Presidentja Osmani nga Korpusi i Paqes: Lidhja Kosovë-SHBA kalon lidhjet diplomatike
17 vullnetarë të Korpusit të Paqes që do të shërbejnë për dy vite në Kosovë në fushën e arsimit, dhanë betimin në ceremoninë e organizuar sot. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka çmuar kontributin e stafit të Korpusit të Paqes, duke i cilësuar si bartës të vlerave. Ndërkaq për vullnetarët ka thënë se angazhimi i tyre e shtrin paqen në botë.
“Para se ta betoj këtë grup të vullnetarëve, dua të përkujtoj se janë 17 komunitete në mbarë Kosovën. Ky bashkëpunim që kemi është bërë vetëm falë drejtorëve të shkollave, zyrtarëve komunal të cilët kanë kërkuar. Faleminderit që keni kërkuar, që keni qenë të gatshëm për të dhënë”, ka thënë Hovenier.
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se lidhja mes SHBA-ve dhe Kosovës kalon aspektin diplomatik.
“Është mirë të reflektojmë në ngushtësinë dhe thellësinë e partneritetit mes Kosovës e SHBA-ve. Lidhja jonë i kalon lidhjet diplomatike, ajo është rrënjosur në vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë, shërbimit dhe përpjekjes sonë për të ardhmen më të mire”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë se shembulli më i mirë i relacioneve të dy shteteve janë këta vullnetarë.
“Ndikimi i shërbimit tuaj nuk do të dallohet vetëm në projektet që i kryeni, apo në shkathtësitë që ia mësoni fëmijëve, por në buzëqeshjet e fëmijëve dhe në falenderimet e komuniteteve. Këto janë gjurmët e vërteta të suksesit tuaj, të cilat do ju mbesin si trashëgimi”, ka thënë Osmani.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur shërbimin e radhës të vullnetarëve.
“Deri më sot Kosova ka mirëpritur mbi 220 vullnetarë të Korpusit të Paqes, për të cilat shkollat dhe familjet kanë hapur dyert e kanë jetuar së bashku”, ka thënë Ngavaci.
Rruga Press