Privati Grenell, ish-privati i Trumpit, tani flet pak më hapur nga Serbia
Ish i Dërguari i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, mbajti një fjalim në Fakultetin e Shkencave Politike të Beogradit ku tha shumë deklarata.
Duke folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se ka dy probleme – duke pretenduar se bëhet fjalë për faktin që procesin e udhëheqin evropianët dhe Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Administrata aktuale amerikane është e vendosur se ky është një proces i udhëhequr nga evropianët, por rezulton se ata nuk zgjidhin asgjë”, citohet të ketë thënë Grenelli.
Çfarë bën përshtypje tjetër në deklaratat e tij të fundit, është fakti se ndër tjerash, Grenell ka vlerësuar se KFOR-i duhet të largohet nga Kosova.
Ai tha se KFOR-i duhet të tërhiqet nga Kosova, pasi “në këtë mënyrë po e zgjat konfliktin”, pastaj se “dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli ku përmendet njohja e pavarësisë së Kosovës nuk e zgjidh problemin”.
Në një ligjëratë para studentëve në Fakultetin e Shkencave Politike, Grenell tha se “nën siglën e shtypit të lirë shkruhen shumë gjëra, madje edhe të pavërteta dhe shpifje, e njëra prej tyre është se ai paguhet nga autoritetet serbe”.
Ky është po i njëjti Grenell, ai i cili duke u imponuar jepte udhëzimin se marrëveshja Kosovë-Serbi nuk ka të bëjë me çështje politike, por vetëm ekonomike. Është ai që përballë mosnjohjes së Kosovës nga Serbia, çështjes së hapur të të zhdukurve të luftës, politikës shtetërore serbe që dëshiron të minojë sovranitetin e Kosovës për t’i paraprirë bërjes së Kosovës shtet mosfunksional, e që kjo të çojë në ndarje të Kosovës, është ky Grenell që këtyre çështjeve thelbësore iu mbivendos me probleme të stisur, deri në nivele qesharake, siç ishte, bie fjala, nevoja për një marrëveshje Kosovë-Serbi e cila nuk do e pengojë një qytetar serb apo shqiptar që të marrë një makinë me qera në Kosovë apo në Serbi.
Dhe gjatë rrugës së kësaj marrëveshjeje, ashtu si pa u ndjerë, po në kuadrin “ekonomik”, Serbia do të përfitonte Liqenin e Ujmanit. E nga ana tjetër, shefi i Grenellit, Trumpi, do të përfitonte vulën e tij të një marrëveshjeje të cilën në zgjedhjet elektorale do ta propagandonte si zgjidhje të një problemi historik shqiptaro-serb. Përveç defekteve në histori dhe politikë, doli se Trumpi kishte probleme edhe me gjeografinë, duke qenë se ky i fundit në një letër të tijën e paraqiti Kosovën si vend të Lindjes së Mesme.
Në kohën kur Grenelli shkoi deri në shantazhim për të shtyrë përpara atë që e konsideronte marrëveshje ekonomike, nga ana tjetër, fshehja e problmeve politike e nxirrte Serbinë faqebardhë. Dhe Grenelli, si një person i akuzuar se është lobist i paguar i Serbisë, e di mirë se sa i përket politikës Kosova mban pozicionin e drejtësisë dhe nga ai pozicion mund të ndërtojë një narrativë të së drejtës të cilën Serbia nuk e do aspak. Kjo drejtësi do ta bënte edhe Serbinë të drejtë, pasi kjo të lante fajet, krimet e shkuara dhe ato aktuale; dhe një Serbi e drejtë nuk ka vend për politikanë fashzoidë si miku i Grenellit, Vuçiqi.
Vetëm më vonë kuptuam se narrativa ekonomike e Grenellit që ndrydhte Kosovën, ishte ndihmë për politikën e frymës putiniste në Serbi.
Dhe tani shohim një Grenell, siç thotë ai “personin privat” Grenell, që të flasë politikisht në Serbi, duke akuzuar BE-në, Albin Kurtin, duke i dhënë të drejtë Serbisë që nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë dhe duke mbështetur idenë e heqjes së misionit paqeruajtës në Kosovë. Ato që dikur po i nënkuptonte përmes promovimit të së ardhmes si ekonomi, po i thotë tani si mbrojtje të politikës aktuale putiniste në Serbi.
Sa herë që Grenelli flet duhet ta dëgjojmë shumë mirë, për të kuptuar tani proserbizmin antishqiptar që mbronte edhe mercenarizmi i disa figurave në Kosovë, por më shumë për të kuptuar se pikërisht Ballkani i Hapur aktual është një formë e ripërtërirë e Grenellizmit ndër shqiptarë që vjen dhe na shitet përmes ideologjisë së ekonomisë së shkëputur nga historia dhe politika, pra të shkëputur nga e drejta dhe projektimi nga brenda i kombit në botë, shkëputje e cila prodhon radhitje në politikën dhe projektin serb për rajonin, projekt që nuk presupozon universalitet, por zhdukje të singulariteteve, zhdukje të valencës shqiptare, kroate, malazeze, bullgare në rajon.
Ka kaluar shumë kohë, për fat të mirë që nga koha kur grenellizmi bënte kërdinë në Kosovë. Arsyeja për të cilën grenellizmi i bëri grusht-shteti Kosovës duke e rrëzuar qeverinë legjitime, pra reciprociteti, sot është realitet dhe kusht i panegociueshëm në raportin Kosovë-Serbi. Kjo tani nuk është vetëm gjuhë e Albin Kurtit, por edhe e vet Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Që të dyja këto kanë theksuar se marrëveshja Kosovë-Serbi nuk ka se si të mos jetë e bazuar rreth asaj që njihet si njohje RECIPROKE. “Antiamerikanizmi” që i mveshën Kurtit po del të jetë ajo që vetë qeveria amerikane ka sot si devizë sa i përket qasjes ndaj rajonit tonë, i cili tani si kurrë më parë e ka të domosdoshëm distancimin nga çdo simbiozë e shëmtuar të tipit grenellizëm-putinizëm, simbioza e zgjidhjes ekonomike antipolitike sot, që mundëson një luftë dhe gjenocid nesër.
©Rruga Press