Lajme

Presidenti i ri shkarkoi djalin e përkthyesit Robert Shvarc, reagon gazetarja Njuma: Bajrami do t’i kthehet shumë shpejt tavllës tek Brryli

Tre ditë më parë djali i përkthyesit, Robert Shvarc është pushuar nga puna nga Presidenti i ri në Shqipëri, Bajram Begaj. Shvarc ka punuar në Presidencë për 2 dekada, ku ka shërbyer në këtë institucion përgjatë mandateve të 4 presidentëve.

Në shkresën në fjalë, që është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidentit sqarohet se largimi i Edvin Shvarc nga kjo detyrë është bërë për shkak të mos njehsimit të diplomës së tij të huaj nga Ministria përkatëse e Arsimit.

Shkarkimi i tij nga detyra solli reagime të shumta, mes tyre edhe gazetarja Beti Njuma, e cila e konsideron “një luks që Begaj nuk duhej t’ia lejonte vetes” në një kohë kur profesionistët po i largohen vendit.

Më poshtë reagimi i plotë nga gazetarja Beti Njuma:

“Jetojmë në një botë politike,

ku dashuria s’ka vend.

Gjallojmë në kohë kur njerëzit krime bëjnë

dhe krimet fytyrë nuk kanë.”

Sot zyrtari në krye të shtetit që nuk më nxë goja ta quaj president kreu një krim. Por ndryshe nga sa këndon Bob Dylan tek këto vargje të së famshmes “Botë Politike” krimi e ka një emër dhe fytyrë: Edvin Shvarc! Por jam e bindur që Bajram Begaj nuk e ka dëgjuar këngën e njohur të kantautorit dhe nobelistit të famshëm. E aq më pak ta dijë se ajo është përkthyer në shqip një dekadë më parë nga Edvin Shvarc, përkthyesi i njohur i atit po aq të njohur Robert Shvarc.

Edvin Shvarci që ç’është e vërteta nuk ka jetuar kurrë nën hijen e babait të tij, na e solli në shqip Dylan-in para se të fitonte Nobelin, ashtu sikundër ka sjellë në shqip edhe nobelistët e tjerë Eli Vizel apo Isak Bashevis Singer. Sigurisht që Presidenti ynë nuk i di këto, nuk i ka kënduar këta autorë e mbase as ato që ka përkthyer i ati Robert Shvarc sepse përndryshe do ish menduar dy herë për ta larguar nga puna me një motivacion qesharak.

Po nejse, mungesa e kulturës letrare është një faj i vogël në raport me mëkatet e mëdha të një ish ushtaraku që tani, pasi la tavllën tek Brryli (dhe kjo nuk është metaforë) merret me hallet e mëdha të shtetit.

Përkundrazi, mëkati i Bajramit tonë është edhe më i madh! Ai ka larguar nga puna një nga nëpunësit më të aftë të shtetit shqiptar, një nga punëtorët më të palodhur, një nga njerëzit më të përkorë që i ka shërbyer në mënyrë të shkëlqyer 4 presidentëve të tjerë aspak anonimë në popull e me një profil shumë të lartë politik. Ish student dhjetori, Edvin Shvarc ka përfunduar me rezultatet të larta për letërsi të krahasuar në një nga universitetet më të mira amerikane, Brooklin College of the City University of New York dhe për çudi, Bajrami ynë pas gati dy dekadave në Presidencë e ka shkarkuar sepse nuk ka konvertuar diplomën e shkollës në Amerikë. Turp! Turp më të madh nuk mund të ketë!

Të largosh nga puna njeriun që ka shërbyer me devotshmëri duke drejtuar zyrën e Marrëdhënieve me Jashtë, dhe Komunikimin e Protokollin në Presidencë në një kohë kur profesionistët po i largohen vendit është një luks që Begaj nuk duhej t’ia lejonte vetes.

Të gjithë presidentët e mëparshëm kanë punuar me Edvin Shvarcin dhe ky ka qenë një privilegj për vetë krerët e shtetit!

Dhe po e mbyll sërish me Botën Politike të Dylan:

“Jetojmë në një botë politike,

ku mençuria është plasur në burg,

në qeli kalbet dhe si dreqi është keqdrejtuar

pa i lënë mundësi askujt të gjejë rrugën e duhur.”

Sidoqoftë miq ky lajm nuk më pikëllon. Edvin Shvarci do ta gjejë shumë shpejt vendin që i takon, ashtu sikundër jam e bindur që pas Presidencës, Bajrami do t’i kthehet tavllës tek Brryli!

Rruga Press

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *