Lajme

Policia e Kosovës shënon 22-vjetorin e themelimit të saj

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me pjesëtarë të policisë kanë shënuar 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës me një ceremoni në drejtorinë qendrore të policisë në Prishtinë.

Ministri Sveçla falënderoi 9 mijë e 180 zyrtarët policorë, sa janë gjithsej, të cilët tha se në çdo moment janë në vendin e duhur për të garantuar rendin dhe qetësinë publike dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Sveçla tha se përvjetorin e 22-të ministria ka pasur në plan ta shënojë në mënyrë më madhështore, por situata me pandeminë e ka pamundësuar një gjë të tillë.

Ai tha se pikërisht nga pandemia që nga fillimi i përhapjes së COVID-19, në Kosovë kanë pësuar me fatalitet nga ky virus gjithsej 24 zyrtarë policorë.

“Numrat e rasteve fatale kanë prekur edhe Policinë e Kosovës dhe deri më sot fatkeqësisht ne kemi 24 zyrtarë policorë të vdekur për shkak të COVID-19. Në anën tjetër kemi punuar shumë në vaksinimin e zyrtarëve policorë e ku është bërë progres i madh. Deri më sot kemi 7 mijë e 912 zyrtarë policorë të vaksinuar ndërsa në radhë për vaksinim janë edhe 1 mijë e 268 e që për pak ditë jam i bindur se do të arrijmë maksimumin”, tha ministri Sveçla.

Lexo më shumë  Kurti citon deklaratën e Engel në Kuvend: Dua ta shoh Kosovën të njohur nga secili shtet në botë, dua ta shoh Kosovën në NATO

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se të sigurosh jetën dhe pronën e qytetarit është detyrë shumë e rëndësishme dhe shumë përgjegjësi.

Ai u bëri thirrje pjesëtarëve të policisë që mos ta shkelin kurrë besimin qytetar të dhënë që ata të jenë ruajtësit e rendit dhe sigurisë në vend.

“Të jesh pjesëtarë i Policisë së Kosovës nuk është vetëm krenari, apo privilegj. Bartja e uniformës së shtetit nënkupton përgjegjësi dhe ndonjëherë edhe rrezik për jetën e zyrtarit policor. Por shërbimi ndaj vendit është ndjenja më sublime që mund të përjetojë një qytetar”, tha ai.

Lexo më shumë  IFIMES paralajmëron për erozion të demokracisë në Shqipëri dhe rrezik për integrimin në BE

Në fund të ceremonisë, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, lexoi emrat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilëve u janë ndarë medalje për shpëtim jete, medalje policore për lëvdim, lëvdata dhe mirënjohje.

Policia e Kosovës është themeluar si institucion i sigurisë dhe rendit më 6 shtator të vitit 1999. Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri (OSBE) në pajtim me rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, hapi fillimisht shkollën policore dhe nisi trajnimin e kandidatëve të parë për t’u bërë policë. 176 pjesëtarë të policisë ishin nga gjenerata e parë e institucionit që në atë kohë mori emrin Shërbimi Policor i Kosovës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *