Presidenti kroat i quajti fashizëm masat kundër të pavaksinuarve, Austria ia thërret ambasadorin
Ambasadori i Kroacisë në Austri, Danijel Glunçiq, është thirrur të mërkurën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë lidhur me deklaratën e presidentit kroat Zoran Milanoviq për politikën austriake ndaj koronavirusit, ka konfirmuar për mediumin kroat “Hina” ambasada kroate.
“Mund të konfirmoj se jam thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë”, tha ambasadori Glunçiq, duke refuzuar të zbulojë detaje të tjera mbi atë që u diskutua, njofton Klan Kosova.
Sipas një deklarate të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, Glunçiq u thirr për “deklaratat e pazakonta nga presidenti kroat”, të cilat u “hodhën poshtë ashpër”.
“Krahasimi i masave kundër pandemisë me fashizmin është i papranueshëm. Është përgjegjësia jonë të mbrojmë qytetarët e Austrisë dhe ne po veprojmë në përputhje me rrethanat”, tha ministria austriake, cituar nga agjencia e lajmeve APA.
“Ne i kemi treguar qartë habinë tonë për këto deklarata ambasadorit kroat në Austri”, tha Peter Launsky-Tieffenthal, sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Mediat austriake cituan presidentin kroat duke thënë para një publiku me Papa Françeskun në Vatikan të hënën se masat e Austrisë që të vendosin bllokada ndaj të pavaksinuarve i kujtuan vitet 1930 të fashizmit dhe e ka quajtur marrëzi.
Të hënën, Austria vendosi kufizime në lirinë e lëvizjes për njerëzit që nuk janë vaksinuar kundër COVID-19 dhe ata që nuk janë shëruar ende nga infektimi. Ata lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm të blejnë ushqime, të shkojnë te mjekur, në farmaci ose në punë. Mosrespektimi i kësaj mase dënohet me gjobë deri në 1450 euro.
Rruga Press