Lajme

Projekte milionëshe mbesin peng i mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare nga PDK-ja e AAK-ja

Për shkak të mospjesëmarrjes në votim të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë mbetur pa u miratuar disa marrëveshje ndërkombëtare për grante e kredi, në vlerë mbi 300 milionë euro. Ministri i Financave, Hekuran Murati, i fajësoi këto dy parti se po pengojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve duke bllokuar shumë investime.

Qëndrimi i PDK-së e AAK-së për të mos marrë pjesë në votim të marrëveshjeve ndërkombëtare ka pamundësuar miratimin e një projektkredie, që do t’u jepte zgjidhje problemeve me tensionin e energjisë elektrike në Dragash, Malishevë e Rahovec.

Përveç këtyre komunave, nga mospjesëmarrja në votim e kësaj pjese të opozitës, edhe kryeqyteti u privua nga një projekt milionësh që hyn në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Projekti për ngrohjen solare të Prishtinës as nuk arriti të dalë në votim, për çka ministri i Financave, Hekuran Murati, fajësoi PDK-në e AAK-në për bllokim të investimeve që qëllim kanë përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Është një projekt 80 milionë euro që parashihet t’i ofrojë mbështetje termokosit për zgjerimin e rrjetit, për edhe 70 megavat të tjera, si edhe rritjen e kapaciteteve prodhuese edhe 30 megavat me energji solare. D.m.th. është projekt unik në Ballkan. E mira e kësaj është që 54 milionë euro nga këto 80 milionë janë grant janë para të cilat janë para falë dhe opozita po i bllokon këto mjete, po i refuzon”, ka thënë Murati.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Për shkak të mungesës së konsensusit politik u shtynë për një seancë tjetër të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare për grante e kredi që ishin në rend dite, e me vlerë projektesh mbi 300 milionë euro.

Refuzimi i të dyja partive për të votuar nxiti reagimin e kryeparlamentarit.

“Unë si kryetar i Kuvendit mendoj që një Kuvend i cili nuk e ka kapacitetin e vetë objektiv të kalojë marrëveshje ndërkombëtare nuk ia vlen të ekzistojë legjislatura hiq”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Grupet parlamentare të PDK-së e AAK-së i përmenden kushtet për votimin e marrëveshjeve.

“Kërkesat e Policisë, zgjidhja e çështjes së veteranëve të plotësohen ose ne nuk votojmë as ligjet ndërkombëtare, por jo vetëm ndërkombëtare, por edhe Bashkimin Kombëtar që e ka propozuar Mimoza Kusari s’e votoj pa u plotësu këto kërkesa”, ka thënë deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

“Ne ju ftojmë të ulemi dhe të diskutojmë për datën e zgjedhjeve dhe në momentin që dakordohemi kur do ta çojmë vendin në zgjedhje, ta shpërndajmë këtë legjislaturë jofunksionale, jemi dakord që brenda asaj dite t’i kalojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”, ka thënë shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

E në formë shakaje kryetari i Kuvendit negocioi kushtëzimin e PDK-së.

“E nëse pajtohemi që zgjedhjet janë në janar të 2025-s a i votoni marrëveshjet ndërkombëtare”, ka shtuar Konjufca.

Me gjithë bllokadën, Ministri i Financave tha se opozita nuk do të arrijë qëllimin për të shkuar në zgjedhje.

“Sa u përket zgjedhjeve, ne si Qeveri dhe si shumicë mund të vazhdojmë edhe pa to, vetëm se dallimi është që këto projekte, këto grante, duhet të financohen me para të taksapaguesve pastaj. Sepse nuk është që bllokohet Qeveria, nuk po bllokohet puna qeverisë vetëm po i bëhet më e shtrenjtë qytetarit që të arrijë deri tek ato projekte”, ka thënë ministri Murati.

Në këtë seancë ka arritur të miratohet në parim vetëm Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Miratimi u bë me ndihmën e ligjvënësve të LDK-së, meqë disa deputetë të partisë në pushtet votuan kundër, disa abstenuan e disa nuk morën fare pjesë në votim.

Rruga Press

YouTube player