Lajme

Presidentja Osmani në 25-vjetorin e masakrës së Izbicës: 147 civilë u vranë vetëm pse ishin shqiptarë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 25-vjetorin e masakrës së Izbicës ka thënë se mizoria e shfaqur në Izbicë, mbetet e skalitur në kujtesën e vendit duke sjellur në vëmendje çmimin e lirisë.

E para e vendit ka thënë se para 25 vjetësh, forcat gjenocidale të Serbisë masakruan 147 civilë, në mesin e të cilëve edhe vajzën 6-muajshe, Dafina Qelaj teksa ka thënë se ajo dhe të tjerët u vranë në shtëpitë e tyre vetëm pse ishin shqiptarë.

“Kujtesa historike është në funksion të respektimit të të kaluarës sonë, dokumentimit, sikurse edhe ndërtimit të së ardhmes. Mizoria në Izbicë, mbetet e skalitur në kujtesën tonë, duke na sjell në vëmendje çmimin e lirisë. Ndaj sot kujtojmë 25 vjetorin e masakrës së Izbicës, kur forcat gjenocidale të Serbisë masakruan 147 civilë, në mesin e të cilëve edhe vajzën 6-muajshe, Dafina Qelaj. Ajo dhe të tjerët u vranë në shtëpitë e tyre vetëm pse ishin shqiptarë”, ka deklaruar Osmani.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Tutje, Osmani ka thënë se në tentim për t’i fshehur gjurmët e krimit, viktimat civile regjimi gjenocidal i Serbisë i varrosi në varrezë masive në Petrovo Sello në Beograd, në Novolan dhe në Bistricë.

Sipas Osmanit, kujtimi për Izbicën dhe të gjitha masakrat gjithandej Kosovës do ta mbahen gjallë gjithnjë si një dëshmi për rrugën e vështirë nëpër të cilën u kalua dhe si kërkesë të përhershme për drejtësi.

“Qoftë i paharrueshëm kujtimi për 147 të vrarët në Izbicë”, ka theksuar presidentja.

Sot bëhen 25 vjet nga Masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Rruga Press

YouTube player