Pse s’duhet votuar per këte opozitë apo pse do t’votojë prapë VV-në dhe Albin Kurtin
Shkruan Arben Elezi
Qe një kohë të gjatë, katër-pesë vite mbase, një mendim që i ngjan më shumë një ankthi m’ishte futur në krye dhe vazhdon kohë pas kohë të më vras mendjen : kjo opozita e sotme në Kosovë, a e don me të vërtetë akoma atë ? Kosovën e kam fjalën.
Na duhet pak të kthehemi mbrapa për të gjetur disa nga elementet e pergjigjjes
Së pari, ta kujtojmë rrezimin e qeverise Kurti I edhe atë ne pikë të pandemisë se Kovidit. Pamë atëherë në Kuvend një spektakël të trishte në regjinë e të njëjtave parti si këto sot. Deputetët opozitarë, rrëzuan shpejt e shpejt, në nje ambient morti te përgjithshëm, qeverinë e zgjedhur me votë për të realizuar kështu grushtshtetin e parë në historine (e re) të vendit. Më kujtohet ai spektakël, nga më te shëmtuarit të historisë sonë politike, votimi pothuaj në kushte klandestiniteti me ato fëtyra që s’njiheshin edhe aq sepse mbanin për kohën maska. Një vjedhje, një puç që doli të jet nga më komodët, një formalitet në të vërtetë ; sajë maskave dhe Kovidit që kishte ngujuar nje popull të tërë në shtëpi ( e larg halleve të tij), opozita mundi ta çojë punën deri ne fund dhe të rrezojë qeverinë. Mirëpo, ata harruan që maskat s’e mbulojnë dot ballin bashke me thënjen e popullit që thot se njeriu jeton për dy gishta ball. I njëjti popull, me atë vetinë e keqe (apo të mirë) që ka; atë të harruarit shpejt, mbase si një mekanizëm mbrojtës i (por i përkohshëm) mbijetimit kolektiv.
Për të kaluar pastaj tek këto zhvillimet e fundit, disa vite më vonë, kur u bëmë prapë dëshmitarë të recidivit të rradhës të të njejtës opozitë ( ndërkohë që populli tashmë kishte harruar paraprakun): bllokimin e qëllimshëm që i u bë konstituimit të kuvendit në fillim e pastaj edhe të qeverisë, për ta dërguar me në fund Kosovën në zgjedhje të reja, të panevojshme, absurde.
Duke analizuar sjelljen e opozites ndër vite, listën e gjatë të mëkateve të saj, pergjigjja keshtu në pyetjen sipër, m’u shfaq qartazi, e kthjelltë sa edhe e tmerrshme. Këta të opozitës nuk e duan më Kosoven, e jo vetëm kaq; okupatorë të dikurshem e të këqinj të saj, ata i kanë mësyer ta okupojnë prapë.
Pa zgjedhur mjete. Për këtë qëllim e ndër të tjera, shihnim (e shohim ende) ditë e natë nëpër portale a TV, gazetarë e analistë, të mobilizuar në një lufte të vërtetë (propagandistike), të mbushur, në mos me gjysmë të vërteta atëherë me dezinformata ; vetem baltë e vetëm zi për bilancin e qeverisë dhe të kryeministrit Kurti. S’besoj të ketë debate politike më bajate se këto që kanë vërshuar ndër vite studiot TV në Kosovë. Nëse s’ishtë më edhe aq lehtë të mashtrohet populli (a s’e dëshmoi këte fitorja e bindshme në zgjedhjet që i prinë Qeverisë Kurti II), opozita me mediat e shumta që disponon zhvilloi ndërkohë një strategji te re, më perfide : me rëndesi u bë (tash që VV kishte një shumicë të mjaftueshme për pushtet) që t’i tregohej popullit se ndryshimi s’po ndodhte, që pritjet e tij nuk po realizoheshin, se edhe këta nuk ndyshonin nga të tjerët, në stilin e mirënjohur por të kthyer mbrapsht « nëse ne jemi djem të këqinj, edhe Albini me shokë janë të tillë » apo në përkthim « (s’mohojmë të kemi vjedhur), por edhe këta janë hajna, njësoj ». E tëra me bindjen e pjekur nga eksperienca ndër vite që ai, populli ka vështire të bëjë dallimin, që populli është në gjendje të vë shenjën e barazimit mes neve dhe atyre, apo edhe thjesht të harrojë të gjitha, i prirë që është për të, me të gjitha hallet që ka e që mundojnë përditë !
