KryesoreLajme

Prokuroria dhe gjykata fshehën krimin arkeologjik të Kompanisë Kastrati

Shkatërrimi i një prej simboleve të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në Porto-Romano, gjatë ndërtimit të portit të hidrokarbureve sipas Prokurorisë dhe Gjykatës së Durrësit nuk përbën vepër penale. Pas një hetimi 4 vjeçar, ata u fshehën pas një akt-ekspertize që tregonte një situatë ndryshe nga e vërteta në terren dhe pushuan çështjen ndaj Kompanisë Kastrati.

“Muret e Portës” ishin monumenti i kulturës më i mbrojtur ligjërisht në Shqipëri, përmes statusit të kategorisë së parë dhe një vendimi të Ministrisë së Kulturës, që e shpalli hapësirën përreth tij si “Zonë të Mbrojtur”.

Në vitin 2015 kompania koncesionare Porti MBM – “Multi Buoy Mooring”, një bashkim operatorësh i udhëhequr nga konglomerati Kastrati Group, nisi punimet për ndërtimin e një porti hidokarburesh në Porto-Romano, Durrës.

Teksa një zinxhir institucionesh ngritën alarmin dhe kërkuan pezullimin e tyre në pjesën pranë monumentit të Antikitetit të Vonë në Porto-Romano, ato dështuan që kompania të ndalonte së dëmtuari strukturat arkeologjike.

Referimi i dëmtimeve në Prokurorinë e Durrësit, nuk e pengoi kompaninë që teksa ishte nën hetim për cenimin e mundshëm të monumentit, ta shkatërronte atë plotësisht në pjesën më simbolike që i dha emrin monumentit dhe vetë zonës, aty ku dikur ishte vendosur porta.

Prokuroria e Durrësit pas një hetimi 4 vjeçar megjithëse renditi referencat e institucioneve të ndryshme për dëmet në territor, përmes një akt-ekspertize që aq sa citohej në vendimin gjyqësor nuk shfaqte të vërtetën e asaj që ndodhi me monumentin, prokurori Gëzim Veizi kërkoi që çështja ndaj kompanisë “Kastrati” sh. a. të pushohej, me justifikimin se “fakti nuk përbën vepër penale”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe gjyqtarja e shkarkuar së fundmi nga Procesi i Vetingut, Shpëtime Pitaku, që gjithashtu u bind përballë qëndrimeve kontroverese midis autoriteteve shtetërore që rendisnin dëmtimet në territor dhe akt-ekspertizës që paraqiste një situatë të paplotë.

YouTube player

Prokuroria e Durrësit u vendos në lëvizje që në verën e vitit 2020, përpara se monumenti të shkatërrohej, në dhjetor 2021 dhe megjithatë ajo as nuk arriti ta parandalonte dhe as të vendoste përpara përgjegjësisë autorët.

Akt-ekspertiza e paplotë shpëtoi Kompaninë Kastrati

Në seancën gjyqësore të mbajtur më 29 shkurt 2024 si kallëzues përfundoi vetëm Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT), pranë Bashkisë Durrës, të cilët nuk kishin dërguar asnjë përfaqësues. 

Prokurori Gëzim Veizi kërkoi pushimin e çështjes që sipas tij nuk kishte asnjë vepër penale, nga të cilat po hetohej, ato të “Shkatërrimit të pronës” dhe të “Shkatërrimit të veprave kulturore”.

Parashtrimi i çështjes rendiste faktet se si një zinxhir institucionesh, si Policia e Shtetit, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Durrës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë, kishin konstatuar punimet e kompanisë pa leje dhe dëmtimet në territor.

Megjithatë situata përmbysej nga akt-ekspertiza teknike e kërkuar nga prokuroria, që rezulton të ketë paraqitur një situatë krejt të ndryshme nga ajo në terren. Megjithëse nuk jepen detaje nëse akt ekspertiza teknike përgjatë hetimit 4 vjeçar është përgatitur para apo pas momentit të shkatërrimit të monumentit, ajo paraqet gjendjen e tij përpara nisjes së punimeve të portit.

“Referuar kontrollit në terren, nuk konstatohen dëmtime të shkaktuara në murin e inspektuar nga ana jonë, me përjashtim të disa frakturave në dukje të vjetra, vegjetacionit të ulët, dëmtimit nga faktorët atmosferikë të gurëve dhe tullave të murit apo të vendstrehimit të ndërtuar në brendësi të kullës përpara viteve 1990”, shkruanin ekspertët e kontraktuar nga prokuroria, në vendimin gjyqësor që Amfora lexoi.

Ata përmendnin “gjurmët e mureve në pjesën perëndimore” dhe në një analizë që ngjit fakte pa lidhje direkte me njëra-tjetrën, nënkuptojnë sikur këto gjurmë të jenë zhdukur ndër vite nga faktorët atmosferikë apo nga mos ndërhyrja me restaurime e Ministrisë së Kulturës.

Skicë nga Media Amfora, që ilustron monumentin e shkatërruar

Ekspertiza tregon se nga informacioni që japin 3 projektet e mëparshme të parealizuara në terren, të gjitha kanë përmendur emergjencën që dy fragmente në drejtimin perendimor të “Mureve të Portës” kanë pasur për shkak të erozionit dhe dëmtimeve të tjera natyrore. 

“E vetmja referencë e gjurmës së mëparshme të fragmenteve të mureve në pjesën perëndimore të linjës që konstatojmë në terren, mbeten të dhënat e përfituara nga projekti zyrtar i miratuar në vitin 2020 nga Ministria e Kulturës”, shkruan ekspertiza.

Lexo më shumë  Qeveria miraton nismat për amendamentet e marrëveshjeve IPA me Bashkimin Evropian

“Ky projekt si dhe të tjerët përpara tij që ne kemi konstatuar nga arkiva e IKTK, nuk janë realizuar dhe rrjedhimisht Muret e Portës nuk duket se kanë patur ndërhyrje konservuese e restauruese të dukshme prej kohësh, me përjashtim të zbankimeve të dherave apo pastrimit të vegjetacionit nga autoritetet shtetërore në kuadër të mirëmbatjes sikuse pohon projekti i parealizuar i vitit 2020”, shtonte ajo.

Sipas investigimit tashmë 5 vjeçar të Medias Amfora, ndarë në disa publikime, rezulton se monumenti në pjesën perëndimore ruhej në gjendje të mirë dhe solide. Por punimet e portit në dhjetor të vitit 2021 shkatërruan në mënyrë të qëllimshme monumentin e Antikitetit të Vonë, rreth 25 metra prej mureve mbi të cilat ngrihej dikur porta hyrëse, e kuruar me qemer.

Linja e rrafshuar e murit u fotografua në këmbë për herë të fundit nga ekipi i Amforës më 1 dhjetor 2021 dhe sot ka mbetur vetëm një linjë muri, përfshirë një kullë të fortifikuar që u betonizuan përqark dhe rrezikohen nga lëvizja e mjeteve të rënda aty ngjitur.  

Monumenti përpara shkatërrimit, më 28 mars 2021. Foto: Media Amfora 

Arkeologu Apollon Baçe ka rrëfyer në një raportim të mëparshëm për Median Amfora, se pasi u thirr nga prokuroria, kishte parë provat e krimit arkeologjik. 

“Rreth 6 muaj më parë Prokuroria e Durrësit më ka thirrur për një proces verifikimi në terren. Më ka telefonuar një oficer i policisë dhe kam shkuar së bashku me të, për të parë situatën dhe ajo që verifikova në vend ishte një gjysmë muri i shkatërruar totalisht”, tregoi Baçe në atë kohë.

“Gjysma e murit ishte shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme. Mjetet që vazhdonin ende të punonin ndërsa ne ishim në terren. Një babëzi që nuk ndalet përpara asgjëje. Kjo ishte ajo që pashë”, shtoi Baçe.

Dëmtimi i monumentit ishte referuar jo vetëm nga institucionet e përmendura në vendimin gjyqësor, por edhe nga raportimet mediatike, deri në kulmimin me organizatën Europa Nostra, që e përfshiu atë në listën e ngushtë, potenciale për tu përfshirë tek 7 monumentet më të rrezikuara në të gjithë Evropën.

Heldi Kodra është anëtar i grupimit të të rinjve në Organizatën Europa Nostra dhe ka vijuar advokimin vitet e fundit me qëllim ndalimin e shkatërrimit të monumentit dhe marrjen e tij në mbrojtje.

