Po rritet frika nga shpërthimi i vullkanit në Islandë, tymi po del nga toka
Shqetësimet për një shpërthim të mundshëm vullkanik në Islandë u shtuan në orët e para të mëngjesit kur një tërmet me magnitudë 4.8 ballësh të shkallës së Rihterit u regjistrua pranë zonës së Grindavik.
Sipas raportimeve të fundit, tymi po ngrihet nga toka pasi shkencëtarët thonë se “gjithçka tregon” një shpërthim të afërt.
Për shkak të kësaj, resorti gjeotermik me famë botërore “Blue Laguna” është mbyllur përkohësisht, raporton skynews.
Aktiviteti sizmik filloi në zonën në veri të Grindavik, ku ka një rrjet krateresh 2000-vjeçare, tha profesori i gjeologjisë Pal Einarsson.
Korridori i magmës është rreth 10 kilometra i gjatë dhe po zgjerohet, tha ai.
“Tërmetet më të mëdha filluan pikërisht atje, nën këtë linjë të vjetër krateri, por që atëherë korridori i magmës është bërë më i gjatë, duke shkuar nën zonën urbane në Grindavik dhe duke shkuar më tej në det”, tha Einarsson.
Në të njëjtën kohë, autoritetet ngritën alarmin për aviacionin në nivelin portokalli, gjë që tregon një rrezik të shtuar të një shpërthimi vullkanik.
Mediat raportojnë se që nga mëngjesi i sotëm në hyrje të qytetit të Grindavik po krijohen turma pasi banorët po evakuohen.
Ndryshe, Islanda është një nga rajonet në planetin Tokë me numrin më të madh të vullkaneve.
Ndodhet në kreshtën e mesit të Atlantikut, ku pllakat tektonike të Amerikës së Veriut dhe Euroazisë po tërhiqen me dy centimetra në vit.
Mesatarisht, një nga 32 vullkanet aktive të Islandës shpërthen çdo katër deri në pesë vjet.
Rruga Press