KryesoreLajme

Projektet e dhëndrit të Trumpit/ Investimi që ndryshoi ligjin e zonave të mbrojtura në Shqipëri

Media amerikane Bloomberg News njoftoi sot se dhëndri i Donald Trump, Xhared Kushner synon të investojë në Shqipëri qindra miliona dollarë nëpërmjet dy projekteve turistike me kompaninë e tij, Affinity Partners. Bashkë me një projekt tjetër në Beograd, vlera e investimit mund t’i kalojë 1 miliard dollarët.

Projekti i i parë në Shqipëri do të jetë një resort luksi në ishullin e Sazanit të markës së hoteleve Aman, që është një nga markat më të shtrenjta në botë.

“Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë parë kudo në botë” citon Bloomberg dhëndrin e Trump që ka shërbyer edhe si këshilltar në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të vjehrrit të tij.

Projekti i dytë do të jetë në zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, ku planifikohet ndërtimi i disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila.

Përgjigjia e qeverisë shqiptare

Lajmi i Bloomberg News u mor brenda ditës nga Zëri i Amerikës, që pyeti brenda ditës qeverinë shqiptare, që u përgjigj po brenda ditës. Në përgjigje, ku citohet Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit konfirmohet se kompania e zotit Kushner ka paraqitur një aplikim pranë Agjencisë së Zhvillimit të investimeve “për një projekt turistik në ishullin e Sazanit”.

Gjithsesi Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit shton se për Sazanin ka pasur edhe kërkesa të tjera që janë refuzuar sepse nuk kanë qenë “në perputhje me vizionin e një turizmi miqësor me mjedisin dhe natyrën”. Ky projekt sipas përgjigjes duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga disa institucione dhe të arrijë më pas tek Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Për rastin e Zvërnecit, ministria tha se nuk ka dijeni për një projekt të tillë.

Por në përgjigje bie në sy një paragraf i fundit, ku lihet të kuptohet se investimi amerikan i Jared Kushner shihet me sy pozitiv dhe se me gjasë qeveria shqiptare do ta miratojë. Kjo saktësohet në fjalitë e mëposhtme ku thuhet: “Çdo investitor serioz që vjen, për më tepër nga vende aleate strategjike të Shqipërisë siç janë edhe SHBA-të, e ka derën të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe të standarteve të larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit”.

Investimi që ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura

Herën e parë në Shqipëri, Jared Kushner erdhi me bashkëshorten, Ivanka Trump në verën e vitit 2021. Nga Durrësi në Himarë ata qëndruan në jahtin e tyre duke shijuar bregdetin shqiptar. Bashkë me ta ishte edhe sheiku Nasser Al-Khelaifi, presidenti i PSG-së. Në Butrint, i shoqëroi Auron Tare që bëri edhe ciceronin.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Herën e dytë, në verën e vitit të kaluar Jared Kushner erdhi edhe për punë Ai shoqërohej jo vetëm  Ivanka Trump, por edhe nga Richard Grenell, ish-i dërguar i administratës Trump për Ballkanin Perëndimor dhe Asher Abehsera ortaku i tij në biznes.

Në prononcimin për Bloomberg News, Kushner pranon se sinjalet e para për të investuar në Shqipëri i mori pikërisht nga këta dy persona, Richard Grenell dhe Asher Abehesera. Ky i fundit është personi në të djathtë të fotos, që qëndron pranë kryeministrit Edi Rama.

Në foton më lart, grupi sapo ka dalë nga muzeu “Shtëpia e gjetheve” në Tiranë, të cilën e vizituan në verën e vitit të kaluar.

Pavarësisht se çfarë thotë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që projekti për Sazanin duhet të ende të shqyrtohet, apo se projekti për Zvërnecin nuk ka ardhur ende në ministri, është e qartë se dy biznesmenët nuk ia kanë lënë rastësisë investimin prej qindra miliona dollarësh.

Dyshimet se projekti është miratuar nga të dyja palët përforcohen edhe nga një lëvizje tjetër e mazhorancës, siç ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura dy javë më parë.

Investimet private në parkun kombëtar detar në Sazan dhe në peisazhin e mbrojtur në Zvërnec, deri pak kohë më parë pengoheshin nga ligji. “Ky detaj i vogël” ndryshoi me votën e socialistëve në parlament dhe i dha të drejtë privatit të hyjë si investitor strategjik edhe në zonat e mbrojtura për të ndërtuar hotele apo vila luksi, posaçërisht si ato që synon të ndërtojë dhëndri i Trump në bregdetin shqiptar.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Një shans i artë për Edi Ramën

Kur kryeministri i Shqipërisë i fal tokë dhe taksa investitorëve arabë, sigurisht që asgjë nuk e ndal të jetë bujar edhe me investitorët amerikanë.

Rama ka pasur rastin ta takojë vetëm një herë Donald Trump, pak sekonda në një samit të NATO-s në Kroaci. Një pamje flu e kapur shpejt ishte për të “Photo of the day”. Ky investim i Jared Kushner në Shqipëri, duket një rast i artë për të pasur një kontakt me familjen Trump.

Kandidati i republikanëve për president, Donald Trump ka thënë se nuk do që e bija, Ivanka dhe dhëndri i tij Jared të përfshihen në fushatën presidenciale për Shtëpinë e Bardhë, por sërish Jared është komentuar në mediat amerikane si këshilltari i tij i preferuar, që ende e ka një rol në prapaskenë.

Për Ramën, që sapo është cilësuar një “udhëheqës i shquar” nga administrata Biden, ky kontakt me Kushner duket një “plan B”, që garanton mbështetje të palëkundur, edhe nëse qytetarët amerikanë votojnë ndryshimin e administratës Biden.

Jared Kushner, së fundmi mori një investim prej 2 miliardë dollarësh nga fondi i pasurisë sovrane i kontrolluar nga Princi Mohammed,  i Arabisë Saudite. Kur opinioni publik në Shtetet e Bashkuara i kujtoi rolin e princit në vrasjen e gazetarit Xhemal Kashogi, dhëndri i Trump tha se nuk i kishte lexuar raportet e inteligjencës.

“Ajo që ndodhi ishte e tmerrshme. Por sërish, po ju them: Roli jonë është të përfaqësojmë Amerikën dhe të bëjmë që gjërat të ecin mirë në Amerikë” u shpreh ai./Lapsi.al

YouTube player