“Fatkeqësisht, një vendim i tillë ligjëron shkeljet që po kryhen në monumentin ‘Muret e Portës’, duke minuar kështu rendin ligjor dhe procese të rëndësishme siç është ai i integrimit në Bashkimin Evropian”, shpjegoi i riu.

“Prokuroria pranë kësaj gjykate ka dështuar të mbledhi dhe të evidentojë faktet reale që karakterizojnë çështjen dhe ka synuar t’i japë fund hetimit mbështetur në relacione të paplota, duke zhveshur nga përgjegjësia penale kompaninë private”, komentoi Kodra.

Megjithëse përgjegjës direkt për këtë projekt është kompania “Porti MBM”, në hetim është marrë zotëruesi i saj kryesor, Kastrati Sh. a., që e ka ndryshuar emrin në Kastrati Group dhe që zotërohet nga biznesmeni Shefqet Kastrati dhe familja e tij.

Monumenti përpara nisjes së punimeve të portit, më 21 mars 2017. Foto: Media Amfora 

Kompania dyshohej të kishte konsumuar veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, që dënohet me gjobë ose deri në 3 vite burgim dhe për veprën penale “Shkatërrimi i veprave kulturore”, që dënohet me gjobë ose deri në 3 vite burgim dhe në rastet kur ato kanë rëndësi kombëtare, dënohet me gjobë ose me burgim nga 2 deri në 8 vite.

Por Prokuroria në fillim dhe Gjykata e Durrësit më pas, vendosën që ta pushonin procedimin penal numër 1608, të vitit 2020, për shkak se “faktet nuk përbënin vepra penale”. Nga ana tjetër monumenti simbol i trashëgimisë kulturore shqiptare u shkatërrua në të paktën 25 metra dhe prokuroria dështoi të identifikonte përgjegjësitë e kompanisë koncesionare.

Kronologjia e një krimi ndaj identitetit kombëtar

E vetmja gjurmë arkeologjike në veri të Durrësit, gati 7 kilometra nga qendra urbane, ishte një linjë fortifikimi, e pajisur me një kullë, që është ndërtuar aty që prej shekujve IV-V të Erës Sonë. 

Strukturat arkeologjike ishin shpallurr Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1948 dhe pasi Kuvendi miratoi koncesionin në vitin 2015, më 3 qershor 2016 Ministria e Kulturës lëshoi urdhërin për “Shpalljen e Zonës së Mbrojtur të Objektit Monument Kulture Kategoria e I-rë ‘Muret e Portës’, Porto-Romano, Durrës”.

“Muret e Portës” u kthyen në monumentin më të mbrojtur në Shqipëri, por megjithatë punimet për ndërtimin portit nuk respektuan hapësirën përreth tij dhe sollën dëmet e para sipas vëzhgimit të Amforës që prej verës së vitit 2020.

Lexo më shumë  Ministri Maqedonci pjesëmarrës në konferencën e ‘Kartës së Adriatikut’
Infografikë për kronologjinë e ngjarjeve. Foto: Media Amfora 

Punimet u përqendruan tek simboli i monumentit, dy mure të ndara nga njëri-tjetri nga hapësira ku dikur ishte vendosur porta. Gërryerja me eskavator në pjesën e kodrës i la ata të pambrojtur dhe dalloheshin gjurmët e gërmimeve, që kishin rrafshuar edhe mbetjet arkeologjike të panjohura më parë.

Punimet u realizuan pa monitorim arkeologjik, që është një kusht ligjor për projekte të tilla. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, me vendimin e 24 janarit 2017 i kërkoi kompanisë që të lidhte akt-marrëveshje tre palëshe me një subjekt privat në arkeologji që do të monitoronte punimet, por kjo nuk ndodhi.

Përballë shkeljeve të njëpasnjëshme ligjore, kompania që po e ndërtonte portin për hidrokarbure, nxorri “asin nën mëngë” dhe kërkoi që ta zgjeronte aktivitetin edhe në port tregtar. Në vitin 2015 Kuvendi i Shqipërisë e miratoi koncesionin e formës BOT për ndërtimin portit dhe operimin e tij për 35 vjet dhe pasi kontrata u amendua në vitin 2020, asaj ju dha e drejta e zgjerimit të aktivitetit si një port tregtar. 