Dhe me sa duket ,gjithë kjo propagandë gjatë katër viteve të qeverisë Kurti II, qe një përgatitje e terrenit dhe e publikut ; ofanziva vertëte e opozitës do të lansohej pas zgjedhjeve të shkurtit. Pamë atëherë refuzimin e saj per konstituimin institucioneve dhe të qeverisë, një bllokim shumë kokëfort, shokues (që befasoi madje edhe vetë votuesit e saj). Mundëm të marrim vesh, u bë e qartë keshtu a posteriori, se opozita (PDK, LDK, AAK) ishte bashkë, kishte bërë koalicion para vetë zgjedhjeve të shkurtit. Pakti u mbajt sekret sepse s’kishte marrë (madje as kërkuar) miratimin e bazës, e cila ka arsye të forta kështu për t’u ndier e tradhtuar sërish. Humbja e rëndë ( marrë Një me Një ndaj VV) demaskoi këtë koalicion të fshehtë, e intenziteti paparë i sulmeve, medial e mirë i orkestruar që versheu mbi qeverinë, vuri në pah faktin që në Kosovë operonte tanimë nje sindikate krimi në shkallë të vendit e mbase edhe më gjerë.
Gjithçka e gjithsecili eshte i kritikueshem por besoj që për një çështje të paktën egziston një pajtueshmeri e gjërë në opinionin publik të gjitha bordeve, që do bënte që kjo qeveri të mos meritonte një trajtim të tillë. Përkundrazi. Ajo është puna e madhe (e pabesueshme) që është bërë në veri të vendit pas më shumë se 20 vjet’ status quo, që pa të lulëzojë atje, në veri të vendit e para syve të botës, një « republikë » kriptofashiste.
Kur jemi te Veriu gjithnjë, megjithë kauzën e saj legjitime, Qeveria Kurti u sulmua nga të gjitha anët. Nga jashtë dmth nga përendimoret me sankcionet që na jane vënë prej kohesh, të pakuptueshme për ne, të padrejta padyshim. U kritikua edhe nga Shqiperia e Edi Ramës, por kjo s’na bën më edhe aq përshtypje. Opozita heshti edhe ndaj të parëve, edhe ndaj të dytit e e njohim preferencën e këtj të fundit për të. Aq më tepër, ajo s’ngurroi asnjëherë të kritikojë Qeverinë Kurti, duke përseritur atë refrenin bajat, të prishjes së raporteve me aleatë, SHBA-të ne rend të parë, sikur të mos ishim në gjendje ne të dijmë çfarë është e mirë per shtëpinë tonë! Por Qeveria qëndroi në këmbë, nuk u thye. Kjo njëkohsisht bëhej edhe për për joshur faktorin e jashtëm, për t’u paraqitur para tyre si një alternativë (e qeverisë Kurti), që i bie, në rastin konkret e fatkeqsisht për opozitën, edhe alternativë ndaj sovranitetit të Kosovës në veri të vendit. E etur për pushtet dhe me shkurtpamësine qe ka treguar në këto 10-15 vjetët e fundit (gati në shkallë katarakti kur është në pyetje interesi afatgjat i vendit), opozita kishte prapë nevojë, shpresonte në një perkrahje nga jashtë, për të fituar një kredibilitet shtesë për nje qeveri te ardhshme, me bashkëpunuese në sytë e Përendimit, lexo nje qeverie që do dinte të lëshoj pe. Asgjë e re këtu ! A s’kishin dëshmuar ata, në të kaluaren, të jen’ në gjendje, për një biletë vajtje-ardhje në Bruksel a Vashinton, të nenshkruajnë edhe marrëveshjen e parë të ofruar në tavolinë, shpesh ne dëm të Kosovës (e me cilën na mbetet neve pastaj te merremi me decenie te tëra !). A nuk u tha, a nuk u përsërit madje, nga figura tê rëndësishme politike të opozitës, që çfarë u bënim ne sërbëve nën qeverinë Kurti, i ngjante asaj çfare pushteti i Millosheviçit u kishte bërë në të kaluarën e afërt shqiptarëve të Kosovës!
Grushtshteti i ri dështoi në mungese mbase të një shtytje vendimtare që pritej e që s’erdhi dot kësaj here as prej tej-oqeani, as nga Qielli.
I gjithë ky bllokim, doli më në fund të jet’ nje ndërmarrjeje impulsive, e llogaritur keq nga një opozitë pa krye, një opozitë që ka humbur udhën (sepse Qeveria vazhdoi punën edhepse në detyrë), e që shpresoj t’i kthehet asaj në një bumerang të ri. Po dëmi u bë, vendi nga më të varfërit çfarë është Kosova, e detyrua të paguaj¨një çmim të ri, ekonomik e politik.
