PPP-ve po u del tymi i zi!
Në Shqipëri, Projektet e Partneritetit Publik-Privat (PPP-të) po zbatohen gjerësisht vitet e fundit, por në pjesën më të madhe, këto projekte kanë hapur shumë debate, teksa institucionet ndërkombëtare dhe ekspertët e kanë shprehur hapur shqetësimin e tyre për risqet ndaj të cilave ekspozohen financat publike, pasi bartin një sërë problematikash:
-Së pari, PPP-të, në mënyrën si janë konceptuar dhe administruar në Shqipëri, janë shndërruar në një borxh të fshehur. Standardet më të mira ndërkombëtare kërkojnë që kompanitë private të financojnë e ndërtojnë një vepër publike me fondet e tyre, dhe më pas, ta menaxhojnë atë për një periudhë të caktuar kohore, duke nxjerrë fitimin përkatës.
Në këtë rast, privati merr përsipër riskun, ndërsa publiku fiton një vepër infrastrukturore pas disa vitesh. Ndryshe ndodh në Shqipëri. Në shumicën e kontratave, privati investon kapitalin e tij, por qeveria fillon e shpaguan menjëherë sipas një skeme të paracaktuar. Ky detyrim është i ngjashëm me interesat që paguhen ndaj borxhit publik, por Ministria e Financave llogarit në shpenzime vetëm pagesat e vitit përkatës që kryhen për kontratat koncesionare.
-Së dyti, angazhimi i qeverisë në këto projekte ka marrë përmasa të paqëndrueshme, i ndihmuar dhe nga mosllogaritja e tyre si borxh. Vlerësimet paraprake nga të dhënat e Financave janë që PPP-të kanë arritur në 9-10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që janë llogari jashtë bilancit dhe nuk reflektohen në treguesin e borxhit publik. Kjo peshë e PPP-ve, sipas Eurostat, e rendit Shqipërinë me nivelin më të lartë në Europë dhe me distancë të konsiderueshme, me tre herë më shumë, ndaj shtetit të dytë pas nesh, që është Sllovenia.
– Së treti, mungesa e transparencës. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kritikuar shpesh qeverinë shqiptare për mënyrën se si po i përdor fondet buxhetore për të financuar koncesionet me Partneritet Publik-Privat. Informacioni i kufizuar mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore, tha FMN në raportin e fundit për Shqipërinë.
-Së katërti, ka munguar një analizë e qartë mbi kostot dhe përfitimet e këtyre skemave, në raport me investimet publike të zakonshme. Përvoja po tregon se, në shumë raste, kostot kanë rezultuar të fryra dhe vazhdojnë e rriten pa kontroll, apo se kompanitë po i gëzohen një fitimi të sigurt, pa marrë përsipër asnjë rrezik. Rasti më tipik janë koncesionet në shëndetësi.
Vetë Financat kanë pranuar se për shumë projekte koncesionare, rreziku financiar është marrë përsipër nga shteti. Në rastin e koncesionit të check-up-it, shteti është i detyruar të paguajë edhe kur nuk arrihet numri i kontrolleve të parashikuara në kontratë (vlen të përmendet që në rastin e kontrolleve që duheshin bërë për Covid-19, apo gjurmueshmërinë e tij, ky koncesion doli jashtë loje, teksa nuk dha shërbim me argumentin se nuk ishte në kontratë). Në kontrast, në koncesionin e sterilizimit, shteti paguan për çdo shërbim shtesë!
Tashmë PPP-ve ka filluar t’u dalë tymi i zi i papastërtive që po “djegin” dhe kjo nuk ishte aspak surprizë. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë (SPAK) bëri së fundmi publike se ka hetuar procedurat për lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit, për prodhimin e energjisë”.
Për këtë rast, SPAK-u ka gjetur shkelje të ndryshme penale, duke filluar nga procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit deri te faturat tatimore fiktive për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Në media dhe opinionin publik, prej kohësh është diskutuar edhe për problemet me koncesione të tjera, për të cilat presim se si do të reagojë SPAK.
PPP-të, në vetvete, janë një instrument i ligjshëm, por përdorimi i tyre kërkon një mjedis të fortë për sa i takon një administrate të fortë publike, mekanizmave të kontrollit, dhe transparencë të plotë, që fatkeqësisht, deri tani, ka munguar. Forcimi i transparencës fiskale do të rriste besimin e tregjeve dhe do të ulte rreziqet e financimit në tregjet e brendshme dhe të jashtme, tashmë që Shqipëria po del rregullisht nëpërmjet emetimit të Eurobondit.
Vendi, që mbledh të ardhura sa 27% e PBB-së, ndër më të ulëtat në rajon, nuk e ka aspak luksin të shpërdorojë paratë e taksapaguesve, që përndryshe mund të ishin përdorur me shumë eficiencë në vendin më të varfër të Europës. Tymi i zi i koncesioneve ka në përbërje edhe “djegien” e parave publike./Monitor
Rruga Press