KryesoreLajme

Policia e Kosovës ia ndërpret “transmetimin live” Vuçiqit, goditen strukturat paralele

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në disa lokacione në Shtërpcë, ku strukturat ilegale serbe kishin vendosur kamera, në mënyrë që preisdenti serb, Aleksandar Vuçiq të shihte me figurë gjithçka çfarë ndodh.

Me urdhër të Gjykatës së Ferizajt, në një aksion që po vazhdon ende dhe që po mbikëqyret nga Prokuroria, Policia mëngjesin e sotëm ia ndali Vuçiqit ‘transmetimin live’ nga Shtërpca.

Policia sekuestroi kamerat që ishin vendosur nga strukturat ilegale serbe në disa pjesë të vendit.

Në pamjet e regjistruara nga këto kamera kishte qasje edhe Vuçiqi.

Këto kamera dyshohet se monitoroheshin nga një shkollë, nga një televizion lokal, si dhe nga një vend afër postës së qytetit në Shtërpcë. Prokurori Rasim Maloku tha se pamjet e regjistruara janë përcjellë deri te strukturat e sigurisë në Serbi.

Në maj u bë e ditur se pamjet nga komunat në veri të vendit transmetohen deri në Beograd. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kishte mbajtur një konferencë për media, ku kishte ‘konfirmuar’ se ka qasje në pamjet e kamerave të vendosura nga strukturat e tij ilegale në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Lexo më shumë  Ministrja Gërvalla në Bruksel, merr pjesë në takimin ministror të BE-së për 20-vjetorin e zgjerimit

Prapa shpinës së Vuçiqit ishte një monitor ku shfaqeshin pamje. Vuçiqi pretendonte se ishin të datës 5 maj, e ku ai evidentonte se një automjet i FSK-së kishte lëvizur në veri të Kosovës.

“Shikoni, kjo është ajo çfarë Thaçi ka nënshkruar, që FSK-ja nuk do të duket në veri të Kosovës. Publikoni pamjet. Këto janë foto të ditës së djeshme dhe të pardjeshme, një makinë me tabela të FSK-së në veri të Mitrovicës”, shprehej presidenti serb.

Prokurori Rasim Maloku ka theksuar se ky aksion ndërlidhet me disa të arrestuar në rastin “Brezovica”.

Lexo më shumë  Miratohet Kodi i Sjelljes për deputetët, ata që ofendojnë dhe bëjnë shkelje tjera do të dënohen me 50 përqind të pagës së tyre

“Ky aksion nuk lidhet direkt me ndërtimet pa leje në Brezovicë, por ndërlidhet me disa të arrestuar të Brezovicës pasi njëri nga ta, përkatësisht ish-kryetari i komunës Bratisllav Nikoliq është edhe koordinator i strukturave ilegale, e që këto struktura kanë menaxhuar kamerat e sigurisë që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës, e që këto informacione janë përcjellë në strukturat e sigurisë në Serbi”, ka thënë Maloku.

Sipas tij, janë katër lokacione të bastisura, ku po largohen edhe kamerat e sigurisë.

“Janë duke u bastisur 4 lokacione dhe janë duke u hequr kamerat e sigurisë. Këto struktura ilegale janë kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale ‘bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit’”, shtoi ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *