Lajme

Problemet e marrëveshjes Rama-Meloni me ligjet e BE-së

Këshilli Europian për refugjatët dhe mërgimtarët,(ECRE -European Council on Refugees and Exiles) me qendër në Bruksel, ka shprehur rezerva lidhur me një sërë ҫështjesh që paraqesin nenet e marrëveshjes Rama-Meloni. Ky protokoll parashikon ngritjen e dy qendrave pritëse në Shqipëri për refugjatët nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme që kapen në det, para se të shkelin tokën italiane.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi (13.12.2023) ta pezullojë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Parlament. Dy fraksionet kundërshtare të PD, më të madhes në opozitë në Shqipëri, u bashkuan bashkuan duke e çuar marrëveshjen Rama-Meloni në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar kontrollin e kushtetueshmërisë së saj.

Catherine Woollard, Drejtorje Ekzekutive e Këshillit Europian për Refugjatët dhe të Mërguarit, (ECRE-European Council on Refugees and Exiles) mendon, se në nenet e marrëveshjes në fjalë ka një informacion shumë të kufizuar: ”Ka shumë pak detaje se çfarë do të ndodhë në 2 qendrat pritëse të ngritura në Shqipëri, cili është qëllimi i tyre dhe sesi do të menaxhohen ato. Marrëveshja përfshin të gjithë referencat standarde lidhur me të drejtat e njeriut, por nuk ka asnjë informacion sesi do të respektohen këto të drejta. Qendrat janë nën juridiksionin italian në territorin shqiptar më tepër sipas “modelit australian” sesa atij mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës,” thotë Catherine Woollard në një prononcim ekskluziv për DW.

Cilat janë problemet ligjore që paraqet kjo marrëveshje?

“Ligji aktual i BE nuk lejon zbatimin ekstra-territorial të procesit të kontrollit dhe procedurave kufitare të azilit dhe kthimit. Sipas këtij ligji ky proces duhet të kryhet në territorin Italian”, thotë për DW, Catherine Woollard.

Ajo thekson që kryerja e procesit të kontrollit dhe procedurave kufitare në territorin e Shqipërisë, “nuk mundëson garantimin e respektimit të procedurave dhe shkel të drejtat e Kartës së të Drejtave Themelore të Njeriut, të BE-së”.

A është i ligjshëm përdorimi automatik i paraburgimit?

Marrëveshja Rama -Meloni duket se parashikon paraburgimin automatik të refugjatëve që do të mbërrjinë në qendrat pritëse në Shqipëri. “Kjo është e paligjshme. Periudha e qëndrimit nuk mund të jetë më e gjatë se ajo e lejuar nga kuadri ligjor në Itali. Kur përfundon, ata nuk lirohen në Shqipëri, por largohen nga territori shqiptar. Pa dyshim, nga përshkrimi i qendrave pritëse në marrëveshjen Rama-Meloni, ato janë qendra paraburgimi dhe do të konsiderohen si të tilla sipas jurisprudencës kombëtare dhe asaj të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Përveç nevojës për një vlerësim individual kushtet e tjera –  aksesi në të drejta, kujdesi për shëndetin, dinjiteti – për një përdorim të ligjshëm të paraburgimit nuk ka gjasa që të jenë të plotësuara”, thotë për DW Catherinë Woollard.

Lexo më shumë  Në letrën drejtuar kreut të OKB-së, të rinjtë nga Serbia ekspozuan gënjeshtrat e regjimit të Vuçiqit dhe mbështetën rezolutën për Srebrenicën

A ka shkelje të Ligjit Ndërkombëtar të Detit?

Devijimi i operacioneve të Kërkim- Shpëtimit drejt Shqipërisë lë hapësira për shkelje të Ligjit Ndërkombëtar të Detit.

“Sipas këtij ligji ekziston detyra  që njerëzit e shpëtuar të transportohen dhe zbarkohen në një vend të sigurt. Nuk është e qartë nëse Shqipëria është një vend i sigurtë, për shembull, për viktimat e trafikimit, që  ka shumë mes atyre që shpëtohen në Detin Mesdhe. Nuk është e qartë gjithashtu që transporti i tyre në Shqipëri për të qenë të paraburgosur do të thotë të jenë në një vend të sigurtë. Ndërkohë që sipas Konventës së Kërkim-Shpëtimit, njërëzit duhet të transporohen në vendin më të afërt të sigurtë.” thotë për DW, Catherinë Woollard.

A ka sfida lidhur me legjislacionin kombëtar të Shqipërisë?

“Po, mund të ketë sfida ligjore në Shqipëri. Pavarësisht pretendimeve në marrëveshjen Rama-Meloni që këto qendra do të jenë nën juridiksionin Italian, ligji shqiptar do të vazhdojë të zbatohet. Sipas ligjit ndërkombëtar, nuk është e mundur që një shtet të lëshojë juridiksionin mbi një pjesë të territorit të tij për qëllimet e këtij protokolli. Shqipëria është gjithashtu e lidhur me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe ka miratuar gradualisht legjslacionin e BE-së duke përfshirë edhe azilin. Njerëzit do të ishin nën juridiksionin italian, do të ishin në tokën italiane. Ata mbeten gjithashtu nën juridiksionin shqiptar”, thotë për DW Catherine Woollard.

A mundet Italia të mbështesë Shqipërinë në procesin e hyrjes në BE?

Lexo më shumë  Maqedonci publikon pamje të ushtrimeve që po kryen Komanda e Forcave Tokësore

Në këmbim të gatishmërisë së Shqipërisë për të ngritur në territorin e saj dy qendra pritëse për 36 mijë refugjatë në vit, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ka deklaruar që Italia do të mbështesë Shqipërinë në procesin e hyrjes në BE.

“Italia premton atë që nuk është një dhuratë e saj ndaj Shqipërisë. Marrëveshja sjell përfitime të ndryshme financiare dhe diplomatike për Shqipërinë.  Ajo është një mbështetje për përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, që është një politikë e udhëhequr nga Komisioni Europian”, thotë Catherine Woollard.

Pretendimet e dy fraksionet kundërshtare të PD dhe pezullimi i protokollit nga Gjykata Kushtuetuese

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi (13.12.2023) të pezullojë ratifikimin në Parlament të marrëveshjes Rama -Meloni, të njohur si “Protokolli ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.

Dy fraksionet e PD, pretendojnë që marrëveshja Rama-Meloni është arritur “në mungesë të plotë të transparencës, në mosrespektim të procedurës së negociimit dhe nënshkrimit. Ajo është një marrëveshje që prek territorin e Shqipërisë dhe të drejtat themelore, dhe si e tillë  kërkon autorizimin e Presidentit të Republikës.”

Sipas Qeverisë së Shqipërisë,protokolli në fjalë synon forcimin e bashkëpunimit dypalësh për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane. Autoritetet shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të refugjatëve të strehuar në strukturat që do ndërtohen për të kryer vetëm procedurat kufitare apo ato të riatdhesimit.

Edhe pse Këshilli i Ministave të qeverisë Rama e ka miratuar marrëveshjen Rama-Meloni, fatin e saj do ta përcaktojë Gjykata Kushtetuese në 18 janar 2024./DW

YouTube player