Protestë në Vlorë, tregtarët e fruta-perimeve ngrihen përpara bashkisë: Malli do mbetet stok, vendi ku do na çojnë na falimenton
Tregtarët e tregut të madh të fruta-perimeve dhe konfeksioneve në qytetin e Vlorës janë mbledhur këtë të hënë përpara Bashkisë së Vlorës, në shenjë proteste kundër mbylljes së tregut në qendër të qytetit. Mbyllja e tij vjen në kuadër të një projekti rehabilitimi të zonës pranë Sahatit, pjesë e planit për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit.
Tregtarët shprehen se nuk janë kundër rehabilitimit të tregut, por kundërshtojnë mungesën e një zgjidhjeje konkrete për vijimin e aktivitetit të tyre. Sipas tyre, autoritetet lokale nuk u kanë ofruar një hapësirë të përshtatshme ku të ushtrojnë tregtinë gjatë periudhës së punimeve.
Ata tregojnë se vendet alternative të propozuara janë larg zonave me qarkullim dhe klientelë, çka sipas tyre do të ndikonte drejtpërdrejt në të ardhurat dhe mbijetesën ekonomike të dhjetëra familjeve.
Protestuesit theksojnë se kanë furnizuar mallra për sezonin dhe rrezikojnë t’u mbeten stok për shkak të ndërprerjes së aktivitetit. Për këtë arsye, ata kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme dhe takim me kryebashkiaken e Vlorës.
Tregtarët paralajmërojnë se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim dhe se nuk përjashtohet bllokimi i rrugës nëse nuk do të ketë reagim nga bashkia.
Rruga Press

