Lajme

Projektet e strehimit social, Financat: Bashkitë afat deri më 1 mars për aplikimet

Pushteti vendor i cili është një hallkë e rëndësishme sa i takon programeve të strehimit social do të vijojë të marrë mbështetje edhe gjatë këtij viti me fonde por gjithmonë nëse aplikimet e tyre përmbushin kushtet.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka njoftuar bashkitë në të gjithë vendin që të paraqesin aplikimet e tyre për projektet e strehimit deri më datën 1 mars 2022. Fondi në dispozicion për këto projekte është 241 milionë lekë në total të cilat u ndahen bashkive sipas projekteve fituese.

“Nëpërmjet kësaj shkrese ju njoftojmë për hapjen e thirrjes për projektet e strehimit për vitin 2022, si edhe ju informojmë mbi afatet, mënyrën e aplikimit dhe kriteret për përfitimin e fondeve buxhetore. Buxheti i shtetit në dispozicion për projektet e reja te investimeve në strehim për vitin 2022, është 241 milion lekë në total.

Lexo më shumë  Daut Haradinaj shprehet për një koalicion të opozitës me Vjosa Osmanin brenda, kundër Albin Kurtit

Aplikimi për përfitimin e fondeve do të bëhet me procedurë konkurrimi. Informacioni i plotë mbi llojin e projekteve që do të financohen, kufijtë maksimale të lejuar të financimit sipas projekteve, kushtet për të përfituar fonde, kategoritë prioritare, formati i aplikimit për t’u plotësuar, si dhe kriteret e vlerësimit të projekteve të reja të investimeve, që do të financohen nga buxheti i shtetit në vitin 2022, është përmbledhur në Shtojcën “A, publikuar në faqen e Ministrisë” thuhet në shkresë.

Po kështu Ministria u bën me dije se tabela nr.1 “Të ardhurat vjetore për frymë, sipas bashkive për vitin 2021” do t’ju komunikohet me e-mail bashkive, si edhe do të publikohet në adresën e internetit si më sipër, në momentin që do të publikohet Raporti Vjetor për Financat Publike Vendore 2021.

Lexo më shumë  Kurti priti në takim përfaqësues të BERZh-it, diskutohen investime deri në 400 milionë euro deri në vitin 2027

“Afati i fundit i dorëzimit të aplikimeve për mbështetje financiare nga buxheti i shtetit për projektet e strehimit është data 01.03.2022” nënvizon dokumenti.

Qeveria ka saktësuar se për bashkitë të cilat do të shpallen fituese për projektet e investimit të vitit 2022, fondet e buxhetit të shtetit do të çelen vetëm pasi të jenë çelur fillimisht fondet e bashkëfinancimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

“Çdo kursim nga prokurimi do të ndahet sipas përqindjes se bashkëfinancimit dhe fondi i kursyer nga buxheti i shtetit do t’i kthehet Ministrisë se Financave dhe Ekonomisë” thuhet në shkresën e Financave. (monitor)

YouTube player