Poza e kryeministres që futi në sherr finlandezët
Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ka hapur një debat të madh në vendin e saj, pasi pozoi për një reviste vendase me një dekolte të theksuar. 34-vjeçarja, e cila kryeson qeverinë e qendrës së majtë, u kritikua për veshjen të cilësuar “të papërshtatshme” nga disa përdorues në rrjetet sociale.
Por mbështetësit e saj nxituan t’i dilnin në krah, duke nisur në rrjetet sociale edhe një fushatë me fotografi me dekolte, shoqëruar me hashtagun, #imwithsanna. Mijëra postime janë bërë në Instagram ku njerëzit pozojnë ngjashëm me Marin.
Në intervistën që kishte realizuar për revistën “Trendi”, ku edhe u publikua foto tejet e debatuar, Marin tregon sesi duhet të përballojë presionin për të udhëhequr gjatë këtij viti të vështirë pandemie.
Marin, e cila e quan veten socialdemokrate, është përdoruese e shpeshtë e rrjeteve sociale, ku nuk ngurron të tregojë edhe jetën e saj private. Ajo u bë kryeministre e Finlandës në dhjetor të vitit të kaluar, kur ishte 34 vjeç. Në atë kohë ishte edhe kryeministrja më e re në detyrë në botë, titull që e humbi vetëm pak javë më vonë, kur kancelari austriak Sebastian Kurz, u rikthye në detyrë ende pa mbushur 34 vjeç.






Rruga Press