Protestë e madhe në Beograd me paralajmërim se do të radikalizohet
Me paralajmërimet se do të përkeqësohet dhe të radikalizohet gjatë javës së ardhshme, është mbajtur në Beograd protesta e gjashtë me radhë kundër pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Protestuesit i kanë paraqitur atij dy kërkesa teksa kanë paralajmëruar që në rast se ato nuk përmbushen, do të nisë një formë tjetër e protestave
Presioni ndaj presidentit populist të Serbisë, Alexandar Vuçiq është rritur me protestën e re, me të cilën është kërkuar dorëheqja e tij.
Protestuesit e kanë paralajmëruar se protestat e ardhshme mund të radikalizohen nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre.
Të premten, protestuesit kanë mbajtur edhe posterët e Vuçiqit dhe kryeministres së tij, Ana Brnabiq, në të cilat ata ishin me uniforma të burgosurish.
Me thirrjet “Vuçiq ik”, udhëheqësit e protestës kanë kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve të sigurisë dhe heqjen e lejes së punës për dy televizione kombëtare, të cilat kanë promovuar kriminelë.
Ata kanë thënë se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre deri javën e ardhshme, protesta do të marrë një tjetër formë. Ata nuk kanë treguar se çfarë përfshin “radikalizmi i protestës”.
“Tragjedia e madhe dhe ëndrrat e prera të fëmijëve na kanë bërë bashkë. Lufta kundër dhunës dhe padrejtësisë na ka bërë bashkë, beteja që ky shtet të bëhet vend i sigurt për të gjithë, beteja që të gjithë fëmijët të rriten dhe që asnjë prind të mos i dërgojë fëmijët me frikë në shkollë. A po kërkojmë shumë?” ka thënë aktori Nenad Mariçiq.
Beogradi dhe qytete të tjera të Serbisë janë përballur me protesta masive që prej dy sulmeve në masë në fillim të muajit maj, në të cilat mbetën të vdekur 18 persona, përfshirë nxënës të shkollës fillore.
Protesta e së premtes ishte e gjashta me radhë në Beograd.
Opozita ka akuzuar Vuçiqin për përkeqësim të gjendjes në Serbi dhe gjuhë të urrejtjes gjatë pushtetit të tij 11-vjeçar. Ai gjithashtu akuzohet për kontroll të plotë mbi të gjitha institucionet shtetërore.
“Jam këtu për herë të pestë sepse besoj se diçka duhet ndryshuar në këtë shtet. Shumë njerëz po ikin për shkak të situatës dhe tani është përkeqësuar. Për këtë arsye mendoj se duhet ndryshime rrënjësore”, ka deklaruar protestuesi Filip Petroviq.
Presidenti populist në fillim të javës ka premtuar zgjedhje të reja me qëllim që të zbusë pakënaqësinë publike ndaj pushtetit të tij.
Këtë e kanë kundërshtuar partitë opozitare, të cilat thonë se nuk mund të ketë ndryshime përderisa Vuçiqi ka kontrollin e gjithë pushtetit, përfshirë mediat kryesore të Serbisë. /koha.net/
Rruga Press