Politikani gjerman mesazh Vuçiqit, Roth: Je totalisht i izoluar!
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Bundestagut Gjerman, Michael Roth, ka dhënë një mesazh për Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për të cilin thotë se është totalisht i izoluar.
Nëpërmjet një postimi në platformën X, Roth i është drejtuar Vuçiqit duke thënë se nuk ka të bëjë fare me konspiracione letra e politikanëve evropianë të cilët ua dërguan presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ku kërkohet të niset një hetim mbi akuzat për mashtrim në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi.
“I nderuar president Aleksandar Vuçiq, ky nuk është as komplot dhe as fushatë socialiste. Jeni plotësisht i izoluar! 24 deputetë nga e gjithë Evropa i bëjnë thirrje BE-së që të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat për mashtrim dhe të bëjë rekomandime për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi”, ka shkruar Roth.
Letra është dërguar pas seancës të së mërkurës në Parlamentin Evropian, ku u diskutua edhe për parregullsitë zgjedhore në Serbi.
Një ditë më parë Parlamenti Evropian ka kërkuar hetim ndërkombëtar për mashtrimin zgjedhor në Serbi, duke kërkuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që të mos i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve derisa të përfundojnë hetimet.
Rruga Press