“Po të vdes në dhé të huaj, një grusht balt nga toka jonë, të m’a sillni e t’a vini drejt ne zembr’ e shkretë”
Dhimitër P. Pasko, i njohur ndryshe me pseudonimin e tij letrar si “Mitrush Kuteli” është padyshim një nga shkrimtarët, intelektualët, mendimtarët më të ndritur të Shqipërisë. Kuteli vdiq më 4 maj 1967, duke lënë pas admirimin dhe mirënjohjen për fuqinë e penës dhe forcën e shembullit përmes së cilave i fali letërsisë shqipe të shek. XX një grumbull xhevahiresh të mrekullueshme.
Ekonomist e specialist i sistemit bankar dhe i prirur për studimin e këtyre disiplinave, ai gjeti tek letërsia një dashuri hyjnore, të cilës i fali pa kursim vlerat e shpirtit të tij.
Autor që dha kontribut në çdo lëmi letrare, ai ka lënë mbi të gjitha një “ligjërim mbi etikën” e mendimtarit aty ku Descartes e la një të tillë për metodën. Cilësia dhe serioziteti i kritikes letrare të Dhimitrit arriti në atë pikë katarsisi sa iu përvesh vetë krijimtarisë së Mitrushit, si në rastin e përshtatjes në shqip të veprës së Emineskut.
Në përmbledhjen pak të njohur “Shënime letrare”, kritika e tij ngriti një problemi të madh shqiptar.
“Është fort e rëndë të thuash se në këtë kuadër shqiptar kaq të vrazhdët, qoftë edhe në botën e shkrimtarëve (dhe veçanërisht në këtë bote!) ku autori vë dorën në kobure ose të ndjek “administrativisht”, ose, të paktën, të rri me kokë me nj’anë, sepse nuk e lavdërove sa desh ay vetë. Në këtë kuadër të vrazhdët, them, ku je i detyruar të pranosh – duke heshtur! – që një thes me kashte të quhet poet klasik ose filozof e një bostan-tavasi, poet, sociolog a s’di ç’tjetër batërdi”.
Në kujtim të poetit, sot po e sjellim poezinë “Elegji”
Po të vdes në dhé të huaj,
– Shortë mërgimtari –
Të m’ a bëni varrin t’ im
Ku do bjé së pari.
Pa një grusht nga toka jonë,
– Balt nga balt’ e vetë –
Të m’ a sillni e t’ a vini
Drejt ne zembr’ e shkretë.
Se kjo balt’ e Vendit t’ onë
Mallet do m’ i shuaj,
S’ do më duket fort i rêndë
Moj, ky dheu i huaj.
E të vini të m’ i thoni
Asaj Nënës s’ ime:
Zi mos qajë, zi mos mbajë
Po asnjë thërrime.
Se m’ i lumtur jam i fjetur
Se sa i mërguar,
Mot pas moti aratije, –
Zembër copëtuar . . .
Pa fytyr’ e saj e tretur
– Që e kam ikonë, –
Lart mbi varr do më qëndrojë
Sot e gjithmonë.
Rruga Press