Prokuroria: Sheholli i jepte BIA-s informata për pronat “kinse të uzurpuara” të serbëve, për biznese dhe për funksionimin e institucioneve të Kosovës
Prokuroria e Kosovës në arsyetimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin për spiunazh, Fatmir Sheholli, ka shkruar se ai i jepte Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA) informata për pronat “kinse të uzurpuara” të serbëve në Kosovës si dhe për gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Në arsyetim thuhet se ai ia jepte këto informata zyrtarit të lartë të BIA-s, Bojan Dimiq, përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike.
“I pandehuri Fatmir Sheholli, nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, deri me arrestimin e tij me dt.09.10.2025, në territorin e Republikës se Kosovës, me dashje dhe në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Inteligient i Serbisë (i njohur si BIA), ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s, Bojan Dimiq, në atë mënyrë që ka mbledhur të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me pronat “kinse të uzurpuara” të komunitetit serb në Kosovë, në lidhje me aktivitetet biznesore, si dhe me gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj ia ka përcjellë zyrtarit të lartë të BIA-s përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike”, thuhet kërkesën e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë me informatat që Sheholli ia ka përcjell BIA-s është cenuar siguria dhe rendin juridik në Kosovë.
“Është vërtetuar se me datën 26.09 2025, rreth orës 14:00, sipas udhëzimeve dhe planit operativ të përgatitur nga zyrtari i kartë i BIA-se, Bojan Dimiq, i pandehuri Sheholli, së bashku me bashkëshorten dhe veturën e tij, te tipit audi, kanë shkuar në Mitrovicën e Veriut dhe kur kanë arritur në parkingun e shkollës teknike, nga një person i panjohur deri më tani, ka pranuar materiale – audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, që dyshohet se janë komprometuese si dhe një shumë të të hollave si shpërblim për publikimin e tyre, të cilat materiale pastaj janë publikuar në media online në Kosovë, çka me këto veprime i pandehuri Fatmir Sheholli me dashje dhe vetëdije ka ndihmuar BIA-në duke zbatuar udhëzimet e tyre, çka me këtë e ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, integritetin e zyrtarëve dhe të qytetarëve të saj”, thuhet në kërkesë.
Rruga Press

