Presidentja e Moldavisë: Anëtarësimi në BE, mburojë kundër agresionit rus
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian i shtetit të saj është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur kundër agresionit potencial rus.
Më 1 qershor, Moldavia do të jetë pjesë e samitit të parë të 44 shteteve të Bashkësisë Politike Evropiane, një nismë e iniciuar vitin e kaluar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, që synon të rrisë bashkëpunimin midis BE-së dhe shteteve joanëtare, ku përfshihen edhe shtetet aspiruese nga Ballkani Perëndimor dhe rajoni i Kaukazit.
Moldavia, së bashku me Ukrainën fqinje, vitin e kaluar morën statusin e vendit kandidatë për në BE, disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Moldavia, një prej shteteve më të varfra në Evropë, ka pranuar qindra mijëra refugjatë ukrainas që ikin nga lufta.
Rusia vazhdon të ketë të stacionuar mbi 1.000 trupa në Transnjestër, një rrip toke midis Moldavisë dhe Ukrainës, gjoja për operacione paqeruajtëse dhe për ruajtjen e një depoje të madhe municionesh të epokës sovjetike.
“Sigurisht, nuk mund të krahasohet me atë që po ndodh në Ukrainë, por ne shohim rreziqe dhe ne besojmë se mund ta shpëtojmë demokracinë tonë vetëm duke qenë pjesë e BE-së”, tha Sandu.
Rruga Press