Në sytë e mi kështu, kjo opozitë ka kohë që s’ka lënë edhe shumë vend për respekt. Ajo duhet ndëshkuar tash e menjeherë në zgjedhjet e dhjetorit, sepse vetëm nje humbje e madhe do e ndërgjegjësonte, do i jepte mësimin e duhur dhe hapte rrugen reformimit të saj, mbase edhe me njerëz te rinjë. Demokracia ne Kosovë do te përfitonte kësisoji e padyshim nga një opozitë normale, jo toksike çfarë është aktualisht.
Në pritje të një opozite ndryshe pra, uroj një mandat të ri Vetëvendosjes dhe kryeministrit Albin Kurti, kësaj figurë unike dhe të veçantë ne jetën politike të Kosovës për shumë arsye. Sepse, ajo që në fakt dallon VV nga partitë e tjera mbetet edhe origjinaliteti i liderit te saj.
Problemi i opozites nga ana tjetër ështe se kemi të bejmë me një opozitë pa ide, pasive ndaj faktorit të jashtëm, e butë me ta (e e egër me të vetët), pa guxim karshi Beogradit sepse në fakt e udhëhequr nga liderë mediokër (që vunë me kalimin e kohës interesin e tyre mbi atë të vendit).
Sot te PDK, s’e dimë edhe aq mirë cili është dhe ku ndodhet lideri. Edhe ata që janë në Hagë (Hashim Thaqi e Kadri Veseli), përjashto kontributin e rendesishëm që kanë dhëne gjatë luftës, nuk ështe se janë shquar ndonjehere (pas luftës kam fjalën) as për nga dija, as për nga gjuha as për nga idetë.
M’ra të dëgjoj para do javësh, sa isha në Kosovë, Lumir Abdixhikun, kryetarin e LDK, derisa fliste nga foltorja e Kuvendit, të prononcojë margaritarin e rradhës në ditën kur u shterr edhe mundësia e fundit per të bërë qeverinë. « Për dallim prej teje, ne i rrisim fëmijt tanë këtu ». Më pat rënë të dëgjojë edhe më parë, nga e njejta foltore, vërejtje të tilla drejtuar Kryeministrit nga goja e do deputeteve te PDK apo të AAK nëse s’gaboj (e që dorën në zemër, askush s’i merr seriozisht).
Nga Abdixhiku, i supozuari lider reformator i LDK, një partie progresiste siç pelqen ta quaj veten ajo, prisja megjithatë më shumë (dhe më shkoi mendja në ato te çaste te Presidenti Rugova, e përfytyrova atë, në këto fjalë, te jet’ rrotulluar n’ varr, të ket’ dashur madje të ngritet nga ai, për të nxjerrë partinë nga humnera në të cilën e kanë zhytur trashëgimtaret e tij). Apo ndoshta kush e di, ky qe edhe një mesazh që lideri i partise në fjalë i drejtonte diasporës, kohëve të fundit halë ne sy e disa opozitarëve, sepse edhe këta, për dallim prej tij, nuk i rrisin fëmijët e tyre këtu (në Kosovë). Sepse në këte hovin e bllokimit që kanë ndërmarrë, këta të opozitës do të deshironin të eliminojnë të gjithë ata që paraqiten si pengesë në marshin e tyre drejt pushtetit. Edhe votën e diasporës (votën e jo paranë !). T’i bllokojne edhe dashamirët, ose edhe ata aktivistë të paktë të VV nga Shqipëria (pasi t’i kenë dëbuar më parë sikur guxuan ta bëjnë me Bojken Abazin atëbotë). E sa i përket rinisë (që me shumicë voton VV) , qeshtja as që shtrohet, ajo edhe ashtu po ikën !
Harroi Abdixhiku t’na thotë, kur jemi të fëmijt, ku dhe në ç’fakultete studiojnë fëmijët e politikanëve të sotëm e të djeshëm te Kosovës. Sigurisht jo në « Hasan Prishtina » po në ato të shtrenjtat e Evropês e të Amerikës sepse sistemi i arsimit në Kosovë u rrënua pa u ngritur akoma në këmbë dhe me meritën e të njëjtëve politikanë (korrupcion, fakultete private, prodhim industrial diplomash etj etj). Harroi gjithashtu të na thotë edhe ku shërohen familjarët e tyre në rast problemi. Sigurisht jo në QKUK apo në spitalet periferike, në ambientet e trishta, të lëna pasdore një kohë tê gjatë, po në ato private, në Turqi e gjetkë, ndërkohë që spitalet e Francës po mbushen sot me pacientë nga Kosova, që për t’u shëruar duhet t’u nënshtrohen procedurave poshtëruese të azilit, më tepër se 20 vjet nga çlirimi i vendit. Kur shohim sa pak ështê bërë ndër vite, për spitalet publike dhe shëndetsine në pergjithsi, kuptojmë sa sa pak vlerë ka sot një , në sytë e politikanëve, një jetë njeriu në Kosovë
D.m.th origjinaliteti i liderit te VV në nje anë dhe mediokriteti i opozitës në anën tjetër. Mirëpo, për të cituar Nelson Algren, shkrimtar amerikan, mediokriteti nuk është kurrë mungesë pasive e origjinalitetit. Ai (mediokriteti) hakmerret ndaj asaj që i mungon, ndaj asaj që është e privuar. Mbase kjo shpjegon gjithë këtë frustrim, këtë inat, këtë urrejtje që shfryhet ditë e natë ndaj Albin Kurtit. Problemi kur urren, është se me të e humb kthjelltësinë e të menduarit (e është Kosova ajo që pëson në secilën herë). Dhe është opozita ajo që urren Kurtin e jo e kundërta.
