Presidentja Osmani: Mosndëshkimi i krimeve i ka trimëruar trashëgimtarët e sulmit në Banjskë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelëve të luftës “i ka trimëruar trashëgimtarët e sulmit të Banjskës”.
Ajo ka thënë të martën në ceremoninë e organizuar për Epopenë e UÇK-së, se Kosova është realitet i pakthyeshëm e shtet i konsoliduar.
“Epopeja e Prekazit solli ndryshimin e kursit për liri e pavarësi. Si çdoherë shprehim vlerësimin e mirënjohjen me përkulje për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët e lirisë. Mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelëve të luftës ka trimëruar trashëgimtarët siç ishte sulmi në Banjskë. Por, ua rikujtojmë se Kosova është realitet i pakthyeshëm. Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar me kushtetutë e me institucione të bazuara në vlerat më të larta evropiane”, është shprehur Osmani.
Ajo ka shtuar se 5,6 dhe 7 marsi janë ditë të lavdisë dhe të krenarisë.
“Një armatë e tërë vrastare kundër një familjeje…Nderimi më i lartë për UÇK-në e familjen Jashari është Kosova me demokraci e sovranitet në çdo cep të saj e me aleatët kudo nëpër botë”, ka potencuar presidentja.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se “ledhatimi” i padrejtësisë nuk sjell asnjëherë paqen, duke shtuar se popullin e mban “ideali i kulluar i Epopesë së Jasharëve”.
“Si në çdo mars ne jemi këtu në vendet më të duhura për kujtimin dhe kuptimin e Epopesë së UÇK-së. Në një vend çlirimtarësh, ushtria është vend i drejtë për ta kujtuar Epopenë. Ne e njohim dhe e vlerësojmë historinë tonë sepse është e dendur në vepra. Ne jemi shumë sepse bartim në mendje emra të shquar. Të nderuar ushtarakë, tani epoka po flet ndryshe së pari sepse jemi shtet i pavarur dhe kemi ushtrinë tonë. Ne jemi pjesë e një kombi që mbron me ushtrinë e vetë idenë e praktikës së drejtësisë dhe lirisë. Së dyti Epoka dhe vetëdija botërore po ndryshojnë po kuptohet se ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjellë kurrë paqen”, ka thënë Kurti.
Sipas kryeministrit, paqja dhe padrejtësia s’mund të bashkëjetojnë.
“Ju duhet ta shihni e vlerësoni veten si një trup e një mendje. Ne i mbahemi një ideali të kulluar të Epopesë e të Jasharëve. Ushtarakë ju jeni shprehje e qartë e seriozitetit tonë në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Rruga Press