Probleme në Rrugën e Arbrit, bllokohet kalimi, dhjetëra fshatra pa energji elektrike
DIBËR – Edhe pse u inaugura me ‘bujë’ të madhe, rruga e Arbrit, aq shumë e dashur nga dibranët, u bllokua nga reshjet e dëborës në zonën e Qafës së Murrizit. Për këtë arsye, për disa orë Policia Rrugore bllokoi qarkullimin e automjeteve, ndërsa me anë të një njoftimi të dytë, Policia tha se nuk do të lejonte qarkullimin e asnjë automjeti në këtë aks që nuk përdorin goma dimërore si dhe me zinxhirë.
Për shkak të reshjeve të dëborës në Rrugën e Arbrit, në ‘Bypass’, qarkullimi i automjeteve është ndaluar përkohësisht pasi i gjithë aksi po pastrohet nga borëpastrueset. Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në të dyja kahet e lëvizjes dhe nuk do të lejojnë asnjë drejtues mjeti të qarkullojë pa vendosur goma dimërore, zinxhirë dhe deri sa rruga të pastrohet plotësisht nga kontraktorët. Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë aks. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112 ose dërgoni njoftim në Komisariatin Dixhital”, thuhet në njoftimin e Policisë Rrugore.
Ndërkohë, për shkak të motit të keq, shoqëruar me reshje të shumta dëbore, në Qarkun e Dibrës pati probleme edhe me furnizimin me energji elektrike. Rreth 11 fidera që furnizojnë rrethet Dibër, Bulqizë e Mat kanë pësuar defekte për shkak të reshjeve të dëborës dhe erës së fortë. Deri në orët e darkës, sipas burimeve, janë riparuar 6 nga 11 fiderat që kishin defekte. Si pasojë e defekteve, edhe dy njësi administrative në zonën e Pogradecit kanë pasur ndërprerje energjie prej 48 orësh. Edhe në Fier një sërë fshatrat kanë pasur mungesë energjie. Raportohet se nënstacioni i Poçemit ka ndalur punën që nga ora 01:30 e mëngjesit. Rreth 3700 abonentë mbetën pa drita në Hekal, Fratar, Selitë dhe Kutë.
Rruga Press