Bota

Protesta të dhunshme dhe ushtria në terren: Çfarë kërkon Trump nga Los Angeles?

Në rrugët e Los Angeles-it, aty ku dikur zhurmonin protestat e të drejtave civile dhe trazirat e viteve ’90 linin pas rrënoja dhe pasiguri, sot ndihen hapat e Gardës Kombëtare dhe tensioni i një lufte të re, jo mes qytetarëve, por mes një presidenti dhe vetë qyteteve të tij shkruan sot në një editorial The Economist. A është kjo një përplasje spontane për sigurinë publike, apo një skenar i qëllimshëm i Donald Trump për të ndezur ndarjen dhe për të demonstruar forcën në bastionet që e kundërshtojnë? Ndërsa Amerika shikon nga Los Angeles-i, ajo pyet veten nëse po përjeton një moment kalimtar… apo hyrjen në një verë përplasjesh që mund të ndryshojë vetë rrjedhën e politikës kombëtare?

The Economist: 

A është trazira në Los Angeles një rast i izoluar? Apo është fillimi i një vere trazirash dhe shtypjesh nga Presidenti Donald Trump, i cili nuk ka durim për protestuesit në qytetet e drejtuara nga Demokratët? 

Deri tani protestat në Los Angeles janë të vogla krahasuar me shpërthimet e mëparshme të qytetit. Më shumë se 12,000 persona u arrestuan gjatë trazirave të Rodney King në vitin 1992. Në dy ditët e fundit, numri total i arrestimeve është rreth 60. Por gjërat mund të përkeqësohen. Teksa banorët e Los Angeles luten për qetësi dhe që trupat ushtarake të tërhiqen nga rrugët e tyre, Amerika ndodhet në një moment të rrezikshëm.

Në thelb të dilemës së vendit është fakti se presidenti u zgjodh me një mandat për të trajtuar emigracionin e paligjshëm. Megjithatë, disa nga mbështetësit e tij e interpretojnë këtë si një leje për të bërë gjëra që mund të jenë antikushtetuese dhe padyshim të pamundura e të pamenda. Vetë zoti Trump duket i etur për të përdorur ushtarë për të shuar protestat kundër politikave të tij. “Do kemi trupa gjithandej,” tha ai kur u pyet për situatën në Los Angeles.

Presidenti dhe këshilltarët e tij besojnë se politika e vendosjes së Gardës Kombëtare në Kaliforni është në favor të tyre. Shablloni është ky: shpallet një goditje ndaj emigracionit në një qytet që nuk e dëshiron atë, priten protesta, dhe pastaj thirren trupat për të shtypur protestuesit. Goditja e protestuesve shërben si paralajmërim për qytetet e tjera që mund të kundërshtojnë. Po ashtu është një sinjal për besnikët e MAGA-s se Trump po bën atë për të cilën e votuan.

Lexo më shumë  Guterres: Populli i Lindjes së Mesme nuk mund të durojë një cikël tjetër shkatërrimi

Me përjashtim të marshimeve të grave në vitin 2017, protestat politike masive në qytetet amerikane kanë pasur prirje për dhunë. Në 72 orët e fundit Los Angeles ka pësuar dëmtime pronash dhe policia është sulmuar me fishekzjarre. Kjo mund ta bëjë thirrjen e Gardës Kombëtare një akt që justifikohet vetvetiu: sepse trupat mund të perceptohen si zgjidhje ndaj tensionit që prania e tyre në fakt e nxit.

Një pyetje është nëse Trump ka autoritetin ligjor për të vendosur Gardën Kombëtare pa përfshirjen e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom. Zoti Newsom thotë se policia po ia dilte vetë dhe se ai po padit administratën. Zoti Trump ka cituar një dispozitë të Kodit të Shërbimeve të Armatosura të SHBA që lejon dislokimin e trupave për të përballuar një kërcënim rebelimi.

Pavarësisht vendimit të gjykatave, të cilat shpesh janë të përmbajtura kur bëhet fjalë për të sfiduar presidentin për çfarë përbën kërcënim, politika e zbatimit të emigracionit e Trump është jopraktike. Emigrantët e paligjshëm në Amerikë llogariten diku mes 11 milionë (sipas sondazheve) dhe 20 milionë (numri që përdor administrata). Edhe me rritjen e madhe të planifikuar të fondeve për qendrat e paraburgimit, Trump nuk ka ku të vendosë as një pjesë të vogël të këtij numri para se të dëbohen. Megjithatë, kundërshtimi i kësaj politike, siç bën Kalifornia, vendos kryebashkiakun e LA-së dhe guvernatorin në anën e të huajve që shkelin ligjin, pikërisht aty ku Trump dëshiron t’i pozicionojë.

Forcimi negativ

Presidenti nuk jep asnjë shenjë se po përpiqet të ulë tensionet në Los Angeles. Më 9 qershor, Pentagoni njoftoi vendosjen e qindra marinsave në qytet për të mbështetur Gardën Kombëtare. Kjo është e pamend. Marinsat nuk kanë përvojë në zbatimin e ligjit. Siç thekson shpesh sekretari i mbrojtjes, ushtarët trajnohen për të vrarë. Nga të gjitha betejat që Trump ka hapur, me gjykatat, universitetet dhe firmat ligjore, një luftë me qytetet amerikane, votuesit dhe kryetarët e bashkive të tyre ka potencialin më të madh për dhunë.

Lexo më shumë  Lokacionet bërthamore të Iranit janë shkatërruar plotësisht, thotë Shtëpia e Bardhë

Është e vështirë të mos besohet se motivet e Trump për këtë përballje shkojnë përtej dëshirës për të dëbuar emigrantët me efikasitet. Ai fitoi pak më shumë se 30% të votës në qarkun e LA vitin e kaluar. Vetëm dy nga qytetet më të mëdha amerikane, Dallas dhe Fort Worth, kanë kryetarë bashkie republikanë. Në këtë klimë urrejtjeje partizane që përfshin Amerikën sot, presidenti mund të përdorë këtë taktikë për të tërbuar votuesit e palës tjetër dhe për të ngazëllyer të vetët. Në këtë luftë tribale, akuzat për hipokrizi treten. Përkundrazi, kur një president që ka falur kryengritësit që sulmuan Kapitolin dërgon trupa për t’u përballur me banorët e Los Angeles-it që mbështesin Demokratët, besnikët e tij ka shumë të ngjarë të anashkalojnë shqetësimet për ekonominë ose zhurmën rreth Elon Musk-ut, ish-drejtorit të DogeCoin. Rreziku është që zoti Trump të provojë këtë taktikë edhe në bastione të tjera Demokratike.

Që nga trazirat e viteve 1960, që ndihmuan në zgjedhjen e Richard Nixon-it, deri te protestat e lëvizjes Black Lives Matter, që fillimisht e dëmtuan por më pas e ndihmuan zotin Trump, cikli i protestës, dhunës dhe represionit shpesh i jep përfitime të djathtës politike, edhe kur trazirat nxiten nga vetë qeveria. Në Los Angeles, as departamenti lokal i policisë, as kryetari i bashkisë dhe as guvernatori nuk mendonin se prania e Gardës Kombëtare do të ndihmonte për të rikthyer rendin. Por ta theksoje këtë do të mos kuptoje pëse zoti Trump dërgoi trupat: qëllimi ishte të krijohej përballje.

Rruga Press

YouTube player