Ky revansh u shoqërua më herët me ndryshime të projektit që supozohej të ishte i përcaktuar mirë nga ana teknike që në momentin e miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë. Megjithëse shqetësimet u përcollën edhe me pyetje nga deputetët në Komisionet Parlamentare në atë kohë, nga projekti fillestar që ruante distancën nga monumenti, u propozua dhe u vijua me ndërtimin e një dallgëthyesi aty pranë, deri në rrafshimin e plotë të strukturës arkeologjike.

Fillimisht Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Teritorrit (IMT) në Bashkinë Durrës ishte ai që dërgoi një grup inspektimi për punimet e portit, më datë 2 qershor 2020. Ata konstatuan se kompania po i lëvizte dherat pa leje dhe vendosën gjobitjen e subjektit “Kastrati sh. a.”, me 50.000 lek. Por gjoba nuk e ndali kompaninë që të vijonte me gërryerjen e kodrës, në të cilën ishte mbështetur muri antik.

Prokuroria e Durrësit u vendos në lëvizje përpara se monumenti të shkatërrohej dhe megjithatë as nuk arriti ta parandalonte dhe as të kishte rezultate pas mbylljes së hetimit, që të vendoste përpara përgjegjësisë urdhëruesit dhe autorët. 

Mesditën e 13 gushtit të vitit 2020, një oficer policie gjatë patrullimit të territorit në Porto-Romano, konstatoi se një eksavator po bënte gërmime dheu “në afërsi të mureve të kalasë”, monument kulture i mbrojtur nga shteti.

“Në datën 14.08.2020 është shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga kqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi se në lagjen nr. 15, Porto-Romano, në breg të detit, muri antik, i cili ka një gjatësi prej 16 metra dhe gjerësi 1.7 m. Nga kqyrja e mëtejshme është vënë re se në anën jugore muri është gërryer.  Në ambientet përreth shikohen materiale inerte dhe mjete të rënda, si eskavator, vinç dhe kamionë”, shkruhet për këtë moment në vendimin e gjykatës. 

Punimet e portit më 21 prill 2022. Foto: Media Amfora 

Prokuroria e Durrësit e zvarriti hetimin edhe me pretekstin se ishte në kërkim të ekspertizës, që ishte vonuar dhe në një moment ajo i kërkoi ekspertizë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Tiranë, e cila po ashtu kishte njoftuar disa herë policinë dhe autoritetet e tjera për dëmtimin e monumentit.

“Në lidhje me këtë procedim, për sqarimin e plotë dhe të gjithanshëm të rrethanave të hetimit, është i nevojshëm kërkimi dhe marrja e të dhënave nga fusha e ekpertëve të trashëgimisë kulturore”, prarashtroi Prokuroria e Durrësit më herët për Median Amfora.

Por mungesa e një eksperti, të cilët janë të shumtë në këtë fushë, bëri që kjo çështje të mos hetohej shpejt dhe të mos dërgohej për gjykim. 8 muaj nga kërkesa e parë, Prokuroria ju drejtua përsëri DRTK-së Tiranë dhe e kujtoi se nuk kishte marrë përgjigje për kërkesën e parë për kryerjen e një inspektimi teknik.

“Punimet që po bëhen në Porto-Romano po i humbasin vlerat e jashtëzakonshme historike Durrësit dhe të gjithë vendit”, komentoi për Amforën më herët, Prof. Dr. Apollon Baçe. 

“Është prishur pikërisht porta që i ka dhënë edhe emrin vendit”, konstatoi më parë arkeologu Neritan Ceka, i cili theksoi se ligji parashikonte ndërhyrjen e prokurorisë për këtë rast, si edhe procedimin e dëmtuesve.   

Por hetimi i Prokurorisë së Durrësit u kthye në një farsë dhe nuk vendosi askënd përpara përgjegjësisë, përballë shkatërrimit të një prej monumenteve arkeologjike më të mbrojtur ligjërisht në Shqipëri.

“Ndihem i keqardhur për një vendim të tillë, në momentin kur do t’i takonte gjykatës të jepte një verdikt që do të ndryshonte rrethanat dhe kushtet në të cilat gjendet monumenti antik”, përmbylli komentin aktivisti Heldi Kodra. /AMFORA/

YouTube player