Provat e Speciales: Ja sa para mori Fatmir Sheholli nga institucionet serbe për spiunazh
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, të cilin e ngarkon për dy vepra penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Dosja prej 80 faqesh përmbledh prova të ndryshme materiale që e inkriminojnë Shehollin në veprat e kundërligjshme.
Klan Kosova ka siguruar dokumentin e plotë, me akuzat ndaj tij për zbatimin e planit të përgatitur nga Bojan Dimiç, zyrtar i Shërbimit Informativ të Serbisë për dëmtimin e interesave të Kosovës.
Në mesin e dëshmive, Specialja ka vërtetuar veprimet e tij kriminale edhe përmes pagesave mujore që ai ka marrë nga institucionet e Serbisë.
“Nga dëshmia A#21 rezulton se i pandehuri Fatmir Sheholli, gjatë vitit 2015, ka pranuar në mënyrë të rregullt pagesa mujore në llogarinë e tij në Komercialna Banka A.D. Beograd nga dy institucione shtetërore të Republikës së Serbisë, përkatësisht Agjencia Shtetërore e Lajmeve “Tanjug” në shumën totale prej 386.000 dinarësh dhe “Kancelarija za Kosovo i Metohija” në shumën prej 295.000 dinarësh, apo gjithsej 681.000 dinarë.”
Në dosje thuhet se pranimi i këtyre pagesave periodike nga institucione shtetërore serbe që direkt janë të lidhura me BIA-në, i lidhur me angazhimin dhe veprimtarinë e Shehollit, përbën fakt që dëshmon financimin dhe angazhimin e tij në interes të një shteti të huaj.
“…konkretisht nga Serbia dhe në ndërlidhje me provat e tjera të rastit vërtetohet edhe përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri ka ndërmarr veprimtari spiunazhi në dobi të BIA-së e në dëm të interesave të Republikës së Kosovës.” – thuhet ndër të tjera në aktakuzë.
Rruga Press

