Bota

Presidenti letonez: Ëndrra për një Rusi demokratike, iluzion i Perëndimit

Prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, një vit më parë, tri vendet baltike – Letonia, Lituania dhe Estonia – kanë qenë ndër më të zëshmet që kanë dënuar agresionin e paprovokuar të Moskës dhe ndër të parat që i kanë ofruar mbështetje Kievit.

Presidenti i Letonisë, Egils Levits, ka qenë udhëheqësi i parë botëror që ka qëndruar një natë në Kiev, në prill të vitit të kaluar, kur të tjerët kanë hezituar të udhëtojnë në Ukrainë.

Në një intervistë për Shërbimin e Gjeorgjisë të Radios Evropa e Lirë, Levits, 67 vjeç, thotë se një gjykatë për krimet e luftës në Ukrainë duhet të krijohet sa më shpejt që është e mundur.

Sipas tij, rruga e Ukrainës drejt BE-së është e pashmangshme, edhe pse do të jetë ndoshta e vështirë.

Ai, po ashtu, thotë se Perëndimi është zënë në befasi nga pushtimi rus, pjesërisht për shkak të “iluzioneve” që ka pasur për Rusinë, pas Luftës së Ftohtë.

Radio Evropa e Lirë: Hulumtimet e mia tregojnë se ju jeni udhëheqësi i parë perëndimor që keni kaluar një natë në Kiev, pas nisjes së luftës. A ka qenë ky një gjest simbolik?

Egils Levits: Po. E kam pranuar menjëherë këtë propozim nga pala ukrainase. Sepse, padyshim, ka qenë e rëndësishme për ukrainasit.

Radio Evropa e Lirë: Si ish-gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ju bëni thirrje për krijimin e një gjykate speciale, për ta ndëshkuar Rusinë për krimet e saj të supozuara të luftës në Ukrainë. A do të ishte një gjykatë e tillë e plotë nëse presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të dilte në bankën e të akuzuarve?

Egils Levits: Një gjykatë e tillë mund të krijohet. Nuk duhet të presim kur Rusia të mposhtet ose kur Putini ta humbë [pushtetin]. Është e mundur të krijohet, sepse jo të gjithë kriminelët janë të pranishëm personalisht në gjykata.

Për shembull, në Jugosllavi, disa kriminelë janë gjykuar në mungesë. E njëjta gjë mund të bëhet edhe tani.

Gjëja më e rëndësishme nuk është që personi të dalë i ulur në gjyq. Është [më e rëndësishme] që ne ta [ekspozojmë] këtë makineri të luftës, të agresionit, me mjete gjyqësore.

Edhe në raste të tjera, në Ruandë, në Sierra Leone apo në Liberi, jo të gjithë kriminelët kanë dalë para gjyqit. Është shumë më e rëndësishme t’i bëhet e qartë shoqërisë se një sjellje e tillë nuk është e pranueshme.

Radio Evropa e Lirë: Kjo luftë ju ka dhënë juve, fqinjëve tuaj baltikë, Polonisë dhe vendeve të tjera arsye të mjaftueshme për t’i thënë pjesës tjetër të Perëndimit: “Ne ju kemi paralajmëruar që të mos jeni naivë me Rusinë dhe të mos vareni prej saj”. Si ka lindur ky naivitet, sipas jush? Çfarë e ka shkaktuar atë?

Lexo më shumë  Pas fitorës së raundit të parë të zgjedhjeve nga kandidati anti-Nato, Presidenti i Rumanisë mbledh Këshillin e Lartë të Mbrojtjes për cënimet e sigurisë nga Tiktok-u

Egils Levits: Ky naivitet ka lindur, sepse, pas Luftës së Ftohtë, Perëndimi nuk u ka kushtuar vëmendje të mjaftueshme proceseve të brendshme në Rusi.

Sikur ta kishin vëzhguar më afër atë që ka ndodhur me Rusinë, atëherë, sigurisht, do të kishin zbuluar se ëndrra për një Rusi demokratike është një iluzion. Mendoj se kjo është arsyeja. Ka pasur neglizhencë.

Radio Evropa e Lirë: Pse nuk ju kanë dëgjuar? Sepse ju i keni paralajmëruar.

Egils Levits: Po, ne i kemi paralajmëruar ata. Por, nuk ka qenë një temë e rehatshme. Kjo ëndërr ka qenë më e rehatshme se ai realitet i hidhur.

Radio Evropa e Lirë: Ndoshta një paralajmërim i tillë mund të ketë qenë edhe lufta në Gjeorgji në vitin 2008?

Egils Levits: Natyrisht, agresioni ka filluar në vitin 2008 në Gjeorgji dhe shtetet baltike kanë reaguar menjëherë. Presidentët tanë kanë shkuar në Tbilisi në atë kohë, sepse ne e kemi ditur se çfarë do të thotë kur Rusia sulmon një vend.
Por, reagimi nga pjesa tjetër e Evropës ka qenë relativisht i dobët dhe kjo i ka bërë rusët të mendojnë: “Oh, Perëndimi, vendet perëndimore… Perëndimi është i dobët. Pra, ne mund të shkojmë më tej”.

