Poezi nga heroi Bahri Fazliu: Nëse dëshironi t’i nderoni dëshmorët…
Nëse dëshironi të dini për jetën e dëshmorëve,
mos kërkoni nëpër libra,
aty s’është jeta e tyre, është jehona e saj.
Nëse dëshironi të dini si jetuan dëshmorët,
mos shkoni në shtëpitë e tyre,
shikoni robërinë tuaj.
Nëse dëshironi të dini me sa zjarr dashuruan dëshmorët,
mos ndiqni gjurmët e dashurisë së tyre,
ato janë flutura që s’kapen dot.
Nëse dëshironi të dini këngën e dëshmorëve,
mos thërrisni këngëtarin,
do të pendoheni nga tingujt e zbrazët.
Nëse dëshironi të dini amanetin e dëshmorëve,
mos pyesni kë kishin afër në çastin e fundit,
secili prej nesh ka qenë prezent.
Nëse dëshironi t’i nderoni dëshmorët,
mos shkoni te varret e tyre për të vendosur lule,
lulet do t’ju vyshken në dorë.
Nëse…
Çdo gjë që ju intereson të dini për dëshmorët,
ecni në rrugën e tyre,
aty do të gjeni gjeninë e tyre.
Rruga Press