Ta fshehësh mediokritetin e opozitës së sotme, ta mbash atë n’anonimitet, për të parafrazuar prapë Algren, ështe sikur m’i dhënë nje protezë nje njeriu që ka humbur dhëmbët : proteza e nxit atë të kafshojë.
E mbaj përgjegjëse opozitën e sotme, sunduese në fillim e një kohë të gjatë të vendit, e akuzoj atë për gjendjen e keqe të tij në shumë aspekte, për korrupcionin që ka mbjell ndër vite në çdo aktivitet, në çdo fushë, e akuzoj atë për farën e korrupcionit që ka hedh mbi çdo Zemër. Më kujtohet, para lufte, kah fundi i viteve të 80-ta, kur vrasja e ushtarit në Paraçin të Serbisë, Aziz Kelmendit pat mallëngjyer, fut në zi gjithë Kosovën. Pas luftës, në një burg, në duart e shtetit të Kosovës u vra Astrit Dehari, aktivisti i Vetëvendosjes në rrethana ende të pasqaruara. Askush nga autoritetit s’e mori përgjegjësinë për këtë krim, askush s’u dënua edhepse faji i shtetit është evident. Rastisa n’atëkohë në nje kafene të Gjilanit, i mërzitur tej mase (mbase sepse edhe Astriti do bëhej një ditë mjek, si unë), muzika s’kishte të ndalur, festa vazhdonte me një indiferencë indinjuese, sikur asgjë të mos kish ndodhur, sikur një nga tanët, një vëlla yni, të mos ish privuar dhunshëm nga jeta. Salla ishte plot tym, përplot me njerëz, ndër ta edhe me studentë, kolegë të tij e Astriti qe student mjekësie që s’do e veshte kurrë bluzën bardhë. Kosova po ndryshon, më tha mendja dhe sikur një ndjenjë pikëllimi më pushtoi prapë. E ndryshimi më i madh që ka ndodh në mes të Kosovës së paraluftës dhe asaj të pasluftës, nuk është Rruga e Kombit që lidhi Kosovën me shtetin amë, por është ndyshimi që ka ndodh në zemrat tona.
Ku janë të bijt e të bijat e minatorëve të Trepçës, që në terrin e Tokës u futën në grevë urie, gati s’u ngulfatën në mbrojtje të autonomisë se Kosovës ? Ku janë të bijt’ e të bijat e studentëve e të burgosurve politikë ? Të bijt’ dhe të bijat mësuesve, profesorëve, mjekëve që punuan me vite të tëra, në kushte apartheidi, pa pagesë por të lirë si kurrë më parë, duke nxitur e fituar admirimin e një bote të tëre ? Ku janë të bijt’ e të bijat u ushtarëve të UÇK që u flijuan, paguan me gjakun tyre lirinë që gezojmë sot ? Të bijt’ dhe të bijat e vellezërve Bytyqi që lanë Amerikën e largët për t’iu bashkuar UÇK-së, dhanë jetën në mbrojtje të një familje rome? Të gjitha këto forma akte të qëndresës së popullit nëpër histori përbëjnë origjinalitetin e luftës së tij për liri.
Për fund, dilema për zgjedhjet që po vijnë, është të zgjedhësh mes mediokritetit të opozitës dhe origjinalitetit të Albin Kurtit. Ti edhe mund të ndërrosh të dytin me të parin, mirëpo mediokriteti s’mund asnjëherë të vlejë sa origjinaliteti, e kur vjen puna në politikë kjo bëhet tepër e dëmshme per vendin. Sa më përket mua, zgjedhja është e qartë prej fillimit e për të mirën e vendit , kjo e dyta : Vetëvendosje dhe Albin Kurti.
Rruga Press

