Opinion/Aktualitet

Pse politikanët pa vota janë aq të frustruar dhe të rrezikshëm për demokracinë?

Shkruan Enver Robelli

Ndokujt mund t’i kujtohet Rudolf Scharpingu. Ose Joschka Fischeri. Ose Angela Merkeli. Të gjithë këta njerëz kanë ushtruar funksione të larta në politikën gjermane. Ministër Mbrojtjeje, Ministër i Punëve të Jashtme, kancelare. Asnjëri prej tyre, pas largimit nga politika, nuk flet, nuk e godet, nuk llomotit kundër partisë së tij.

Shkojnë e vijnë kryetare e kryetarë partish, por këta s’flasin, këqyrin punët e veta. Ata e dinë se e mira e demokracisë është se pushtetin e ke përkohësisht, jo përjetësisht. Pastaj: për një politikan gjerman, zviceran apo austriak që largohet nga politika, bota nuk shembet. Ish-ministrat gjejnë punë në ekonominë private, drejtojnë ndonjë fondacion a institut, ish-kancelari Helmut Schmidt qe bërë madje editor i gazetës “Die Zeit”.

Në viset tona (jo vetëm kosovare) kur një politikan largohet nga politika (për shkak se i ka humbur zgjedhjet, për shembull), për të ky është fundi i botës. Çka të bëjë, me se të merret tani një politikan i një partie dikur të madhe që bashkë me shokët e tij e ka sjellë partinë në gati 12 për qind? Çka të bëjë, me se të merret politikani që gjatë tri dekadave nuk ka bërë asgjë tjetër përveç se është marrë me politikë?

Lexo më shumë  Kryetari i Zveçanit Ilir Peci vendoset në objektin e Komunës

Soji i tillë i politikanit nuk mund të pajtohet se posti publik apo partiak nuk është i përjetshëm. Soji i tillë i politikanit e ka të vështirë të integrohet në jetën e përditshme, të gjejë punë, të sigurojë ekzistencën përtej politikës, të mbajë rrjetin klientelist që e ka ndërtuar dhe ushqyer. Soji i tillë i politikanit vuan nga deliri i madhështisë dhe mllefin e tij mundohet ta fsheh pas paragrafëve e statuteve të partisë ose duke kënduar këngën e vjetër e bajate se “dikur, kur ne ishim në pushtet ishte shumë më mirë”. Sa qesharake! Soji i tillë i politikanit vjell vrer nga trapazani i odës kundër “të rinjve” që e morën partinë. Kundër “çunakëve, çiliminjve e kalamajve” që “na i grabitën postet”. Kosova është vendi më popullsinë më të re në Europë, por kur një i ri apo e re merr një post të rëndësishëm, pleqtë e frustruar rrinë gati për të shpotitur, hedhur llafe cinike, mallkuar etj. Komedia kosovare po “pasurohet” me kapituj të rinj – çdo ditë.

Lexo më shumë  Ministrja Gërvalla në Bruksel: Kosova kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor

Një krijesë e rrezikshme për demokracinë kosovare është politikani pa vota që pretendon të marrë vendime. Meqë s’mund të marrë vendime, ai shan si pijanecët e kafenesë së lagjes.

Rruga Press

YouTube player