Hapi tjetër është bërë në Krime në vitin 2014. Edhe atje ka pasur një reagim të dobët. Dhe, pastaj, nga pikëpamja ruse, një sulm në shkallë të plotë, më 2022.

Andaj, ne – Perëndimi – duhet t’i nxjerrim konkluzionet e duhura. Tani më vjen mirë që Perëndimi duket se ka mësuar vërtet se çfarë karakteri ka Rusia, çfarë është Rusia… dhe ka zhvilluar një strategji se si ta adresojmë atë.

Radio Evropa e Lirë: Një tjetër ide që ju jeni duke mbrojtur, është ngrirja e aseteve ruse dhe dhënia e tyre në Ukrainë, për ta rindërtuar Ukrainën. Ju thoni se një gjë e tillë është e vështirë, por e realizueshme. Nëse Perëndimi është zgjuar vërtet, siç thoni ju, pse nuk ka ndodhur kjo?

Egils Levits: Ndërtimi ose zhvillimi i vullnetit politik kundër Rusisë është një proces i vazhdueshëm. Nëse shohim se si Perëndimi po [e shikon] Rusinë sot, [krahasuar me] një vit më parë ose ndoshta gjysmë viti më parë, atëherë ka një përparim. Dhe ky përparim është në një drejtim. Vullneti politik është bërë më i fortë për të mbrojtur veten dhe, gjithashtu, për t’i kërkuar llogari Rusisë.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se do të arrijmë në atë pikë?

Egils Levits: Mendoj se ka një vullnet në rritje për ta bërë këtë. Pra, nuk kemi arritur ende tek ajo pikë. Por, para se të arrihet kjo pikë, po zhvillohen disa diskutime për dinamikën.

Lexo më shumë  Ushtarët rusë po vdesin masivisht në Ukrainë

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina duhet të jetë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Unë e di që ju e ndani këtë mendim. Pyetja ime për ju është: kur mendoni se kjo mund të realizohet?

Egils Levits: Për këtë ka disa reforma [që Kievi duhet t’i përmbushë]. Dhe këto reforma kërkojnë kohë. Për shembull, Letonisë, procesi i anëtarësimit në BE i ka marrë shtatë vjet. Mund të përshpejtohet. Megjithatë, kjo mund të vështirësohet edhe më, gjatë një periudhe lufte.

Pra, nuk mund të them se kur, por mund të them se ka vullnet serioz nga të gjitha vendet anëtare [të BE-së] që ta bëjnë këtë sa më shpejt. Natyrisht, Ukraina tani është e përqendruar në luftë, por, në të njëjtën kohë, po bën edhe reforma… Pra, do të thosha se nuk do të zgjasë shumë, por jo vitin e ardhshëm.

Radio Evropa e Lirë: Po NATO-ja? Mendoj se mund të konstatojmë se Ukraina ka tani një nga ushtritë më të mira në botë.

Egils Levits: Mendoj se ky diskutim do të ripërtërihet pas luftës. Unë realisht e shoh Ukrainën si një vend anëtar të NATO-s, sepse – siç e thatë edhe ju me të drejtë – do ta ketë një nga ushtritë më të mira në botë dhe do të jetë një kontribut i vërtetë për fuqinë e NATO-s.

Radio Evropa e Lirë: Më lejoni t’ju pyes edhe për Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Të dyja këto vende kanë aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe së paku njëri prej tyre ka aspirata për NATO-n. Moldavia, në anën tjetër, po bëhet paksa skeptike për neutralitetin e saj. Si e shihni të ardhmen e tyre evropiane?

Egils Levits: Moldavia tani është nën presionin e Rusisë. Do të thosha se Qeveria aktuale është e gatshme t’i bëjë të gjithë hapat e nevojshëm, por ka nevojë për ndihmë.

Moldavia ka një mbështetëse të madhe, është Rumania, dhe Rumania po e ndihmon vërtet shumë Moldavinë. Unë do të thosha se, pak a shumë, Ukraina dhe Moldavia do të jenë gati në të njëjtën kornizë kohore për anëtarësimin e mundshëm në BE.

Gjeorgjia nuk e ka marrë ende statusin e vendit kandidat. Këshilla ime do të ishte që t’i fillojë reformat tani, sepse është e qartë se çfarë duhet bërë, dhe ta harmonizojë gjithë legjislacionin me legjislacionin evropian.

Radio Evropa e Lirë: A e shihni Qeverinë në Gjeorgji – ngjashëm me atë në Moldavi – të gatshme për t’i bërë hapat e nevojshëm dhe për t’iu përkushtuar reformave?

Egils Levits: Do të thosha se, sipas deklaratave të Qeverisë atje, ajo është e gatshme./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *