Opinion/Aktualitet

Pse jam me Artan Grubin?

Shkruan Bekim Qoku

Si sot para 2 vitesh, me dy-tre ndërhyrje minore, kam bërë tifo për Artonin dhe vazhdoj ende sot:

Pse jam me Artan Grubin?

Midis Artan Grubit dhe Izet Mexhitit, pa asnjë mëdyshje do të bëja tifo për Grubin. Dhe jam shumë i sigurt se Grubi do dalë i fituari ose të paktën më i fituari nga ky sherr brenda-partiak.

Maqedonia e Veriut dhe Artani janë si kapaku-tenxherja. Artan Grubi është personazh në politikën dhe jetën publike në MV, një personazh komik e parodik, por ama personazh. Vetë MV është një shtet komik e parodik dhe figurat si ajo e Grubit janë të natyrshme dhe i ngjisin në mënyrë të përsosur këtij shteti. Edhe po të mos kishte një figurë si Artan Grubi në këtë skenë, ai duhej shpikur.

Po t’isha një regjisor, për skenarin e parodisë “Maqedonia e Veriut shtet sovran”, do të kisha përzgjedhur padyshim Artan Grubin për rolin dytësor. Dhe jam i bindur që ai do të nominohej për çmime edhe ndërkombëtare (sepse këto lokale do ia kishin dhënë vetë). Ose, nëse do të kishte një përshtatje të Don Kishotit të Maqedonisë, autori, për ndërtimin e figurës së shqytarit Sanço Panço, me siguri do të frymëzohej nga Artan Grubi.

Lexo më shumë  Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Përndryshe, me ikjen e Artanit nga skena publike e politike, do të shkonin në harresë të gjithë ato anekdota të bukura e të shëmtuara prej dhe rreth tij. Do të zhdukeshin ato selfiet e tij të famshëm real e imagjinar me figura dhe situata të ndryshme.

Do të harroheshin gjithë ato aforizma “filozofike”, “teologjike” “shkencore”, “kulinare” “etj.” të Artanit, si p.sh “Ajri i mëngjesit është më i ftohtë, sepse ka qëndruar jashtë gjithë natën” apo “Frymëmarrja nuk e prish agjërimin” etj.

Me ikjen e Artonit, siç i thonë nëpër mediat sociale, do të fikeshin edhe shumë faqe Facebooku apo Instagrami që kanë për personazh kryesor Artan Grubin.

Lexo më shumë  Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Tjetra, ore, edhe kur Artoni korruptohet apo vjedh nga buxheti i shtetit, merret vesh menjëherë, dalin zëra. Kur vjedh e korruptohet Izeti s’e merr vesh njeri. Izeti ka bërë masakër në Çair, por s’i përmend kush emrin. Le ta provojë Artoni ta bëjë të njëjtën gjë, do ia kishin shkul flokët e mbjella menjëherë. Izeti përndryshe ka shumë flokë, nuk i shkulen kollaj. Artani i ngratë njëherë u takua me Mijallkovin, u çun peshë i madh e i vogël, e mor vesh gjithë dynjaja. Po ku i dalin në shesh pisllëqet Izetit?

Sido që ndodhë, edhe nëse kjo zënkë të mos u sillte shqiptarëve të MV ditë më të mira, ama që do të shohim sehir, kjo është e sigurt, sepse natyrisht, këtë na garanton kryepersonazhi Artan Grubi, a.k.a Artoni, a.k.a Kali i Shemës.

Go Arton!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *