Polici pa ligj e moral shndërrohet në paramilitar
Pa e kuptuar, ashtu shpejt e shpejt, brenda popullit shqiptar u ri-instalua shteti policor. Tashmë nuk kanë efekt as kritikat, as të sharat, as pamjet shokuese, qofshin fëmijë të shoqëruar nga policia apo të moshuar të tërhqur zvarrë. Edi Rama arriti që të tjetërsojë rolin që ka në vetvete policia.
Duhej të ishte çudi, por ja që mes qytetarëve tashmë nuk është, që një ish-Ministër i Brendshëm të burgoset me akuza për bashkëpunimi me banda dhe kjo të mos implikojë qeverinë ku bënte pjesë. Qartazi të shkon në mendje të pyesësh se pse nuk është hetuar Kryeministri apo pse nuk ka dhënë dorëheqje.
Logjika të çon të mendosh që të dy ishin pjesë e një qeverie dhe Kryeministri nuk mund të jetë neutral për vite të tëra, rreth kësaj afere. Kulmi i reagimit ishte mes memesh tallëse fast-food.
Roli i policit u zhvesh nga ideja, kurse përmbajta e tij ra në nivelin e korruptimit.
Policë që vrasin të rinj, që bashkëpunojnë me banda, policë me probleme temperamenti, që korruptohen, që tallin, që përdhunojnë, policë që vetëm dhunojnë. Për pushtetin ky është modeli i policit, i asaj policie që duam, që është në funksion të shtypjes dhe ngjalljes së frikës.
Në Shqipëri nuk ka, dhe me shumë mundësi nuk duan që të ketë standarte, jo vetëm fizike, por më kryesorja, forcë intelekti dhe gjykimi moral. Në një vend me politikë të pervertuar deviza është: Një polic që mendon është një polic që dëmton. Akademia e Rendit prodhon policë robotë, të pakët në mendim, por të zotë në nënshtrim. Është normale që polici të zbatojë urdhërat, kjo është në logjikën e detyrës së tij, por kur ai përdoret në krim shtetëror respektimi i detyrimit për zbatim të urdhërit merr përmasa të katastrofes socio-politike.
Aureola e autoritetit si mirësi dhe përkujdesje që një polic duhet të mbartë, është zëvendësuar me përbuzje dhe arrogancë, reflektim i sjelljes që buron prej niveleve të larta.
Polic sot bëhet kushdo, mjafton të kesh (anti)vullnetin për përulje ndaj krimit shtetëror.
U duhet kujtuar policëve, u ka ngelur pak sens njerëzor, se parimet e tyre janë të përmbyllur në një akt kushtetues betimi. Betim i cili qëndon mbi secilin urdhër të çdo të pagdhenduri që rastis të bëhet shef.
Nuk duhen ngatërruar detyrat e policit, zbatimi i Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës me zbatimin e vullnetit të individëve që urdhërojnë antikushtetutshmëri, antiligjshmëri dhe që detyrën e policit e shndërrojnë në detyrë të “paramilitarit”.
Ndërhyrja me metodat më agresive sot në lagjen “5 Maj-i” është shkelje morale dhe ligjore. Banorët e asaj lagje me dokumenta të rregullta në duar janë tërhequr zvarrë sikur objektet e shtëpive që shembën.
Populli shqiptar po humbet ekzistencën e tij politike nga vetvetja.
© Rruga Press