, Aleks Mavraqi ishin ende në tryezën e bukës. Ishte kohë e trazuar…Tirana po priste marshin e komunistëve që do të zbrisnin nga malet për të marrë pushtetin.

Nebil Çika ishte një ndër gazetarët më në zë të kohës, publicist dhe përkthyes i shquar.  Elsa ishte një vajzë e mirarsimuar në Itali. Ajo ishte bija e një arbëreshi që ish dashuruar me djalin e talentuar dhe kish lënë Italinë për të jetuar me të, në Shqipërinë e varfër. Nata e 12 nëntorit 1944, do ta kthente përmbys gjithë jetën e tyre sepse njerëzit e panjohur e morën me forcë gazetarin Nebil Çika dhe kunatin e tij, Aleks Mavraqi për ta çuar te skutat e hotel “Bristol”, prej nga nuk do të kthehej më kurrë. Nebil Çika bashkë me Akeks Mavraqin dhe intelektualë të tjerë të asaj kohe si Ismail Petrela, Muntaz Kokalari, Vesim Kokalari, Syrja Kokalari, Reshat Stërmasi, Muharrem Lleshi, Rifat Tërshana, Lluka Xhumari, Ali Panariti u vranë mizorisht nga komunistët. U vranë pa gjyq, pa bërë asnjë faj, u vranë sepse ishin intelektualë të shquar që kishin kontribuar për atdhe. U vranë sepse ishin personalitete që do të ktheheshin në telash për diktatorin.

Kur do të vritej, Nebil Çika ishte ende korespondent i dy mediave shumë të rëndësishme ndërkombëtare. Ditët e nëntorit 1944 kur komunistët shpallën fitoren ndaj pushtuesve, redaksia e agjensisë telegrafike angleze “Reuter” dhe ajo e New York Times, prisnin lajmet nga korespondenti i tyre në Tiranë Nebil Çika. Por shpejt ata do të merrnin lajmin se ai ishte pushkatuar.

Elssa e kish marrë vesh lajmin e pushkatimit disa ditë më vonë, kur kufomat e 14 intelektualëve u gjenden të dekompozuara në ambjentet  e Hotel Bristol. Pak ditë më pas Elsa do të arrestohej si “armike e popullit“ për ta kaluar dy vite nëpër qelitë e burgjeve të diktaturës, që kishin nisur të ngriheshin në Tiranë e gjithë Shqipërinë. Sepse të parën gjë që bëri udhëheqja komuniste ishte kthimi i shtëpive në burgje. Vënde ku do të ekzekutohej apo burgosej deri në asgjësim, e gjithë elita intelektuale e Shqipërisë.

Elsa Martinelli qëndroi në burg për rreth dy vite derisa u riatdhesua nga qeveria italiane. Ishte shtetase italiane, nga familje arbëreshe. Pas dy vitesh tortura nëpër burgjet komuniste, Elsa do të kthehej zemërthyer në vendin e saj. Do të largohej nga Shqipëria ku kishte përjetuar çastet më të bukura të jetës së saj, por edhe ato më të dhimbshmet. Kish kaluar kohët e bukura të rinisë në krah të djalit nga Preveza që u shkollua në auditoret e universiteteve të Perëndimit, gazetar, publicist, përkthyes i Kantit dhe Niche-s e shumë filozofëve të tjerë evropianë. Themelues i gazetës “Arbënija”, drejtues i revistave “Minerva” e “Java”,“Miku i Librit”, Bota e re”.

Lexo më shumë  Hoti: Serbia për ta zvarritur marrëveshjen për të zhdukurit po tenton ta përfshijë UNMIK-un

Elsa ishte një zonjë e arsimuar dhe me kulturë të lartë që kishte kontribuar në emancipimin e grave në kryeqytet. Ishte diplomuar për Letërsi në Itali dhe pasioni i saj për letërsinë ishte një ndër shkaqet që e kish bashkuar me Nebilin. Elsa e kish shoqëruar me ëndje bashkëshortin, redaksive të gazetave e revistave në pasionet e tij për letërsinë e publicistikën, për përkthimin. Ishte mbështetja kryesore për Nebilin, bashkë me të motrën Ikbal Çika dhe bashkëshortin e saj Aleks Mavraqi.

Në atë kohë, Elsa dhe Nebili ishin ndër personazhet më të dashura në qytetin e Tiranës. Kur kurorëzuan lidhjen e tyre në fejesë, një artikull i dedikohej kësaj ngjarje. Kolegët e tij të revistës “Minerva”, i kushtuan një artikull fejesës me zonjushën Elsa Martinelli. Ishte në një farë mënyre kronika rozë e mediave të kohës.

Shumica e njerëzve e kanë marrë vesh se drejtori i kësaj reviste z.Nebil Çika, u fejua me zonjushën Elsa Martineli. Dhe për së shpejti edhe do të martohen.

Redaksia e kësaj reviste e pa të udhës që të shprehë gëzimin e saj duke botuar bash në këtë faqe fotografitë e çiftit të ri dhe të përfitojë nga ky rast për të thënë nja dy fjalë për drejtorin e saj.

Nebil Çika, gazetar i vuar dhe trim, shkrimtar i mprehtë dhe i dinjitetshëm, nacionalist dhe përparimdashës. Është mjaft i  njohur në botën shqiptare dhe popullin shqiptar. Tërë jeta e tij, tërë energjia dhe mundimi i tij, në çdo rast e në çdo kohë u derdh burrërisht për triumfin e së mirës, të së drejtës dhe sidomos të përparimtares. Në çdo shkrim të tij, në çdo mendim të tij, shihet impulsi i fortë i idealistit që s’lë rast pa shqelmuar traditën e ndryshkur skllavëronjëse dhe pa treguar me gisht nglutas dhe me instikt të sigurt udhët e qytetërimit dhe të lartësimit.

Mbasandaj nga pikëpamja profesionale, nuk besojmë të dyshojë ndokush se Nebili është më i zoti gazetar që ka vëndi ynë sot për sot dhe se “Arbënia”, qoftë si lëndë, qoftë si drejtim e qoftë si shitje, është një sukses i plotë.

Ne pra, redaksia që i rrimë më afër e njohim edhe më mirë, morëm këtë rast për ti uruar një jetë të lumtur dhe një vijim gjithnjë ngulur në misionin e tij të rëndë si shkrimtar dhe mendonjës që ka ndaj shoqërisë shqiptare.

“Minervistë”

Por bashkëjetesa e tyre ishte e destinuar të përfundonte shpejt. Sepse Nebil Çika u pushkatua natën e 12 nëntorit 1944, ndërsa Elsa pas dy vitesh burg, në diktaturën komuniste, u riatdhesua në vendin e saj në Itali. Elsa jetoi me kujtimin e të shoqit deri në fundin e jetës. Historia e tyre mbeti si një ndër ngjarjet e dhimbshme të rinisë së Tiranës në prag të diktaturës.

Lexo më shumë  Sveçla: Sulmet ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshpërimit të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi

Intelektuali i pabindur kundrejt çdo regjimi kishte kuptuar pse ishte i papëlqyer nga regjimet kur kritikonte qeverinë e Ahmet Zogut: “E prandaj në regjimin e Zogut klasat drejtonjëse i urrenin mentarët që nuk ishin robëruar prej tyre dhe i luftonin dhe i mënjanonin në dëm të madh të shoqërisë dhe të mirëfunksionimit të saj. Sot nuk i mënjanon kurrkush dhe kanë mundësinë të punojnë e të prodhojnë: Numri i tyre është padyshim shumë i vogël; nuk janë më shumë se njëzet, po të marrim sidomos parasysh prodhimin mendor të vendit.

Ishte shenjestruar nga fashistët si shkrimtari: “që ushtronte influencë të dëmshme, sidomos mbi rininë stundentore, prandaj është e dobishme të ndalohet botimi i një reviste të tillë dhe i botimeve të tilla në përgjithësi”. Për këtë arsye, më 25 nëntor 1940, Nebil Çikën e internuan në Itali. E megjithatë as nga pushtuesit nuk u pushkatua, por u vra nga shqiptarët komunistë që vranë shumë nga intelektualët e Shqipërisë.

E kish parashkruar fatin e tij të keq në artikullin: “Mentarët dhe rrethi shoqëror”. E kur i referohej Saint Simonit, i cili duke folur për elitën franceze kishte thënë: “Po të qe se Franca humbiste papritmas të pesëdhjetë dijetarët e parë të saj, të pesëdhjetë artistët e parë të saj, të pesëdhjetë industrialistët e parë të saj, të pesëdhjetë lëvruesit e parë të tokës së saj, kombi do të bëhej një trup pa shpirt, do t’i ishte prerë koka. Po të qe për kundra se humbiste të gjithë personelin zyrtar të saj, nga kjo gjë nuk do të dilte për vendin veçse një dëm i vogël”.

Por historia rodhi në atë mënyrë që skenari hipotetik i mendimtarit francez do të realizohej dhunshëm në Shqipëri. Vetë Nebili do të ishte ndër të parët mendimtarë që do të vritej padrejtësisht. Trupi i tij dhe i 13 intelektualëve të tjerë, u lanë për disa ditë në Hotel Bristol dhe më pas i morën dhe i zhdukën. Familjet e tyre ende nuk i kanë gjetur eshtrat e tyre. Ndërsa në vëndin ku ndodhej Hotel Bristol, ku sot është Muzeu Kombëtar, nuk është vendosur ende një pllakatë përkujtimore në nderim të tyre./kujto.al

Rruga Press

YouTube player